13.6 C
Prizren
E enjte, 18 Shtator, 2025

AGK dënon pengimin e gazetarëve nga kryetari i Suharekës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim njoftimin se gazetarët Uran Haxha nga Koha.net dhe Brahim Thaçi nga TherandaPost, janë penguar nga kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj për ta kryer detyrën e tyre.

Sipas ankesës që ka pranuar Asociacioni i Gazetarëve, Kreu i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, përmes zëdhënësit të tij, sot, nuk i ka lejuar dy gazetarët që ta përcjellin konferencën për shtyp të fundvitit, por as të kenë qasje në ndërtesën e komunës, me arsyetimin se nuk e kanë pasqyruar drejt punën në komunë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon këtë akt duke e cilësuar, shkelje flagrante të së drejtës për qasje në informacion dhe në kundërshtim me vlerat e përgjithshme të lirisë së shtypit dhe shprehjes”, thuhet në reagimin e këtij asociacioni.

AGK thekson se gazetarët duhet të jenë të lirë ta ushtrojnë profesionin e tyre dhe të raportojnë objektivisht për gjërat që janë në interes të publikut, pavarësisht nëse lajmi mund të mos i pëlqejë kryetarit të komunës.

“Përpjekja për t’ua imponuar gazetarëve se çfarë të shkruajnë, është tendencë për kontrollin e informatës dhe për mbytjen e fjalës së lirë. Mbyllja dhe jotransparenca në raport me gazetarët, cënon të drejtën e qytetarëve që të jenë të informuar lidhur me menaxhimin e taksave të tyre”, theksohet në reagimin e tij.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës inkurajon kreun e komunës së Suharekës që për çdo pakënaqësi t’i drejtohet organeve kompetente, por assesi t’ua pamundësojë gazetarëve ta kryejnë punën e tyre, pasi kjo paraqet edhe shkelje të të drejtave elementare të njeriut.

Asociacioni inkurajon gazetarët që të mos heqin dorë nga e drejta e tyre për t’i informuar qytetarët për qeverisjen komunale.

Më Shumë

Prizren: Armë pa leje në veturë, policia arreston të dyshuarin

Një aksion rutinë i Policisë së Kosovës ka rezultuar me arrestimin e një personi nën dyshimin për posedim të paautorizuar të armës. " Rreth orës...

20-shi i LDK-së, Fejzë Kabashi, kandidat për Kuvendin e Prizrenit

Ish-drejtori i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit, Fejzë Kabashi, garon me numrin 20 në listën e LDK-së për Kuvendin...

Lajmet e Fundit