13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Demaçi: Ndarja brina s’ka

Adem DemaciAdem Demaçi thotë se Fatmir Limaj tashmë ka nisur rrugën e vet në politikë. Ai mendon se ndarja tashmë ka ndodhur, për ata që kanë veshë dhe dëgjojnë jehonën e tupanit që po rrah. Fjala formale, sipas tij, nuk ka rëndësi në këtë rast.

Adem Demaçi thotë se mesazhi që ka dhënë Fatmir Limaj nga Malisheva është shumë i qartë.

Përveç si ndarje, ajo nuk ka si të kuptohet ndryshe.

Veprimtari i çështjes kombëtare, në një bisedë për lajmi.net thotë se Fatmir Limaj tashmë ka nisur rrugën e vet në politikë, për të cilën e ardhmja do të tregojë nëse ka vepruar mirë, ose keq.

“Çdo njeri ka të drejtë të vendosë vetë për fatin e tij. Ka të drejtë edhe të ecë një rruge, ta lërë atë rrugë, të fillojë një rrugë tjetër. Nëse është fjala për politikë apo për çfardo qoftë. Kështu që, në këtë prizëm unë e shoh si shfaqje të vullnetit të vet”, thotë Demaçi.

“Zotëria po mendon që është më mirë që të bashkohet me atë Iniciativën Qytetare që ka lindur, por edhe me Iniciativat tjera që po krijohen në Kosovë. Nuk ka asgjë të keqe si qytetar. E tash, sa do t’i bjerë mirë, ose sa do t’i bjerë keq, e ardhmja do ta tregojë”.

Adem Demaçi thotë se ndarja ka ndodhur, për ata që kanë veshë dhe dëgjojnë jehonën e tupanit që po rrah.

“Ai që ka veshë e dëgjon tupanin. E tupani po dëgjohet. Derisa ai i thërret qytetarët që të bashkohen me këto Iniciativa Qytetare edhe në qytetet tjera, jo vetëm në Malishevë, dhe përderisa thotë se do të jetë me ta dhe pas tyre – ky është largimi”.

“Mendoj që fjala formale nuk ka rëndësi në këtë rast, por ka rëndësi vetë fakti që ai është dakord me një lëvizje të tillë. Është i gatshëm të qëndrojë prapa asaj lëvizjeje dhe kjo tregon që ky Zotëri do të fillojë një rrugë të veten”.

“E ardhmja do të tregojë se sa është me vend dhe sa është e saktë. Më duket se formalisht ai është shkëputur nga PDK”.

Fatmir Limaj, të hënën, në tubimin e mbajtur në Malishevë, nuk u deklarua deri në fund për largimin e tij nga PDK. Ai doli në përkrahje të Iniciativës Qytetare në Malishevë, por nuk i tha “lamtumirë” partisë.

Për Demaçin, Limaj me përkrahjen e Iniciativave Qytetare i ka shkuar deri në fund ndarjes.

“Me fjalimin e djeshëm që ka mbajtur, unë mendoj që deri në fund i ka shkuar ndarjes. Përderisa ai thërret që të organizohen njerëzit prapa kësaj iniciative qytetare, dhe se ai do të jetë me ta, kjo është që t’i shkojë deri në fund. Me brina nuk është ajo që t’i shkojë deri në fund”.

Previous article
Next article

Më Shumë

Lajmet e Fundit