11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Balotazhi

Krasniqi-Jakup5-21

Shkruan: Jakup Krasniqi

Në këto zgjedhje kemi fituar në sajë të një pune në emër të Partisë Demokratike të Kosovës duke u angazhuar me kapacitete jo të plota, me mundësi jo të barabarta veprimi, me qëllime ndoshta edhe anatemimi. Të paangazhuarit duke qenë të pakënaqur me shumë vendime e qëndrime, ata do te zgjedhin unitetin e heshtjes apo unitetin e rrejshëm.
Çështja është pse PDK-ja nuk ka funksionuar si duhet, a ka edhe diçka tjetër apo pse organet drejtuese të saj veç kryetarit nuk kanë funksionuar, nuk janë pyetur për asgjë. A mundin këto organe të zgjedhura të funksiononin pa i ushtruar kompetencat statutare? Pse ata, vetëm sa ia kanë mbajtur ison vendimeve të kryetarit? Bëhej kjo pse kishin besim të patundshëm në kryetarin apo s’i pyeste kush për asgjë? Pse fushata ka qenë e përqendruar te disa grupe joformale, jashtë çdo vendimmarrje, individ që nuk mund të shquheshin për ndonjë organizim politik si ishin zgjedhjet dhe nuk gëzonin asnjë ndikim dhe autoritet, bile as në familjet e tyre.
PDK votat i ka nga UÇK, nga Lëvizja Kombëtare (ilegalja), nga veprimtarët politikë e disa intelektualë që e kanë parë interesin e tyre dhe të kombit në kuadër të partisë sonë. Nga veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare kemi një shkëputje të lehtë (duke afruar individë me të kaluar të dyshimtë), që në të ardhmen nuk mund të jetë e papasojë për numrat e PDK-së në zgjedhje. Edhe puna e kompanisë amerikane në dy palë zgjedhjet e fundit duhet analizuar me kujdes pasi mendoj se nuk ka sjellë ndonjë rezultat që do ta arsyetonte punën e saj edhe më tej. Në zgjedhjet e fundit kemi pasur edhe humbje, keni parasysh rezultatin e zgjedhjeve në Prishtinë.
Në këto zgjedhje Kryesia dhe KD i PDK-së kanë heshtur, nuk i kanë marrë vendimet ose i kanë marrë vendimet pa asnjë debat dhe pa përfillur procedurat statutare, por kjo heshtje qoftë edhe miratimi në heshtje nuk i amniston nga përgjegjësia dhe mungesa e demokracisë së brendshme asnjërin nga ne. Natyrisht përgjegjësia e ka edhe hierarkinë e saj. Organizimi ynë bazën fillestare e ka të idealizmi i lirisë dhe i pavarësisë, kjo fazë duket sheshit se u tejkalua, tani është koha e vlerësimit të meritave e përvojës politike e praktike të organizimit, mbi bazën e interesave të përcaktuar qartë, të kapaciteteve politike, intelektuale e profesionale qe i ka secili nga ne që i vumë dhe i avancuam themelet e kësaj partie ku investuam gjithë kapitalin tonë jetësor, politik, intelektual, kombëtar e moral.
Shumë avancime të njerëzve që janë bërë në qeveri janë bërë pa merita politike, intelektuale, kombëtare e profesionale?!! Avancimi i gjeneratave të reja po, por ajo nuk po ndodh mbi bazën e vlerave intelektuale, politike, profesionale, kombëtare e morale që kanë shumë të rinj në Kosovën e sotme. Njoh shumë të rinj anëtarë të PDK-së nga fillimi, që kanë kapacitet të lartë intelektual, politik, kombëtar e profesional që jo vetëm u duhen institucioneve të Kosovës sot, por do ta avanconin shumë punën e tyre, kualitetin dhe përgjegjësin e punës në këto institucione, por këta e ndonjë tjetër që kanë mendimin e tyre, nuk i sheh të avancohen, ndërsa avancohen butaket e padinjitet.
Këtyre njerëzve të devotshëm të partisë nuk po u lëmë hapësirë veprime pse ishin me ne kur disa dje na shanin dhe etiketonin me gjithfarë epitetesh e sot i hasim kudo rreth nesh. Unë po i frikësohem kësaj politike “praktike” që na është bërë modë mendimi e veprimi – të shkëputjes nga baza e jonë mbështetëse e zgjedhore.
Të them edhe ketë, humbjen duhet parë si një rezultat të heshtur të të pakënaqurve në organet e partisë, nëse këta të heshtur bëhen të zëshëm nesër, humbja do të jetë më e thellë, diçka të ngjashëm me LDK e vitit 2007. Konsideroj se duhet të kthjellemi duke qenë të bindur se askujt nuk i mjafton vetvetja. Gjatë këtyre viteve të disa njerëz me përgjegjësi politike në parti ka qenë e shfaqur tepër dukshëm tendenca për t’i penguar prurjet e reja e sidomos për çdo njërin që e kanë konsideruar si konkurrent në jetën politike. Njerëzit me autoritet politik, intelektual e ekspertë nuk janë parë dhe ende nuk shihen si një përparësi për partin, shihen si pengesë për këta karrieristë miopë.
Kjo gjendje na obligon të mendojmë për shpejtimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe si kohë më e mirë do të ishte pjesa e parë e vitit 2010. Kjo kërkon një analizë ndoshta më serioze. Por sigurisht që duhet të mendojmë shumë për zgjedhjet e kuadrove në organet e PDK-së. Për kuadro të mirë e të devotshëm duhet një angazhim edhe I organit drejtues të partisë demokratike – Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë së PDK-së.
Zgjedhjet për Asambletë Komunale duhet parë si zgjedhjet më të këqija të mundshme si për qytetarët ashtu edhe partinë tonë. Nuk e di si është kjo te partitë e tjera, por në partinë tonë në shumë degë janë zgjedhur kuadrot më jo meritoret e më matrapazët e mundshëm.
Kuadro që nuk vlejnë asgjë e të pa nivel. Ky sistem proporcional me lista të hapura e çdo qytetar një votë duhet të pengohet në të ardhmen me çdo kusht. Ky sistem ku matrapazët, e kam fjalën për komisionarët dhe vëzhguesit në vendvotime që bëjnë punën e tyre të ndyrë duhet ndryshuar ose duhet mbyllur listat. Ky sistem është me e eliminuar Çdo vlerë politike, intelektuale, profesionale dhe etike. Ky sistem nuk prodhon vlera. Ky sistem për njerëzit e ndershëm, që nuk bëjnë garë brenda partisë, përgatitë humbjen finale të partisë sonë. Zgjedhjeve duhet me ju bërë një analizë të shumanshme.

