3.2 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ganimete Musliu: Ramë Buja, Ferid Agani… është dashur të japin dorëheqje morale

Ternava GanimetePas ngjarjeve në UP, Ramë Buja është dashur të japë dorëheqje morale bashkë me anëtarët e Rektoratit. Të njëjtin veprim do të duhej ta bënte edhe Ferid Agani për shkak të gjendjes në shëndetësi. Nisma e AAK’së për rrëzimin e Qeverisë është iluzion. PDK s’e ka humbur Gjilanin, Mitrovicën, Ferizajn, Vitinë, Malishevën.. por aty kanë humbur kandidatët. Nuk i kam rënë pishman pse ua kam drejtuar këpucën deputetëve të Vetëvendosjes. Pas kësaj kam marrë dhurata me shenjën e këpucës. Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu flet për Express dhe tregon edhe për skandalin që ndodhi në Ambasadën kosovare në Tiranë në ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Express:Çka është duke ndodhur në PDK?

G. Musliu: Në cilin kuptim po pyetni se çka është duke ndodhur në PDK?

Express: Në kuptimin që Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi e kanë konfirmuar largimin nga PDK’ja dhe kanë paralajmëruar themelimin e një partie të re politike…

G. Musliu: Është diçka shumë normale sepse secili anëtar që mendon se ka dhënë një kontribut të mjaftueshëm dhe duhet të zgjedh një rrugë tjetër – është shumë normale në demokraci që të ndryshojë mendimin dhe të themeloi një subjekt politik. Unë përmes media më shumë jam informuar rreth formimit të partisë politike nga Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi. Për mua janë dy figura shumë të respektuara në PDK dhe kanë qenë që nga themelimi. Që nga viti 2000 janë anëtare e PDK’së dhe pikërisht kanë qenë këto figura, Kryeministri Thaçi, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Ramë Buja. Mos t’i përmendi të gjithë me emra se janë shumë anëtarë të Kryesisë së atëhershme, mua, si një vajzë e re më kanë bind që duhet t’i bashkëngjitem programit politik të kësaj partie.

Express: A po bëjnë mirë z. Limaj e z. Krasniqi që u larguan nga PDK’ja?

G. Musliu: Të them të drejtën, kjo se a po bëjnë mirë, apo po bëjnë keq, nuk më mbetet mua të vlerësoj.

Express: Cili është vlerësimi juaj për largimin e tyre nga PDK’ja?

G. Musliu: Çdo vendim që merr çdo individ, anëtar i PDK’së unë e respektoj. Jemi në rrethana demokratike dhe nuk mbetet të gjykohet pse dikush del apo hyn në një parti politike. Thjesht, a është mirë apo është keq, duhet të vlerësojnë ata e jo unë.

Express: A i ndihmon PDK’së largimin e Limajt e Krasniqit?

G. Musliu: Mendoj se nuk i ndihmon largimi i asnjë anëtari të partisë që largohet qoftë edhe një anëtari më i thjeshtë që i largohet PDK’së nuk guxojmë të themi se i ndihmon sepse kjo do të ishte absurde.

Express: Por, Limaj e Krasniqi nuk kanë qenë bash anëtarë të thjeshtë të PDK’së. Kanë qenë udhëheqës të PDK’së dhe janë ndër më të votuarit në Kosovë?

G. Musliu: Pikërisht për këtë arsye po them se nuk i ndihmon PDK’së.

Express: Cili mund të jetë dëmi që ia shkaktojnë PDK’së Limaj e Krasniqi?

G. Musliu: Nuk mund të them diçka konkrete tash për tash. Por, nuk mund të them se nuk do t’i shkaktojnë një dëm sepse ata kanë një simpatizantët e tyre që i kanë përkrahur vazhdimisht. Kjo është dëshmuar edhe në zgjedhjet e fundit lokale. Megjithatë, nuk mund të thuhet se PDK do të dëmtohet në atë masë sa të shkoj drejt humbjes veç pse dalin Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi.

Express: Çka nuk është duke bërë mirë z. Thaçi në këtë proces?

