10.8 C
Prizren
E diel, 20 Tetor, 2024

Blushi tek “Hëna e Shqipërisë” zbulon komplotin e madh ndaj vendit. Ja të pasurit shqiptar që duan izolimin e Shqipërisë

Shkrimtari Ben Blushi në një prej librave të tij, i titulluar “Hëna e Shqipërisë”, një botim i shtëpisë botuese prestigjioze në vend UET-Press, paraqet një të ardhme shumë pesimiste për Shqipërinë. Aty shkruan edhe për bashkimin e Shqipërisë me Europën dhe dëshirën e disave për ta mbajtur të izoluar nga ajo. Për rrjedhojë, sipas tij, në Shqipëri do të vijë duke u zbehur entuziazmi pro-evropian. Në kushtet kur ekonomitë e Evropës do të vazhdojnë të rriten shumë ngadalë, kur emigrantët shqiptarë do kenë më pak punë dhe kur fuqia e Evropës në botë do të tkurret, shqiptarët do kenë më pak arsye të jenë eurofilët më të zellshëm në botë, siç edhe kanë qenë dy dekadat e fundit.

______________________________

Bashkimi me Evropën sot në Shqipëri perceptohet si një akt i kryer. Si çështje kohe. Askush nuk dyshon se herët ose vonë Shqipëria do jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Shqiptarët mbeten një komb entuazist sa i takon Evropës dhe, meqenëse janë ende jashtë saj, shohin vetëm të mirat dhe shkëlqimin, njëlloj si një satelit që nuk ka distancën e duhur për të parë gropat e planetit të cilit i vjen rrotull.

Vetë evropianët janë sot, më skeptikë se gati 87 për qind e shqiptarëve, të cilët sa herë pyeten mendojnë se është e domosdoshme të jesh pjesë e Bashkimit Evropian për të jetuar më mirë. Jo për shkak të këtij entuziazmi, i cili sigurisht do vijë duke rënë, bashkimi me Evropën do të ndodhë në dhjetë ose pesëmbëdhjetë vjet megjithëse Evropa sot nuk po kalon ditët e veta më të mira.

C?farë është Evropa sot?

Nëse nuk do ishte historia Evropa do dukej si një vend pa të ardhme. Në kohë më të vjetra Evropa ishte fuqia më e madhe në botë; pastaj u bë më e pasura; pastaj më e drejta. Sot nuk është më asnjëra nga të treja. Ka disa vende që janë më të fuqishme, ka shumë shtete më të pasura dhe jo pak shoqëri më të lira, më të hapura dhe më demokratike se ajo. Evropa nuk ka më monopolin e diçkaje. Ndoshta të kulturës. Sot kjo është çështja: a jetohet mirë në Evropë. Ka vende ku jetohet më mirë, ku ka më shumë diell, ka më shumë punë dhe ku qeveritë marrin vendime të drejta edhe pa ndihmën e zgjedhjeve. Ka pra shumë vende me më pak kokëçarje se Evropa. Duke punuar më pak paguhesh më shumë dhe shijon edhe më shumë. Vende të tilla po shtohen me shpejtësi nga Azia në Afrikë dhe pa dyshim, edhe në Amerikën Latine. Aty është më ngrohtë, taksat janë më të ulëta, sigurimet janë më të lira, qeveritë janë më elastike, feja është më e parëndësishme.

