-0.7 C
Prizren
E enjte, 16 Janar, 2025

Shqipëria duhet defetarizuar

BenBlushi“Dua të tregoj një histori. Që nuk ka ndodhur. Pas 200 vjetësh, pra më 2214, ndoshta Durrësi do e ketë humbur shumicën e bregut të vet. Deti do ketë ardhur shumë thellë, për ta kredhur amfiteatrin antik të Durrësit sërish në errësirë”. Ben Blushi, e nis me këto fjali librin e tij të fundit “Hëna e Shqipërisë”, një esse me ide dhe debate, që përçon një frymë pesimiste mbi të ardhmen e zymtë që duket se na pret. Në fund, një ndër pyetjet që ai shtron është: A mund të jetosh në Shqipëri?

“Do të them se çfarë nuk është ky libër: Nuk është një libër artistik, nuk është një profeci dhe besoj të mos jetë dhe gabim. Jam i sigurtë se këto tre cilësi i ka në mungesë. Kam sjellë këndvështrimin tim për të ardhmen pasi kam lexuar të shkuarën dhe të tashmen”, u shpreh vetë ai, dje në një konferencë për mediat.
Që prej fillimit theksoi se nuk harron që është socialist, porse në këtë rast nuk donte të merrej me politikën aktuale dhe emrat e saj, për ç’arsye i ka shmangur.
“Sado që mund të keni ngasje për ta lidhur shkrimtarin dhe socialistin nuk kam plan t’ju ndjek fare se nuk është kjo rruga. Unë kur shkruaj nuk harroj se jam socialist. Kam pikëpamje të tjera që nuk lidhen me artin e të shkruarit”, u shpreh ai.

Më pas, Blushi sqaroi tri kolonat në të cilat bazohet esseja e librit të tij. “Qëllimet që Shqipëria ka përpara janë: E para, Bashkimi me Europën, -e dyta Bashkimi me Kosovën dhe e treta- Zbutja e Pabarazisë. Janë tri qëllime që mund të kemi ne në të ardhmen e afërt 20 apo 30 vjetët e ardhshëm. Bashkimi me Europën jam e bindur që do të ndodhë çështja është se me çfarë kostosh do të ndodhë. Sigurisht që unë jam nga ata që votoj pro”.
Vetë botuesi i “UET Press” Henri Çili, në fjalën e tij, vërejti se kur lexonte dorëshkrimin e këtij libri disa ngjarje nuk kishin ndodhur akoma, disa parashikime nuk kishin ndodhur, siç është arrestimi i disa shqiptarëve për veprimtari xhihadiste apo propozimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë për legalizimin e Hashashit.

“Kjo, do të thotë se mprehtësia e Blushit për të kapur fenomene të së ardhmes së afërt apo të largët është e jashtëzakonshme”, tha ai.

Ndërsa më herët, e cilësoi atë politikan të rëndësishëm, gazetar, shkrimtar, eseist, një nga mjeshtrat e penës dhe të mendimit në jetën publike dhe politike shqiptare të pas viteve ’90.
Bashkimi
Pika më e debatueshme ishte ajo e bashkimit Shqipëri-Kosovë në një shtet, për të cilën politikani e shkrimtari, ka një ide të qartë.

“Nuk mendoj se e ardhmja e Kosovës rrezikohet si para 10 vjetësh nga serbët ose nga konjukturat ndërkombëtare. Shqiptarët janë popull që kanë marrë koncesionet më të mëdha në këtë shekull sipas meje: Pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin në Nato janë koncesionet më të mëdha që ndërkombëtarët i kanë bërë një vendi që nga Lufta e Dytë Botërore ndoshta”, tha ai, për të vijuar me fjalitë: Nëse bashkimi i Shqipërisë me Kosovën që një ditë në kushte të tjera mund të ndodhë të shtyhet apo vonohet nga diçka, kjo do të ndodhë për shkak të shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë”.