G. Musliu: Unë kisha dashur të them se çka nuk është duke bërë mirë sepse nuk e di çka duhet të bëjë kur dikush shpreh gatishmërinë dhe vullnetin që të largohet nga partia politike. Nuk ka çka të bëjë mirë ose keq Kryetari Thaçi, në këtë rast, sepse jemi në rrethana demokratike duke vepruar dhe çdo individë që mendon të përfundon kontributin e tij në një parti politike. Kjo është e drejtë e tij me zgjedh.

Express: A keni ndonjë vlerësim pse PDK e humbi Gjilanin, Mitrovicën, Ferizajn, Lipjanin, Malishevën?

G. Musliu: Fillimisht nuk kisha me thënë që i kemi humbë.

Express: E kush është përgjegjës për cilësinë jo të duhur në arsim?

G. Musliu: Ka një përgjegjësi edhe Qeveria në këtë rast sepse energjinë e tepërt që e ka harxhu në integrime europiane, në dialog me Serbinë, me heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë… na kanë konsumuar paksa kohën e çmueshme për të reflektuar.

Express: Po i përmendi integrimet europiane dhe Kryeministri pati premtuar në vitin 2010 se për 15 muaj do të ketë liberalizim të vizave?

G. Musliu: Unë mendoj se çdo kush duhet të ketë një synim kur të futet në një rrugë.

Express: Por, duhet të jepet premtime të sakta?

G. Musliu: I saktë njëqind për qind mund të jetë vetëm perëndia. Nuk mund të jesh qind për qind i sakt kur nuk varet krejt prej teje. Ai ka premtuar se njëqind për qind do të jetë i angazhuar në këtë drejtim. Sfidat që kanë dalë në këtë mandat e kanë ndryshuar pak atë agjendë. Por, unë besoj fuqishëm në angazhimet e Kryeministrit Thaçi edhe në punën e Ministres së Integrimeve Europiane në këtë drejtim.

Express: Çka mendoni për përbërjen aktuale të Parlamentit të Kosovës, kur dihet se ka vlerësime negative për këtë përbërje?

G. Musliu: Kur thonë është më i miri, ose thonë se është më i keqi, unë dua të kem një bazë mbi të cilën vlerësoj dhe me çka e matë. Nëse thuhet se është më i dobëti, unë kisha dashtë me ditë për çka është më i dobëti. Unë mendoj se kjo legjislaturë është ndër më aktivja që ka pasur ndonjëherë Parlamenti i Republikës prej pasluftës deri më tash.

Express: Për shembull, Kryetari i Kuvendit thotë se deputetët kanë ardhur me vota të vjedhura?

G. Musliu: Nëse z. Krasniqi ka thënë se kemi ardhur me vota të vjedhura, unë mendoj që unë sikur të isha në vend të z. Krasniqi nuk do të pranoja të udhëheq ata deputetë që kanë ardhur me vota të vjedhura.

Express: A është Vlora Çitaku model për gratë e PDK’së?

G. Musliu: Puna e Vlora Çitakut në PDK është e pamohueshme. Vlora Çitaku nuk është e vetmja në këtë drejtim. PDK ka shumë gra dhe vajza të zonja të cilat e bëjnë punën e tyre me shumë përkushtim. Jo vetëm Vlora Çitaku, por shumica e grave që janë në PDK vazhdojnë të jenë model për femrën në përgjithësi.

Express: Çka mendoni për Flora Brovinën deputeten e PDK’së?

G. Musliu: Flora Brovina është një kolege e imja shumë e nderuar, e cila ka dhënë një kontribut shumë të madh edhe paraluftës, edhe pasluftës, edhe në PDK. Mendoj se është begati me pasFlora Brovinën në një parti.

Express: Në një seancë të Kuvendit të Kosovës jeni parë duke hyrë në njërën hyrje për të nënshkruar mëditjen. Përgjegjësja nuk iu ka lejuar. Keni hyrë në anën tjetër dhe keni arrit të nënshkruheni?