Në të kundërt Evropa është në krizë. Pak a shumë problemet e saj janë të njohura. Vendet e punës po pakësohen, diferenca mes jugut dhe veriut të kontinentit po shtohet, kontrolli i Gjermanisë mbi pjesët e tjera të Bashkimit Evropian po ekzagjerohet, cilësia e demokracisë po kushtëzohet, rëndësia e Kishës po relativizohet. Por jo vetëm kaq. Evropa nuk eksploron më siç ndodhte dikur, ç’ka është shfaqja më e mjerueshme e dobësisë së saj. Ajo ka zbuluar shumicën e tokave dhe detrave që njohim sot. Kjo epërsi u dha evropianëve pasuri, prona dhe pushtet. Ata eksportuan mënyrën e tyre të jetesës kudo ku shkuan. U dhanë popujve të tjerë shpikjet e tyre më të mëdha: institucionet, teknologjinë, demokracinë dhe kishën. Por tani ky eksport ka ndalur. Evropa nuk eksploron më sepse nuk ka teknologjinë e duhur. Asnjë nga misionet që shkojnë sot në hapësirë nuk ka targë evropiane. Zbulimet e pritshme jashtë planetit që do të thotë pasuri të reja, toka, lëndë të para dhe ato minerare do të gëzohen nga të tjerët. Dhe si të gjithë ata që kanë frikë të rriten kur plaken, ajo po heziton të zgjerohet me territore dhe me popuj të feve të tjera si turqit, shqiptarët ose boshnjakët duke i vënë vetes të paktën, tre kufij që ka frikë t’i kapërcejë.

Në Perëndim ka Amerikën dhe shumë vende që duan t’i ngjajnë asaj dhe prandaj dështojnë; në Lindje ka Rusinë bashkë me shumë vende që kanë dashur t’i ngjajnë kësaj dhe prandaj kanë dështuar; në Jug ka varfërinë bashkë me shumë vende që duan të dalin prej saj. Këto vende duan t’i ngjajnë Evropës sot dhe prandaj po dështojnë, përfshi edhe ne. Në fakt, asnjëri prej këtyre vendeve nuk e ka më Evropën si model për të dalë nga problemet që ka aktualisht. Në Perëndim të gjithë duan të bëhen si Amerika; në Lindje nuk ka rrugë tjetër veçse të sillesh si Rusia edhe kur nuk do, siç është rasti i Ukrainës; në Jugun e afërt çdo rrugë për në Evropë kalon nga Turqia. Me këto modele Evropa nuk do të bashkohet. Ka frikë nga të treja. Amerika e frikëson me fuqinë e vet, Rusia me madhësinë, Turqia dhe vende të ngjashme si ajo me ashpërsinë e tyre. Amerika i largohet, Rusia nuk lëviz, Turqia dhe të ngjashmit e saj i afrohen. Evropa rri në vend. Çdo lëvizje e frikëson. Kjo rrit dyshimet e atyre që mund të investojnë në Evropë: edhe në të ardhmen, ajo do të mbetet me një popullsi më të varfër se Amerika, shumë më të plakur se Afrika dhe ndoshta, më pak të arsimuar se Azia. Njëqind vjet më vonë parashikohet të ketë humbur gati një të tretën e popullsisë. Nga ata që nuk do të jenë, shumica do vdesin, por një pjesë do kenë emigruar. Duke qenë një popullsi e plakur, investimi kryesor që bëjnë sot evropianët janë pensionet e tyre. Njerëzit punojnë për të pasur spitale më të mira, ilaçe më të lira dhe pleqëri më të gjatë dhe më të shëndetshme. Në një kuptim, Evropa mendon më shumë për pleqërinë. Prandaj mbetet një vend i mirë për t’u plakur, por jo për të lindur dhe ky është problemi. Çmimi më i lartë që ajo i paguan të ardhmes nuk është financiar pra nuk llogaritet në parà. Ai është kulturor. Është mungesë besimi. Për të nesërmen.

