Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, vlerëson se ngritja e aktakuzës së re kundër drejtorit të Arsimit, Nexhat Çoçaj, konfirmon se pushtetarët kanë vjedhur edhe në emër të dëshmorëve.
Asamblisti i VV-së, Arbër Rexhaj thotë se aktakuza kundër Nexhat Çoçaj është ngritur tre vjet pas deponimit të kallëzimit penal nga Vetëvendosje!
“Duke pasur para vetes fakte të pamohueshme, pas tre vjetësh të kallëzimit penal të cilin e pata deponuar prej Lëvizjes Vetëvendosje! në prokurori i konfirmohet aktakuza drejtorit të arsimit për keqpërdorimin e mjeteve të “Javës së Remzi Ademajt”, tha Rexhaj.
Sipas tij, ngritja e kësaj aktakuze tregon qartë se pushtetarët e Prizrenit nuk kanë kursyer as emrat e dëshmorëve të kombit për të vjedhur.
“Drejtësi e vonuar. E selektuar. Me konfirmimin e kësaj aktakuze konfirmohet edhe vjedhja e pushtetarëve prizrenas në emër të dëshmorëve të kombit”, tha Rexhaj.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, në gusht të vitit 2012, pat deponuar kallëzim penal pranë Prokurorisë Komunale në Prizren ndaj Nexhat Çoçajt, Drejtor i Arsimit të Komunës së Prizrenit dhe Bekim Thaçit, mësimdhënës. Padia ishte bërë për keqpërdorim të parasë publike.
Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Nexhat Çoçaj dhe Bekim Thaçi u kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm qytetarëve të Komunës së Prizrenit dhe rrjedhimisht kanë kryer disa vepra penale, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas Vetëvendosjes, të apostrofuarit kanë kryer veprat penale: “Shpërdorimi i pozitës zyrtare dhe i autorizimit”, “Përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës”, “Mashtrim në detyrë” dhe “Përdorimi i paautorizuar në detyrë”.
Po sipas saj, këto keqpërdorime kanë ndodhur me rastin e organizimit të “Javës së Remzi Ademajt”, manifestim ky për nder të dëshmorit në vitin 2011.
I gjithë ky keqpërdorim, sipas Vetëvendosjes, kishte ardhur kur më datë 09.03.2011, Drejtoria e Arsimit dhe Shkencës, si pjesë e Administratës Komunale në Prizren, e udhëhequr nga drejtori Nexhat Çoçaj, paraqitën një propozim me të cilin kërkuan nga Kryetari i Komunës së Prizrenit t’ia lejojë shpalljen e tenderit për organizimin dhe shënimin e manifestimit “Java e Remzi Ademajt – Shtigjeve të lirisë”.
Ndërkaq, Vetëvendosje shton se në mbledhjen e mbajtur të datës 15.03.2011, Kryetari i Komunës së bashku drejtorët e Drejtorive Komunale të Prizrenit, shqyrtuan dhe miratuan, propozimin e lartcekur.
“Kurse më datë 29.04.2011, Administrata e Komunale e Prizrenit transferoi në ProCredit Bank në xhirollogari të Bekim Thaçit 12 mijë euro për organizimin dhe shënimin e manifestimit të sipërpërmendur. Po i njëjti, Bekim Thaçi, me datë 06.05.2011 bënë tërheqjen e 3 mijë euro nga xhirollogaria e tij, për të cilat nuk dihet destinimi i shpenzimeve të këtyre mjeteve”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, në të njëjtën datë, Vetëvendosje thotë se Bekim Thaçi ia transferon në formë huazimi paranë publike Nexhat Çoçajt në xhirollogarinë e tij në ProCredit Bank, 9 mijë euro.
Duke marrë parasysh këtë, Vetëvendosje, në bazë të nenit 220 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës i kishte propozuar Prokurorit Publik Komunal që të fillojë hetimin kundër Bekim Thaçit dhe Nexhat Çoçajt, pasi që ekziston dyshim i bazuar se këta kanë kryer veprat penale, duke u mbështetur në provat e paraqitura.
Ndërkaq, Rexhaj thotë se aktakuza e ngritur ndaj Çoçajt, tregon qartë se Vetëvendosje ka pasur të drejtë kur kishte vendosur të deponoi kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prizren./PrizrenPress.com/