11.6 C
Prizren
E enjte, 5 Shkurt, 2026

Biblioteka e Prizrenit kremtoi jubileun e 80-të

Të premten, me një manifestim kulturor, është shënuar jubileu i 80-të i themelimit të Bibliotekës Ndërkomunale të Prizrenit. Kjo bibliotekë, më e vjetra në Kosovë, festoi përvjetorin e saj me një ngjarje të veçantë në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, drejtoresha e Bibliotekës, Sahadete Sadikaj-Kukaj, theksoi se ky përvjetor është një mundësi për t’u angazhuar edhe më shumë në ngritjen e këtij institucioni si një qendër të dijes dhe inovacionit. Ajo shprehu angazhimin për të vazhduar zhvillimin e bibliotekës, duke e shndërruar atë në një udhërrëfyes të dijes për brezat e ardhshëm.

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, dhe drejtori për Kulturë, Rini e Sport, Adem Morina, lavdëruan punën dhe kontributin e Bibliotekës Ndërkomunale të Prizrenit. Ata nënvizuan se kjo bibliotekë, bashkë me institucionet e tjera kulturore, do të jetë në fokus të veçantë nga ana e Komunës së Prizrenit, duke u mundësuar mbështetje dhe zhvillim të mëtejshëm.

Dekani i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti”, Xhafer Beqiraj, foli për rëndësinë historike të Bibliotekës së Prizrenit, e cila gjatë dekadave ka qenë një tempull i dijes, duke shërbyer si një dritare dhe burim i kulturës, arsimit dhe zhvillimit intelektual për komunitetin. Ai e përshkroi bibliotekën si një institucion që ka lënë një ndikim të thellë në historinë kulturore të qytetit.

Në kuadër të këtij përvjetori, u promovua libri i 27-të me radhë i Bibliotekës Ndërkomunale të Prizrenit, i titulluar “Vargjet e 80 vjetorit”, që përmban poezi dhe prozë nga shumë krijues letrar. Pjesë e këtij manifestimi ishin edhe paraqitjet muzikore të dy profesoreshave të muzikës, Kaltrina Krasniqi-Marseli dhe Alma Lleshi-Maculla, si dhe një interpretim vallëzimi nga anëtarët e rinj të ShKU “Agimi”.

Ky aktivitet ka shërbyer si një hap i rëndësishëm për të reflektuar mbi arritjet e Bibliotekës Ndërkomunale të Prizrenit dhe për të nderuar trashëgiminë e saj të pasur kulturore.

/TV Prizreni/

Më Shumë

‘Një ekip, një qytet, një qëllim’: Bashkimi i Prizrenit pret Sigal Prishtinën në gjysmëfinale

Bashkimi i Prizrenit do të presë të mërkurën në palestrën “Sezai Surroi”, me fillim nga ora 18:45, skuadrën e Sigal Prishtinës në ndeshjen e...

Dislokimi i largpërçuesve në Prizren, punimet shtrihen drejt lagjes “Ortakoll”

Në Prizren po vazhdojnë punimet për dislokimin e largpërçuesve, në kuadër të projekteve për modernizimin e infrastrukturës energjetike të qytetit. Pas largimit të shtyllave...

Lajmet e Fundit