DORËSHKRIM/ Blushi tek “Hëna e Shqipërisë”

Izolimi i ri i Shqipërisë. Izolatrikët

Nga dobësimi i Evropës, Shqipëria do të vuajë. Perceptimi i një vendi që refuzohet disa herë do t’i bëjë më skeptikë investitorët evropianë, të cilët, edhe gjatë dhjetë viteve të fundit, kanë gjetur shumë pak arsye të investojnë në Shqipëri. Tregu është i vogël, shteti shumë i dobët dhe cilësia e fuqisë punëtore akoma më e ulët.
Për rrjedhojë, në Shqipëri do të vijë duke u zbehur entuziazmi pro-evropian. Në kushtet kur ekonomitë e Evropës do të vazhdojnë të rriten shumë ngadalë, kur emigrantët shqiptarë do kenë më pak punë dhe kur fuqia e Evropës në botë do të tkurret, shqiptarët do kenë më pak arsye të jenë eurofilët më të zellshëm në botë, siç edhe kanë qenë dy dekadat e fundit. Kjo klimë e rënduar dhe depresive në Evropë, sigurisht, do të ndikojë edhe këtu. Madje, unë them se më shumë nga sa besojmë sot, pavarësisht se Shqipëria është e vogël për të vuajtur nga sëmundje të mëdha. Por duke pasur sëmundjet e veta, ndoshta do vuajë edhe më shumë, si çdo trup i lodhur që pëson kolaps edhe nga një grip i huaj.

Ndikimi në Shqipëri do jetë ekonomik,por gradualisht edhe politik. Pakënaqësia për klasën politike do të rritet. Shqiptarët do bëhen edhe më skeptikë për partitë e tyre, duke besuar se mungesa e refomave, rënia ekonomike, borxhet, papunësia dhe korrupsioni kanë përgjegjës ata që kanë zgjedhur. Dhe, në fakt, do kenë të drejtë, sepse ekstremistët evropianë që kanë lulëzuar vitet e fundit nuk janë përgjegjës as për mungesën e reformave, as për borxhet dhe, as për pabarazinë marramendëse të popullsisë së Shqipërisë. Ekstremistët hollandezë nuk kanë dështuar të vendosin rendin në Shqipëri dhe aq më pak partia antievropiane angleze UKIP që aktualisht është e treta në sondazhet lokale nuk mbajnë përgjegjësi për rrënimet e vitit 1997, ose për vrasjet e 21 janarit, ose për dështimin e drejtësisë në vendosjen e ligjit dhe të kulturës së ndëshkueshmërisë. Ekstremistët grekë mund të jenë përgjegjës për frikësimin dhe kthimin e disa qindra emigrantëve shqiptarë në Greqi, por nuk janë ata shkaktarë të emigracionit masiv të njëzet viteve të fundit. Ekstremistët evropianë do vijnë duke u shtuar dhe forcuar, duke bërë ciklin e tyre historik edhe për të paktën dhjetë apo njëzet vitet e ardhshme në parlamentet e të gjitha vendeve, me përjashtim të Gjermanisë të cilës i drejtohet ky ekstremizëm.

Siç ndodh zakonisht, kur Shqipëria imiton fenomenet më të shëmtuara dhe më të dëmshme të Evropës, nga komunizmi tek korrupsioni, do të ndodhë edhe në të ardhmen. Në Shqipëri do shtohen antievropianët. Në elitën politike dhe financiare. Pa dyshim. Ndoshta Shqipëria, për të gjitha arsyet që thashë do hyjë në një izolim të ri. Të panjohur. Por duke parë historinë e saj kjo është shqisa që ka përsosur më shumë sa herë ka pasur një problem. Dhe meqë problemet do të shtohen dhe zgjidhjet janë larg, izolatrikët do të lulëzojnë dhe do të shtohen. Ata do kthehen në një shtresë të rëndësishme dhe të fortë financiarisht, sepse do jenë të pasur. Kur flas për izolatrikë kam parasysh një njeri i cili mendon se jeton mirë në habitatin e vet dhe arsyet për ta ndryshuar atë janë të vogla, për të mos thënë të panevojshme. Izolatriku nuk bën përpjekje për ta zgjeruar territorin ku ushtron fuqinë e vet dhe, aq më pak, për të ftuar njerëz të tjerë të cilët mendon se mund t’ja kufizojnë lirinë për të fituar. Sepse fitimet e tij janë të mjaftueshme dhe të bollshme.

