Kualifikimi i tentim-vrasjes së Azem Vllasit si hakmarrje politike, dhe rreziku që mund t’i kanoset Kosovës nga shtimi eventual i akteve të tilla, duke ndjekur për vetëgjyqësi individët e ndryshëm, njerëzit me hipotekë politike nga e kaluara, sipas analistëve politikë dhe ekspertëve të ndryshëm, do të ishte një shkatërrim masiv dhe i rrezikshëm i imazhi edhe ashtu i rrënuar të shtetit të ri të Kosovës.
Rasti i Vllasit konsiderohet se edhe mund të mos jetë një rast i izoluar, sepse shihet qartë se aty ka grupe që përgatiten për atentate të tilla kundër njerëzve të politikës ne përgjithësi , por edhe kësaj aktuale në pushtet. Ndërkohë, duket befasues edhe veprimi i shpejtë i institucioneve tona që ta zbulojnë aq shpejt rastin e Vllasit, derisa akoma janë me dhjetëra vrasje politike të pasluftës që po mbesin enigmë dhe të pasqaruara. Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj thotë se zbulimi i shpejtë i tentim-vrasjes ndaj Vllasit është një dëshmi se vrasjet politike mund të zbardhen lehtë, porse realisht nuk është vepruar dhe nuk po veprohet akoma. “Në fakt, jam plotësisht i bindur se të gjithë kryesit e vrasjeve politike dihen, por organet e zbulimit dhe të ndjekjes i mbajnë qëllimisht të pandriçuara,sepse vetë urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit janë njerëz me ndikim në strukturat e drejtësisë. Pra, lufta e vërtetë në organet e drejtësisë po bëhet që të mos ndriçohen këto vrasje politike”, ka potencuar Salihaj.
Akte të rrezikshme për stabilitetin
Njohësi i së drejtës, Blerim Burjani thotë se kjo çështje është e policisë dhe shërbimit të inteligjencës për t’u marrë dhe për këto pyetje të ngritura duhet t’i kërkohet përgjigje organeve të rendit. “Këto akte janë të rrezikshme dhe për to duhet të ketë përgjigje policia e shtetit, duhet të përforcohen mekanizmat e sigurisë, pra një vetëdijesim më i madhe i organeve të rendit dhe shërbimit të inteligjencës në këtë situatë është tepër i domosdoshëm”, theksoi analisti Burjani. Analisti politik, Nexhmedin Spahiu thotë se vërtet nuk do shumë mend për të konstatuar se atentati ndaj Azem Vllasit ishte politik, por adresa e organizimit është vështirë të paragjykohet. “Shtosi me njeri me probleme psikike nuk shitet.
Është veprim i organizuar. Zbardhja e këtij rasti që do të na shpinte tek porositësi do të ishte sukses për shtetin e Kosovës dhe institucionet e tij. Mbyllja e këtij rasti si një incident psikik, do të na jepte një element të rëndë- sishëm në analizë se kush mund të jetë porositësi, por do të ishte një fakt dëshpërues i krimit brenda institucioneve të Kosovës”, tha Spahiu për “Kosova Sot”. Ai shton më tutje se veprimtaria politike e Azem Vllasit është në kuadër të oportunitetit politik të kohës me ndonjë gabim tek e tuk, por në fund të fundit me një taban të shquar patriotik shumë më të denjë se ai i marksist-leninistëve të Kosovës