0.8 C
Prizren
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Rexhep Qosja: Rëndësia e Kongresit të Manastirit për kombin shqiptar

Mes datave 14 dhe 22 nëntor të vitit 1908 është mbajtur Kongresi i Manastirit që kulmoi me caktimin e alfabetit të Gjuhës shqipe më 22 nëntor.

 

Në përvjetorin e kësaj date, është publikuar një dorëshkrim i akademikut Rexhep Qosja.

Përmes dorëshkrimit të tij, që e ka publikuar “Euronews Albania”, Qosja kujton përpjekjet dhe përkushtimin e delegatëve të këtij Kongresi, të cilët hodhën themelet për një identitet kulturor të qartë dhe të bashkuar.

Akademiku thekson se Kongresi i Manastirit është një ngjarje historike për kombin shqiptar, pasi i dha shqiptarëve për herë të parë një alfabet të standardizuar, si dhe ndërtoi politikën për krijimin e Gjuhës standarde në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe.

Dorëshkrimi i Rexhep Qosjes, sipas EuronewsAlbania:

Gati të gjitha veprat, monografitë, studimet, trajtesat dhe shkrimet për Kongresin e Manastirit, fillojnë me shprehjen e bindjes se ky Kongres është ngjarje shumë e rëndësishme e Kulturës dhe kombit shqiptar. Ka një varg arsyesh e të dhënash për një vlerësim të tillë të Kongresit të Manastirit, por megjithatë dy janë kryesoret.

E para, Kongresi i Manastirit është ngjarja historike që gjuhës shqipe, kombit shqiptar, ia solli një alfabet, alfabetin e bazuar në alfabetin latin.

E dyta, Kongresi i Manastirit është ngjarja që me alfabetin, me një alfabet dhe me qëndrimet e organizuesve të tij dhe delegatëve të zgjedhur prej viseve të ndryshme shqiptare ndërtoi politikën për krijimin e Gjuhës së përbashkët letrare, domethënë të Gjuhës standarde në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe, të mbajtur në Tiranë në vitin 1972.

Dy të arriturat e sipërtheksuara të Kongresit të Manastirit janë çështje të mëdha, më të mëdhatë të Gjuhës Shqipe.

Dy të arriturat e sipërtheksuara të Kongresit të Manastirit, duke qenë çështje të mëdha, më të mëdhatë e gjuhës shqipe, janë njëkohësisht çështje të Shkollës Kombëtare. Gjuha, alfabeti dhe Shkolla ishin dhe janë përbërës gjithëjetshëm e gjithëkohshëm të rëndësishëm të kulturës së çdo populli, prandaj edhe të Popullit shqiptar.

Në Kongresin e Manastirit do të merrnin pjesë 32 delegatë me të drejtë vote që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare, brenda dhe jashtë Atdheut.

Delegatët me të drejtë vote ishin shkrimtarë dhe publicistë të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, veprimtarë të lëvizjes kombëtare.

Në mbledhjen e pasdites së parë të Kongresit do të zgjidhej Kryesia që do të udhëhiqte e drejtonte punimet e Kongresit. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi, ndërsa sekretarë Hilë Mosi, Thoma Avrami dhe Nyzhet Bej Vrioni.

Duke parë se sa e përbërë do të ishte zgjidhja e dëshiruar, e rëndësishme e gjithëjetshme e çështjes në fjalë, disa nga diskutuesit e quajtën të nevojshme të propozojnë që të krijohet një Komision, të cilit do t’i besohej vendimi për çështjen e alfabetit.

Komisioni do të përbëhej prej përfaqësuesve të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit” e të “Agimit” dhe të disa publicistëve e intelektualëve të njohur. Komisionit iu besua me vota të fshehta vendimi për një alfabet të cilin delegatët e Kongresit zotoheshin se do ta pranonin detyrimisht si alfabet të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Kryetar i Komisionit u caktua Gjergj Fishta, i cili mori numrin më të madh të votave.

 

Më Shumë

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, gjobitet pronari

Policia e Kosovës ka konfiskuar një automjet të tipit Lamborghini në fshatin Zhur të Prizrenit, pasi ky ishte duke u drejtuar nga një i...

Në fundjavë turneu ndërkombëtar ‘Adem Jashari’

Federata e Boksit e Kosovës (FBoxK) do të organizojë turneun e 26-të ndërkombëtar “Adem Jashari”, i cili do të mbahet më 23 dhe 24...

Lajmet e Fundit