Izolatriku shqiptar është i pasur. Nëse do ta krahasoja me dikë, ky do ishte personazhi i nënprefektit tek filmi “Koncert në vitin 1936”. Një burrë i majmur dhe i kënaqur deri në plogështi me jetën që bën dhe po aq i ngopur me autoritetin që i jep pasuria, ligji, forca dhe mjerimi i të tjerëve. Ai e nis ditën njëlloj, pavarësisht se çfarë ndodh përreth tij, në Shqipëri ose në botë dhe e mbaron duke llomotitur të njëjtat thashetheme të detajuara çdo mbrëmje. Mëngjesi fillon tek berberi dhe mbaron duke ecur, në sheshin e qytetit. Gjatë ditës ka marrë shumë vendime, sipas tij të rëndësishme, për fatin e dhjetëra të varfërve apo të mjerëve, për të cilët mendon se do ishin edhe më të varfër dhe edhe më të mjerë në kushtet kur ai mungon. Zakonisht e dallon ky tipar: është po aq i prapambetur sa të tjerët, por pasuria dhe fuqia që ka, e bën të besojë se është duke e harxhuar jetën në batakun e një vendi që nuk ka aftësi të evropianizohet. Ai është një e mesme e feudalëve orientalë të përzier me borgjezët e rinj kapitalistë.
Sot, nënprefekti i Koncertit 36’ do ishte me celular në dorë nga mëngjesi në darkë, duke ndarë shumicën e kohës dhe të çështjeve me shoferin e vet, bindja dhe nënshtrimi i të cilit e mbushin me admirim për veten. Ka një batutë të paharrueshme ai film. Me besimin se përpjekja e tij për oksidentalizimin e shoqërisë shqiptare është e kotë, pasi shqiptarët, pavarësisht mundit që ai harxhon, nuk bëhen dot oksidentalë, nënprefekti vendos të përshëndesë arstisten që viziton provincën me një tufë lulesh të freskëta. Por, gjatë porosisë, kujtohet se është në Shqipëri dhe jo në Paris, prandaj pendohet, tërheq monedhën që i ka dhënë shegertit të vet dhe i thotë këtë frazë: në Shqipëri lulet i hanë gomerët. Pra, nuk ia vlen t’i blesh për t’ia dhuruar një zonje. Ky është izolatriku par excellence shqiptar. Një njeri i cili mendon si evropian, por sillet si oriental. Ai do të bëjë mirë, por së pari nuk di dhe së dyti, edhe nëse di, ka frikë, sepse mirësia do t’i merrej për dobësi. Ai ëndërron të jetë xhentëllmen, por pastaj kujtohet se, duke u sjellë si feudal, mund të jetë shumë më tërheqës dhe i pushtetshëm. Izolatriku e di se mund ta humbë pushtetin duke ndryshuar.

Shqipëria e sotme është e mbushur me nënprefektë. Burra të pasur dhe të fuqishëm që drejtojnë provincat dhe qytetet njëlloj si nënprefekti i 80 viteve më parë. Këta njerëz do të shtohen. Ata kanë fuqinë për të ndikuar mbi vendimet politike; ata presin dhe përcjellin udhëheqësit e lartë, u bëjnë konak, i darovisin dhe marrin prej tyre konçesione ose marrëveshje që çojnë në devijim fondesh publike, natyrisht, në këmbim të devijimit të votave sa herë ka zgjedhje. Kjo është dhe do të jetë forca e tyre. Kam parë në këto vite me dhjetëra nënprefektë dhe është e kotë të them se ata po pakësohen. Ata po shtohen. Dhe e keqja e tyre është se janë epidemikë. Janë ngjitës. Ata janë një model karriere që lulëzon në lagje, fshatra dhe qytete. Shumë shpesh nënprefektët kthehen në baronët e krimit. Ata mbajnë lidhje me krimin lokal, u sigurojnë çadër dhe ushqehen prej tyre. Shpejt, tipari kryesor me të cilin do mund të identifikohen, do jetë izolimi. Ata nuk do duan të afrohemi me Evropën, sepse e ndjejnë se Evropa nuk është një vend ku mund të jetojnë duke konsumuar të gjitha zakonet e ditës, nga takimi me berberin në mëngjes e deri tek shëtitja me shoferin në mbrëmje.T’i bindësh ata për të kundërtën është njëlloj si të bindësh një hipopotam të kërcejë në një pistë akulli. Këta janë izolatrikët e Shqipërisë.