G. Musliu: Më vjen shumë keq që ju e komentoni se nuk më ka lejuar. Nuk e keni dëgjuar çka ka thënë ajo dhe bisedën time me te. Pikërisht, ajo më ka thënë se kalo në anën tjetër dhe unë kam kalu në pjesën tjetër. Megjithatë le të mbetet në ndërgjegjen e secilit ta shoh siç donë ta vlerësoj. Kam dhënë sqarimet e mia pikërisht në televizionin që ka bërë spektakël me atë veprim timin. E them edhe këtu se ndihem jashtëzakonisht krenar për punën që e kam bërë dhe e bëj.

Express: A është keq për një deputet me dhanë një nënshkrim në seancë që s’ke qenë për me marrë një mëditje?

G. Musliu: Unë nuk e kam dhënë nënshkrimin për mëditje. Mundesh të shikosh se në shumicën e seancave unë nuk nënshkruhem fare. Nuk shkoj në Kuvendin e Republikës së Kosovës për mëditje. Shkoj në Kuvend për të dhënë kontributin tim për çka më kanë besuar qytetarët e Republikës së Kosovës. Puna ime më e vogël që bëj në Kuvendin e Kosovës është çka bëj në një seancë. Unë punoj çdo ditë në Kuvendin e Kosovës sepse jam e angazhuar në Komisione parlamentare. Unë më shumë se 12 orë merrem me punët e Parlamentit. Unë nuk kam punë të dytë dhe nuk marrë pagë të dytë as privatisht dhe as nga institucionet e Kosovës.

Express: A duhet të merret shembull nga qytetarët e Kosovës veprimi juaj në Kuvendin e Kosovës kur e hiqni këpucën dhe e drejtoni kah deputetët?

G. Musliu: Edhe për këtë çështje asnjëherë s’jam ndier keq. Kam pasur mundësinë dhe e kam thënë edhe në mediat tjera dhe e them edhe tash se kam marrë shumë lëvdata për atë prej qytetarëve të cilët e njohin karakterin tim. Tash kam filluar të marrë dhurata në shenjë të këpucës siç e shihni në vathët e mi. Asnjëherë s’ndihem keq për atë që unë e kam bërë. Si mendoni ju duhet të merret shembull të goditet ambasadorja e Kosovës; çfarë yrneku mund të marrin qytetarët e Kosovës kur njëzet rrugaçë dalin para Parlamentit dhe nuk i lënë deputetët të futën në Parlament për të kryer punën e tyre. Çfarë yrneku mund të merret kur një deputet shkon dhe ia merr migrofonin një kryetari të Parlamentit. Çfarë yrneku mund të merret kur dilet me parulla në Parlament dhe i ndalohet fjala Kryeministrit.

Express: Por, dikush tjetër i përmend skandalin me pasaporta, ikjen e qytetarëve prej Kosovës, gjendjen sociale…

G. Musliu: Mirë, por ne kem duke folur për këpucën. Nëse keni pyetje tjetër edhe për këtë mund të flasim.

Express: Ju po i përmendni veprimet e tjerëve dhe unë po ua përmendi veprimet e qeverisjes aktuale?

G. Musliu: Unë i përmenda të gjitha ato që kanë të bëjnë në lidhje me heqjen e këpucës. Kjo ishte sepse kanë qenë gjithë ato skena që i kanë paraprirë. Nuk dëshiroj sot 15 vjet pasluftës, 6 vjet pas pavarësisë, unë nuk pranoj që të shkoj me njësi speciale në Parlament.

Express: Kush e ka pru në këtë gjendje Kosovën?

G. Musliu: Kush e ka pru këtë gjendje? E kanë pru njerëzit e papërgjegjshëm.

Express: Ku janë ata?

G. Musliu: Pikërisht ata që e kanë bllokuar rrugën janë njerëz të papërgjegjshëm.

Express: Por, a ka ndonjë zyrtarë të papërgjegjshëm në Qeveri ose në Kuvend nga pozita?

G. Musliu: Unë e thash që nuk ka zyrtarë të papërgjegjshëm. Ka qindra që janë të papërgjegjshëm, por nuk është punë e imja që unë t’i gjykoj për përgjegjësitë e tyre. Janë organet kompetente ato.

Express: Po përmendet një Tribunal Europian që do t’i merret me rastet e krimeve të luftës në Kosovë?

