24.5 C
Prizren
E shtunë, 15 Mars, 2025

Arrestimet e Speciales ngutin PDK-në për zgjedhje

Turbulencat e fundit që po ndodhin brenda koalicionit aktual qeveritar, deklarimet e shpeshta të disa individëve me ndikim të dukshëm në PDK kundër mënyrës së qeverisjes “Mustafa”, duke përfshirë këtu edhe vetë kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin, sipas analistëve politikë po shihen si zhvillime serioze që mund ta thellojnë përçarjen në koalicion dhe vendi të shkojë shpejt në zgjedhje të reja. Është shumë e pritshme të shkohet ne zgjedhje në pranverën e vitit të ardhshëm, ngase dyshohet se PDK-ja dhe Veseli janë duke kërkuar prapa kuintave mbështetje edhe te ndërkombëtarët që të shkohet në zgjedhje të parakohshme në pranverën e këtij viti. Kjo për faktin se PDK-ja frikësohet nga efekti negativ i prangosjeve nga prokuroret e Gjykatës Speciale.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu konsideron se PDK-ja tani është në momentin kyç kur mund ta shfrytë- zojë avantazhin e prishjes së bllokut opozitar VETËVENDOSJE-AAK-NISMA, prandaj edhe do të kërkojë zgjedhje të shpejta që të dalë parti fituese, mbase në zgjedhjet që mund të ndodhin në pranverën e hershme.

“PDK-ja është gjatë në pushtet dhe kjo natyrshëm zbeh mundësitë e saj për fitore në zgjedhje. Tani është momenti i fundit që falë ‘Vetëvendosjes’ që u nda nga blloku opozitar, PDK-ja ka gjasë që të dalë akoma partia e parë” , tha analisti politik Nexhmedin Spahiu për “Kosova Sot”

Koalicioni i zorit

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, koalicioni i tanishëm PDK-LDK, edhe pse është quajtur si koalicion i madh, e nga disa edhe koalicion i elefantëve, më shumë është një koalicion i zorit sesa i vullnetit të mirëfilltë politik, veçanërisht për LDK-në, dhe ai tani mund të prishet në secilin moment të planifikuar nga PDK-ja, si veprim strategjik që i konvenon këtij subjekti politik për ta ruajtur avancimin e sërishëm në proces të ri zgjedhor.

“Interesat kanë qenë reciproke, PDK-ja për ta marrë Presidencën dhe kreun e Kuvendit, kurse LDK-ja për ta “udhëhequr” Qeverinë dhe duke marrë disa dikastere të rëndësishme. LDK-ja gjithherë kishte qenë kritike ndaj PDK-së, bile një pjesë të votave i kishte fituar duke kritikuar dhe duke u thirrur në kapjen e shtetit, luftimin e krimit, korrupsionit, sundimin e ligjit, dhe vija të kuqë me PDK-në. Nga këto asnjëra nuk ndodhi, u vazhdua dhe po vazhdohet me avazin e njëjtë, ku tash dy partitë e koalicionit e kanë një luftë në mes vete në pretendimin se cila po është më e aftë ta shtrijë rrjetën e vet nëpër institucionet e pavarura”, u shpreh ai.

“Interesat personale, klienteliste e mbajnë gjallë këtë koalicion të zorit, e aq më pak interesat shtetërore e kombëtare. Kjo po dëshmohet çdo ditë se, koalicioni qeverisës, përveçqë është i panatyrshëm, në të njëjtën kohë nuk është i interesuar për zhvillim ekonomik, rritje të mirëqenies qytetare, sundim të ligjit, transparencë, llogaridhënie, konsensus me qytetarë për çështje madhore, por kryekëput për interesa personale e klienteliste me qëllim e vetëm në kapjen përmes rrjetit të tyre klientelist”, tha analisti Hidajet Ahmeti.

Frikë nga Gjykata

Sipas Ahmetit, koalicioni qeverisës do të prishet atëherë kur PDK-ja e sheh që ka arritur interesat partiake dhe ka gjunjëzuar në atë masë LDK-në saqë kurdo që të organizohen zgjedhjet PDK-ja të jetë e pakonkurrencë.

“Jetëgjatësia e koalicionit edhe në të ardhmen do të varet nga PDK-ja. PDK-ja gjithherë ka ditur dhe me vigjilencë të plotë po menaxhon situatat politike. Në rastet e koalicioneve, PDK-ja bën kalkulime largpamëse, e cila mban elektoratin e vet, kurse çdoherë ka ditur t’i djegë partnerët e koalicionit. Në këtë rast, PDK-ja është në ofensivë, kurse LDK-ja në të kundërtën. Prandaj, LDK-së në këtë kohë nuk i shkon për shtati prishja e koalicionit qeverisës, sepse kurdo që do të mbahen zgjedhjet, LDK-ja do pësojë debakël”, tha Ahmeti për “Kosova Sot”.

Ai gjithashtu ka pohuar se PDK-ja përmes deklaratave të eksponentëve të saj po jep shenja së është e gatshme për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, në njërën anë, edhe nëse fillimi i Gjykatës Speciale do të godasë kokat që kanë autoritet brenda PDK-së, kurse në anën tjetër janë disa ndryshime që kanë ndodhur në udhëheqjen e PDK-së, prandaj zgjedhjet shihen afër.

“Prandaj, PDK-ja me çdo kusht do të mundohet që vendin ta çojë në zgjedhje të jashtëzakonshme shkaku i frikës nga Gjykata Speciale”, tha Hidajet Ahmeti. /Kosova Sot/

Më Shumë

Ylli siguron fitore jetike ndaj kampionit Trepça

Golden Eagle Ylli shënoi fitore shumë të rëndësishme ndaj kampiones së Kosovës, Trepçës me rezultat 82:74 (24:20, 22:17, 17:18, 19:19), në javën e 23-të...

TikTok mbyllet në Shqipëri sot

TikTok do të mbyllet në Shqipëri sot, ndërsa sipas shifrave, përdoruesit shqiptarë në këtë aplikacion, llogariten në 1.5 milion. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në...

Lajmet e Fundit