Zgjedhjet e balotazhit

Zgjedhjet e balotazhit nuk mund të themi se janë të pa suksesshme për PDK, por sigurisht që kërkojnë një analizë të plotë e të gjithanshme. Porosia e parë që duhet ta marrim është: duhet t’i kthehemi punës kolektive të organeve drejtuese të partisë; duhet analizuar punën e kompanisë që dy vjet ka eliminuar nga funksionimi strukturat e partisë, duhet parë dëmin që kjo Kompani i ka sjellë PDK-së në këto zgjedhje.
Çështje tjetër që duhet parë është fakti se me raporte të çrregulluara, siç ishte rasti i Prizrenit dhe i Gjilanit nuk mund të fitohet dhe duhet parë së, shkëputja e njerëzve me ndikim siç ishte rasti i Hanit të Elezit, mund të shkaktojë dhimbje, nëse jo më shumë për partinë tonë. Nëse arrijmë t’i nxjerrim mësimet e duhura nga këto zgjedhje, mund të kemi perspektiv edhe në të ardhmen. Duhet të mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, të cilat duhet të mbahen në vitin 2010. Me këtë formë të qeverisjes deri në fund të vitit 2011, zgjedhjet e vitit 2011 I rrezikojmë seriozisht. Unë, me këtë formë të qeverisjes, me këtë performancë që po tregojmë, nuk pres që do të kemi ndonjë raport pozitiv në qeverisje.

Të përfundojmë: është domosdoshmëri që organeve të partisë t’u kthehet autoriteti statutor, konkurrenca, përvoja jetësore e praktike, debati dhe vendimmarrja se vetëm kështu u zgjatet jeta sukseseve tona në qeverisjen e vendit.

Më Shumë

Vetëm 12 minuta lojë, Vedat Muriqi realizon gol ndaj Cadizit

Vedat Muriqi ka vazhduar shkëlqimin në La Liga, teksa ka realizuar gol në sfidën Cadiz – Mallorca. Vetëm 12 minuta iu deshën sulmuesit kosovar për...

DJ me nam ndërkombëtar Black Coffee, pjesë e Sunny Hill Festival

Këtë vit, dyfish më shumë artistë të mëdhenj ndërkombëtar e vendorë do ngjiten në skenat e Sunny Hill Festival. Në edicionin që do të jetë...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit