Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi përmes rrjetit social Facebook ka ftuar qytetarët për një mobilizim, për ta orientuar qeverisjen e vendit me votën, besimin dhe vendimin e tyre.
Ai ka shkruar se Republika e Kosovës nuk e kërkon atë vullnetarizëm që kërkonte dje, sakrificën sublime, vetëflijimin, por se kërkon vullnetarizmin demokratik për të orientuar me votën, besimin dhe vendimin e tyre qeverisjen e vendit në interes të familjeve kosovare.
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e Krasniqit:
Për më shumë se gjashtë dekada, përfaqësues të popullit shqiptar të trojeve të pushtuara nga Serbia/Jugosllavia, kanë luftuar kundër pushtuesit kryesisht për çlirim e bashkim kombëtar mbi bazën e vullnetarizmit, vetorganizimit, vetërrezikimit deri në vetëflijim.
Sigurisht që këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një brez, por kemi të bëjmë me disa breza atdhetaresh që kryeideal të tyre e kishin lirinë, drejtësinë, barazinë dhe bashkimin kombëtar. Këtyre njerëzve idealistë në kohë të ndryshme iu prinë: Hasan Prishtina, Azem e Shotë Galica, Emin Duraku e Zenel Hajdini, Ganimete Terbeshi, Shaban Polluzha, Rifat Berisha, Ramiz Cernica, Fazli Greiçefci, Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu e brezat e tërë të klandestines atdhetare.
Ky atdhetarizëm vetorganizues dhe vetëflijues do të kulmojë me Adem Jasharin – Komandantin Legjendar të UÇK-së dhe i gjithë brezi i dëshmoreve të kombit të luftës çlirimtare që nuk kursyen asgjë për lirinë e dinjitetin tonë, për pavarësinë dhe demokracinë që po e gëzojmë sot.
U ndala vetëm në disa nga majat e vullnetarizmit atdhetar pasi vargu i këtyre vullnetarëve sypatrembur e vizionarë është i pafund. Kryeideal i këtyre luftëtarëve, burrave dhe grave ishte i përqendruar në tri shtylla:
1. Atdheu i lirë.
2. Drejtësia sociale dhe
3. barazia shoqërore.
Këto ideale ishin përcaktuesi më i mirë i bazës se tyre filozofike, ideologjike dhe vizionare të atyre luftëtarëve të mëdhenj të kombit që na bëjnë edhe sot të përkulemi me pietet në nderim të jetës e të veprës se tyre atdhetare.
Sot, Atdheu ynë, Republika e Kosovës, nuk e kërkon atë vullnetarizëm që kërkonte dje sakrificën sublime (vetëflijimin). Sot vendi ynë kërkon vullnetarizmin demokratik të të gjitha moshave dhe gjinive, familjareve të rinj e të vjetër për të orientuar me votën, besimin dhe vendimin e tyre qeverisjen e vendit në interes të familjeve tona, të fëmijëve tanë, në interes të qytetarëve tanë, për një drejtësi e barazi shoqërore.
Qeverisja e mirë, e lirë, e drejtë e demokratike, drejtësia shoqërore ishte aspiratë e brezave atdhetarë, e duhet të jetë qellim imediat i yni. Sot e gjithë kjo varet kryesisht nga ne, varet nga besimi dhe vendimi ynë për të bërë ndryshimin e duhur. Ne, me të drejtë nga brezi i sakrificës dhe i pavarësisë kemi pritur një qeverisje tjetër, pasi kanë sakrifikuar shumë nga jeta e tyre për Kosovën e lirë, të pavarur e demokratike dhe nuk besonim që kaq shpejtë do ta ndërronin pllakën për ta sakrifikuar Kosovën për interesat e tyre meskine.
Por, tani, përgjegjësia dhe mundësia për ndryshime është në mendjen, në duart dhe vendimin e gjeneratës së lirisë e të pavarësisë së Kosovës dhe kjo gjeneratë nuk duhet të hezitojë për t’i bërë ndryshimet e duhura për vete dhe brezat e ardhshëm.
Një ndryshim përmbajtjesor nisi me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe u thellua në balotazhin e 1 dhjetorit 2013. Ndryshimi duhet të thellohet në zgjedhjet nacionale të vitit 2014, por pa e ricikluar atë që e kemi provuar gjatë gjithë këtyre viteve.
Kosova gjatë shekullit të robërisë ka pasur një numër të madh të njerëzve që me një vullnetarizëm të madh kanë luftuar dhe nuk kanë kursyer asgjë për lirinë e Kosovës. Falë atij vullnetarizmi, vendosmërie e gatishmërie për t’i dhënë gjithçka nga jeta e tyre atdheut dhe popullit është çliruar Kosova. Tani gjenerata e re e Republikës së Kosovës, intelektualë e ekspertë të ndryshëm duhet të mobilizohet pa u hezituar për të hapur hulli të reja për shtetin e së drejtës, për zhvillimin ekonomik të vendit, për progresin dhe shtetin e drejtësisë sociale.
Populli i Kosovës, burra e gra, djem e vajza, rini shkollore e studentore, kuadro dhe ekspertë të ndryshëm duhet të binden njëherë e mirë, se fati i tyre nuk mund të zgjidhet nëse ata angazhohen për një vend të punës që ua “dhuron” dikush, nëse ata joshën me premtime e mashtrime, nëse ata shesin votën me ndonjë premtim mashtrues, nga mashtruesit e politikës sonë sot.
Nga qytetari ynë, nga rinia e njerëzit e mrekullueshëm të Kosovës, nga ekspertë e kuadro të ndryshëm, kërkohet një vullnetarizëm për të bërë ndryshime rrënjësore në qeverisjen e Kosovës e cila duhet të krijojë perspektiven për të gjithë. Republika e Kosovës, populli i Kosovës ka nevojë të ngutshme për një vullnetarizmi të ri, një vullnetarizmi për të ndryshuar qeverisjen, një vullnetarizëm për të vendosur sundimin e shtetit të së drejtës në Kosovë, një shtet e një qeveri që pasurinë kombëtare e shfrytëzon për mirëqenien e qytetarëve e të Kosovës.
Kosova tash ka nevojë për një vullnetarizëm të ri për një organizim të ri politik, një organizim progresist që u mungon dhe e kërkojnë qytetarët e Kosovës. Shqiptarët kanë energji pozitive për t’i bërë ndryshimet që i duhen vendit, por energjitë duhet bashkuar në një formacion të ri politik. Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj kanë nevojë për vullnetarizmin e njerëzve që dinë e duan t’ju ndihmojnë ndryshimeve pozitive për shtetin e se drejtës, për zhvillimin dhe përparimin. Këto ndryshime kanë nevojë për drejtësinë e dashurinë e njerëzve të dijshëm. Ndryshimet në Republikën e Kosovës janë në pritje të energjive pozitive të të gjithë brezave, presin vullnetarizmin e njerëzve që dinë, donë dhe i kërkojnë me ngulm ndryshimet që i duhen vendit edhe nëse duhet sakrifikuar shumëçka nga jeta e tyre”, ka shkruar Krasniqi