G. Musliu: Nuk e njoh dhe nuk dëshiroj të mendoj se do të ekzistoj një diçka e tillë. Edhe sot, edhe kurdo që vjen në Parlament, qoftë këtë mandat, qoftë në mandatin tjetër nëse do të jem deputete do ta refuzoj dhe asnjëherë nuk do t’i them po atij tribunali.

Express: A do të kandidoni përsëri për deputete?

G. Musliu: Mbetet te organet e PDK’së, të cilat merren me kandidaturat dhe vlerësojnë se kam punuar siç duhet në këtë mandat do të më japim edhe një mundësi. Nëse nuk më japin edhe një mundësi ka zgjidhje tjera. Nuk e shoh vetën gjithmonë vetëm në politik. Pak ka rëndësi a do të jem apo jo në mandatin tjetër deputete. Është e rëndësishme që aty ku jam të kryej detyrat dhe të jap kontributin tim.

Express: Është përmendur shumë herë se do të ketë ndryshime në Qeveri. A ka nevojë që të ketë ndryshime në Qeverinë Thaçi II?

G. Musliu: Vetë fakti se siç thash më herët që komunat i kemi humbur- kryetarët e komunave – si parti politike, ajo dëshmon më së miri se ka nevojë me ndryshu. Vetë ndryshimipersonave ose thjesht ndërrimi i disa personave në Qeveri është një freskim nga ana e PDK’së dhe është një ofertë e re për qytetarët.

Express: Ka ndodhur jo pak skandale në Qeverinë aktuale. A është dashur të shkoj dikush në shtëpi për shkak të këtyre veprimeve?

G. Musliu: Të them të drejtën te ne nuk është njëfarë standardi në rend të parë i dorëheqjes morale. Ka pasur shumë raste për të cilat shumë Ministra është dashur të dalin moralisht dhe të thonë se nuk mund të jemi më këtu.

Express: Cili Ministër për shembull?

G. Musliu: Kemi raste.

Express: Pse po frikësoheni të përmendi emra?

G. Musliu: Atë ditë që frikësohem nuk merrem më me politikë.

Express: Cilët Ministra?

G. Musliu: Ka zyrtarë thash.

Express: Por ka pasur skandale dhe s’kemi parë asnjë dorëheqje të asnjë Ministri?

G. Musliu: Me gjithë respektin që unë e kam për Ministrin Ramë Buja, unë mendoj se kish me qenë një burrëri që pas skandaleve që ndodhën në Universitetin e Prishtinës dhe të thotë mirë se edhe unë do të largohem bashkë me anëtarët e Rektoratit dhe i lëshoj rrugë ndryshimeve. Nuk po ia kërkoj dorëheqjen sepse nëse i kërkoj dorëheqjen unë i kërkoj shkarkimin. Për mendimin tim, nëse pacienti të rrinë pesë orë në sallën e kirurgjisë për shkak të mospajtimeve të mjekëve, qysh kanë raportuar mediat, atëherë Ministri i Shëndetësisë duhet të jap dorëheqje.

Express: E rasti i pasaportave, ku 1.4 milion euro u avullan?

G. Musliu: Përderisa nuk ka dalë një verdiktë nga ana e organeve të drejtësisë nuk mund të gjykoj dhe të paragjykoj. Nëse diçka vërtetohet, atëherë mendoj se dorëheqja morale duhet të ndodh edhe aty. Nuk po kërkoj shkarkimin. Kemi duke folur a është dashur të jap dorëheqje dhe unë mendoj se ka pasur hapësirë për një veprim të tillë. Nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm.

Express: Kush tjetër është dashur të jap dorëheqje?

G. Musliu: Boll i thash tre veta.

Express: Tjerë s’po përmend.

G. Musliu: Jo.

Express: Po, Vlora Çitaku a do të duhej të jepte dorëheqje për shkak se liberalizimi i vizave nuk do të ndodh as sivjet?

G. Musliu: Jo. Mendoj se Vlora Çitaku është duke bërë një punë të mirë të saj….

Express: Çka duhet të bëjë Kuvendi me UDB’ashëve për të cilët u tha se ka edhe në Kuvend e Qeveri?