Ata janë pjesa kryesore e elitës financiare e cila është në pakt të fortë me elitën politike. Ndërsa të dytët do dështojnë të japin rezultate të ndjeshme reformash, të parët do ta financojnë këtë dështim, duke bindur komunitetet dhe provincat e tyre se dështimi është progres, por edhe nëse nuk është krejtësisht i tillë, është vetëm një cikël që do të kapërcehet. Dështimin e brendshëm do ta shesin si dështim të jashtëm. Si një dështim evropian. Dhe në dobësinë e riciklueshme të Evropës do të gjejnë shumicën e arsyeve për t’i qëndruar asaj larg. Kështu ka ndodhur dhe po ndodh në gjithë këta vite, sepse izolatrikët, përveç se nënprefektë, janë edhe investitorë. Investimet evropiane dhe, sidomos, vendosja e ligjit dhe e drejtësisë, do të kërcënonte seriozisht shumë investitorë shqiptarë, të cilët e shohin të ardhmen e monopoleve dhe të fitimeve të tyre të lidhura kryesisht, me klasën politike dhe fatin e saj. Hapja e Shqipërisë ndaj Evropës do krijonte rregulla të reja tregu, konkurrence dhe drejtësie. Edhe sot, ato pak investime evropiane në telekomunikacion ose hidrokarbure i kanë bërë të dështojnë të gjithë shqiptarët që i kanë hyrë kësaj rruge. Si financues të të gjithë klasës politike deri sot, izolatrikët shqiptarë do t’i imponojnë asaj një rrugë tjetër. Kjo do të jetë epoka e tretë e izolimit të Shqipërisë nga Evropa, së cilës po i afrohemi me shpejtesi, si për shkaqe kulturore, ashtu edhe financiare.

Izolimi i parë i Shqipërisë ndodhi gjatë pushtimit otoman. Ky ishte një izolim fetar me shkaqe politike. Izolimi i dytë erdhi gjatë regjimit komunist. Ky ishte një izolim politik me themel ideologjik. I treti sapo ka nisur. Ky është një izolim kulturor me bazë financiare. Por, nëse në dy rastet e para ka pasur fuqi politike, ose ideologji që kanë imponuar izolimin, në rastin e tretë do jetë pamundësia për të bërë refoma ajo që do prodhojë këto pasoja. Për arsye kulturore dhe financiare Shqipëria e ka dhe do ta ketë të vështirë t’i afrohet Evropës. Evropa po na jep arsye dështimi, të cilat Shqipëria do t’i shfrytëzojë me sukses.

