0.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Bislim Zyrapi po dëshmon në gjykimin e Fatmir Limajt

Në gjykimin e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, i cili akuzohet për krime lufte, dëshmi është duke dhënë Bislim Zyrapi.

Gjatë kohës së luftës, Zyrapi ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Dëshmitari Zyrapi ka folur për rolin që ka pasur Jakup Krasniqi.

“Jakup Krasniqi nga muaji qershor deri në nëntor 1998 ka qenë zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Nga muaji nëntor, me ristrukturimin e Shtabit, është emëruar zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm për çështje politike. Roli i tij si zëdhënës ka qenë të informojë opinionin për rrjedhat e UÇK-së. Nuk kam dijeni nëse ai ka qenë përgjegjës edhe për lëshimin e komunikatave. Nuk mund të them as po as jo. Nuk ka qenë përgjegjësi e imja”, tha Bislim Zyrapi para trupit gjykues në Gjykatën e Gjakovës.

Dëshmitari tha se për shkak të punës dhe lëvizjeve të tij nuk ka pasur mundësi t’i shohë komunikatat.

Ndërsa, pasi e shikoi komunikatën që ia ofroi prokurori, Zyrapi tha se nuk mund ta dinte a është lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Nuk kam qenë në këtë periudhë kohore në Kosovë. Unë nuk kam dëgjuar gjatë kësaj periudhe për vrasjen e Selman Binishit dhe Ramiz Hoxhes”, tha ai.

Dëshmitari më tej tregoi për pozitën që ai ka pasur gjatë kohës së luftës. Lidhur me këtë tha se nga fillimi i muajit qershor e deri në korrik 1998 ka qenë oficer për zhvillim dhe profesionalizim në kuadër të drejtorisë operative të Shtabit të Përgjithshëm. Ndërsa, nga korriku deri në nëntor 1998 ka qenë drejtor i drejtorisë operative të Shtabit të Përgjithshëm, e nga nëntori deri në prill 1999 shef i Shtabit te Përgjithshëm.

Zyrapi tha se në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm nuk ka pasur sektor për eliminimin e kolaboracionistëve dhe nuk ka pasur polici sekrete. “Ka pasur veç Polici Ushtarake”, shtoi ai.

Bislim Zyrapi e ka përfunduar dëshminë e tij.

Në gjykimin e Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, gjatë ditës së sotme dëshmoi edhe ish-anëtari tjetër i Shtabit të Përgjithshëm, Rexhep Selimi.

Për komunikatën që merrte përgjegjësinë për vrasjen e këtyre dy civilëve më 2 tetor 1998, Selimi tha se përmban shumë pasaktësi dhe se nuk e di se kush e ka lëshuar atë.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në nëntor të vitit të kaluar shfaqi hulumtimin në dy vazhdime në të cilin familjarë të viktimave që u morën në Bellanicë në vitin 1998 treguan se si ndodhi ky rast.

Më Shumë

Policia shqiptoi 2039 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 2039 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Gjesti lë shtëpinë, niset me urgjencë për spital

Gjesti është larguar përkohësisht nga shtëpia e Big Brother VIP Albania. Kjo pasi Gerta Gixhari gjatë festës në shtëpi i hedh dy herë alkool Gjestit...

Lajmet e Fundit