G. Musliu: Në Kosovë është bërë standardë se çka do që t’ju pyetin, ke apo nuk ke kompetentë për atë çështje. Po mendoj se ka njerëz shumë më kompetentë në PDK të cilët duhet të flasin për këtë çështje. Kjo çështje duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë sepse nuk mundet që të vazhdoj me këtë mënyrë ashtu siç po trajtohet sot.

Express: Çka mendoni si deputete, a duhet t’i ngritët Fadil Hoxhës përmendore?

G. Musliu: Nuk kisha dashur të ngritët asnjë përmendore para asaj të Adem Jasharit në Republikën e Kosovës. Ne kemi një shesh të stërmbushur me përmendore por ajo më meritorja nuk është. Nuk dua të merret kjo si lokalizëm sepse Adem Jashari është i të gjithëve. Sa i përket epokës komuniste, unë mendoj se s’kemi nevojë për buste të tilla. Sepse dihet fati i shqiptarëve në kohën e komunizmit. Nuk jam që t’i ngritët një përmendore Fadil Hoxhës. Ata që e kanë marrë vendim le të vlerësojnë dhe të argumentojnë pse kanë vendosur. Pra, jam kundër përmendoreve për komunistët.

Express: E përmendet se nuk keni punët tjetër, por merrni vetëm me punën në Kuvendin e Kosovës. Cili është libri juaj që e keni lexuar.

G. Musliu: (Qeshet).. Për momentin librin që jam duke e lexuar është në gjuhën gjermane sepse përdori edhe literaturë gjermane. Përdori më shumë literaturë më tërheqëse ose thjesht më larg politikës. Libri është Shah Novele Sweig.

Express: Si e shini iniciativën e AAK’së për rrëzimin e Qeverisë?

G. Musliu: Kjo është një iniciativë fantome dhe inekzistente përderisa i kanë vetëm 17 nënshkrime prej120 deputetëve të Parlamentit. Kjo tregon më së miri për iniciativë të tillë. Qeverinë e Kosovës as nuk e ka pru në këtë vend AAK dhe nuk është në gjendje për ta rrëzuar. Sa i përket kësaj iniciative jemi shumë komod. AAK dihet sa deputetë ka në Parlament dhe dihet fuqia që e ka në Kosovë dhe nisma e tyre është më shumë një iluzion i AAK’së ashtu siç ka qenë iluzion për të pasur pozitën e Kryeministrit.

Express: Jeni parë se keni marrë pjesë në ceremoninë e pritjes që kishte organizuar Ambasada e Kosovës në Shqipëri. Aty u tha se Edi Rama u largua për shkak se nuk iu përmend emri. Cila është e vërteta?

G. Musliu: Faktikisht, vlerën festës së pavarësisë të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Shqipëri ia kanë shtuar krerët më të lartë të shtetit të Shqipërisë, në këtë rast Presidenti Nishani, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Parlamentit Ilir Meta… Mund të them se ka qenë një lëshim ndoshta nga Zëvendësambasadori në këtë rast sepse në fjalimin e tij e ka përshëndetur vetëm Presidentin Nishani me emër, ndëras në përgjithëse i ka përshëndetur përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Shqipërisë. Por, nuk i ka përshëndet me emër as Edi Ramën dhe as Ilir Metën. Këtu është bërë një lëshim, ndoshta nga lodhja dhe stresi, por megjithatë nuk janë përshëndetur me emër as Kryeministri dhe as Kryeparlamentari.

Më Shumë

Homazhi për Nijazi Bytyqin rikthen në kujtesë tingujt legjendarë dhe prezanton vlerat muzikore të djemve të tij

Trashëgimia muzikore e Nijazi Bytyqit, njërit prej nismëtarëve të muzikës pop-rock në Kosovë, është shpalosur të premten mbrëma në “Autostrada Hangar 2” në Prizren....

Superliga mbyll fazën vjeshtore, vëmendja te derbi lokal në Suharekë

Sot përfundon faza vjeshtore e Superligës me dy ndeshje kryesore. Në Suharekë zhvillohet derbi lokal mes Ballkanit dhe Suharekës, me fillim në ora 13:00. Në...

Lajmet e Fundit