Kjo fazë izolimi ndoshta do të vazhdojë disa vjet, derisa në Evropë të krijohen kushte të tjera, derisa kontinenti të ketë gjetur një ekuilibër më të natyrshëm politik mes fuqive që e përbëjnë atë dhe, sigurisht, derisa forcat jashtë saj, si ShBA, Rusia dhe Kina të kenë prodhuar ide dhe tekonologji të cilat mund ta çojnë në një fazë të re rendin botëror, duke i hapur njerëzimit rrugën e një progresi më të qëndrueshëm dhe më të merituar. Shqipëria do të mbetet një territor që pjell izolatrikë dhe nënprefektë, të cilët po e ndajnë Shqipërinë në feude të vogla, por të rehatshme. This is freedom, do më thoshte një këngëtar i njohur italian para disa kohësh duke pirë cigare dhe puro në një restorant të Tiranës dhe duke paguar cash kudo dhe këdo. Kjo liri shijon dyfish kur mendon se Shqipëria ka një ligj që e ndalon duhanin në ambientet publike. Në Itali kjo është e pamundur. Nuk pi dot cigare askund, bankat nuk japin cash dhe taksat të marrin frymen. Ju nuk e njihni Evropën, më tha. As ia vlen ta provoni. Të njëjtën fjali më tha një nënprefekt pak javë më parë. Natyrisht në shqip. E pse duhet të hyjmë në Evropë, për ta humbur këtë liri!

Duke kultivuar dhe përhapur lirinë e mosbindjes ndaj ligjit, izolatrikët do arrijnë me sukses t’i shtyjnë të gjitha reformat e domosdoshme në Shqipëri. Në fakt, reformat do të bëhen, por ato do të vonohen ose do të deformohen deri në pikën që kur të bëhen, të jenë të paefektshme. Vonesa e reformave do të rrisë demotivimin dhe do të ulë optimizmin për mundësinë e vendit për të ndryshuar. Kjo ndjesi do të shtojë shanset e izolimit. Nga izolimi, regjimet lokale fillimisht konsolidohen duke krijuar pak stabilitet, sidomos në rend, por pastaj kthehen në rrezik sepse mbysin çdo lloj progresi, konkurrence politike dhe frymëmarrje në sipërmarrje. Në këto raste çdo gjë duket e paravendosur. Dhe paragjykimi se asgjë nuk ndryshon, pavarësisht se çfarë bën, edhe kur nuk është real por vetëm iluzor, i vret idetë dhe ata që i kanë ato. E ardhmja kalbet nëse e tashmja perceptohet gabim, por në çdo rast ky nuk është faji i së ardhmes.

Shembulli më therës i regjimeve që përfitojnë nga izolimi është ai i Enver Hoxhës në pesëdhjetë vjet. Një regjim më i hapur ndaj Evropës nëse nuk do ishte rrëzuar më shpejt, të paktën, do ishte më i butë dhe më human. Ndërsa shembulli më i freskët i ditëve tona është rasti i regjimit të Erdoganit në Turqi. E?shtë një sistem që prodhon progres ekonomik, por jo demokraci. Nëse Evropa do ta kishte afruar Turqinë më shpejt, harta politike e këtij vendi do të ishte ndryshe sot. Turqia do kur proevropianët luftojnë për ambjentin, ndërsa proislamikët për pushtetin siç edhe po ndodh. Shembulli i Turqisë, në të vërtetë, është për t’u konsideruar sepse pavarësisht nga kushtet, pavarësisht nga madhësia, pavarësisht nga burimet ekonomike të pakrahasueshme, pavarësisht nga pozita kyçe mes perëndimit dhe lindjes, Turqia vazhdon të jetojë izolimin e vet simbolik që ushqen elita provinciale dhe udhëheqës autokratë. Jo në masën e Turqisë, por ndoshta për të njëjtat arsye të cilat lindin nga të njëjtat shkaqe edhe Shqipëria e ka shumë të vështirë të çajë izolimin e vet kulturor që e ndan nga Evropa.

Dhe për fat të keq Shqipëria është vetëm në fillim të kësaj rruge. Sepse ajo nuk është më një vend optimist dhe, ndoshta, nuk do të jetë për shumë dekada.

“Hëna e Shqipërisë”, UET-Press -2014

Më Shumë

180 vite nga lindja e Fridrih Niçes

Sot janë bërë 180 vite nga lindja e një ndër filozofëve dhe mendimtarëve më të ndritur të shekullit të njëzet, Fridrih Niçe. Figura e...

Policia shqiptoi mbi 2200 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 2298 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Lajmet e Fundit