Fetë
Një vend të rëndësishëm në librin e Blushit zë roli i ardhshëm i feve në Shqipëri. “Unë nuk them se fetë janë të padobishme, por them që nuk mund të jenë busull për të orientuar jetën e shumicës së botës. Dhe në qoftë se kjo ndodh, bien pre shoqëritë që janë më të varfra, varfëria na çon në këtë drejtim besoj”, tha ai. Më tej, për ta sqaruar më shumë idenë, vërejti se “Raporti i shtetit me fenë është i qartë, duhet të jetë përcaktuar. Jo në të gjitha rastet është i qartë dhe këtu tek ne. Kam frikë apo dyshoj se në të ardhmen tendenca për të marrë vendime me nuanca të tjera, qoftë edhe politike do jetë më e fortë. Ne habitemi, por Turqia është realitet. Sado e pasur dhe me progres ekonomik, por kjo është relative, ka ardhur në pushtet një parti me theks të fortë fetar e cila sot është ndoshta partia më pak demokratike në këtë zonë të botës ku jetojmë”. Për të, në të ardhmen në vendin tonë të ketë parti me baze fetare. Jo detyrimisht islamike. Blushi theksoi se nuk ka recetë, por nëse europianizimi i Shqipërisë vonohet, mund të vijë një ditë që vonohet më shumë se sa duhet për fat të keq do na çojë eventualisht në këtë rrugë; do na japë mundësi të jetojmë në një shoqëri mbi baza të tjera ku fetë kanë rolin e vet, por nuk janë udhëheqëse.
Në libër Blushi flet për deislamizim të vendit, siç është dekristianizuar Europa. Madje, kritikon edhe vetë kishën për favorizimin ndaj meshkujve, luftën që i shpallte shkencës, e jo vetëm.
“Profecitë”
Blushi e sheh Shqipërinë e pas 100 viteve me pothuaj vetëm 1 milionë banorë, me një numër të madh euroskeptikësh, me parti politike fetare të dëmshme ( madje analizon edhe kreun e ri të Komunitetit Mysliman shqiptar), të rrezikuar nga turqizimi(deri tek policia që është trajnuar atje, sjell edhe një portretizim të Fetullah Gylenit, ndi-kimin e synimet të tij), më të varfër, por nga ana tjetër, parasheh edhe një izolim të tretë të vendit (pas periudhës otomane e asaj komuniste) më së shumti për faj të ‘nënprefektëve’ izolatrikë që të kujtojnë filmin “Koncert në vitin ’36”, këtyre qeverisësve lokalë që Blushi i përshkruan si burra të majmur, të kënaqur me jetën e vet e të ngopur me autoritet. Për autorin e “Hënës së Shqipërisë”, këta “nënprefektë” janë një përzierje mes feudalit oriental e borgjezit kapitalist, shpesh të kthyer në baronë krimi e gjithsesi tejet ndikues në politikë.

E për të ardhur tek kjo, Blushi del kundër politikanëve biznesmenë, megjithëse parasheh që ata gjithnjë e më shumë do shtohen.

Kundër bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, do të dalin as më shumë e as më pak se elitat politike të Kosovës. Arsyet pse, ai i ka numëruar në libër, ashtu sikundër pse Shqipëria do ngulmojë më shumë në këtë bashkim.

Pabarazia do rritet në këndvështrimin e tij, ndërsa pas kësaj ideje Blushi vëren se Shqipëria përfiton çdo vit 500 milionë euro të ardhura nga cannabis sativa. Pa dashur ta inkurajojë, madje ai del kundër legalizimit, jep vetëm shifra dhe analiza.

Më Shumë

Super sfidat gjysmëfinale të Kupës

Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës do të dhurojnë spektakël të basketbollit, ku katër skuadra duan kualifikimin në finalen e madhe. Gjysmëfinalet do të zhvillohen me...

LDK-së në Prizren i bashkohet ish-komandanti i UÇK-së, Nexhmedin Kastrati

Ish-komandanti i UÇK-së, Nexhmedin Kastrati, i është bashkuar LDK-së në Prizren. Ai është mirëpritur nga kryetari i degës së këtij subjekti politik, Driton Selmanaj dhe...

Lajmet e Fundit