5.8 C
Prizren
E premte, 7 Tetor, 2022

Bislim Zyrapi po dëshmon në gjykimin e Fatmir Limajt

Në gjykimin e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, i cili akuzohet për krime lufte, dëshmi është duke dhënë Bislim Zyrapi.

Gjatë kohës së luftës, Zyrapi ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Dëshmitari Zyrapi ka folur për rolin që ka pasur Jakup Krasniqi.

“Jakup Krasniqi nga muaji qershor deri në nëntor 1998 ka qenë zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Nga muaji nëntor, me ristrukturimin e Shtabit, është emëruar zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm për çështje politike. Roli i tij si zëdhënës ka qenë të informojë opinionin për rrjedhat e UÇK-së. Nuk kam dijeni nëse ai ka qenë përgjegjës edhe për lëshimin e komunikatave. Nuk mund të them as po as jo. Nuk ka qenë përgjegjësi e imja”, tha Bislim Zyrapi para trupit gjykues në Gjykatën e Gjakovës.

Dëshmitari tha se për shkak të punës dhe lëvizjeve të tij nuk ka pasur mundësi t’i shohë komunikatat.

Ndërsa, pasi e shikoi komunikatën që ia ofroi prokurori, Zyrapi tha se nuk mund ta dinte a është lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Nuk kam qenë në këtë periudhë kohore në Kosovë. Unë nuk kam dëgjuar gjatë kësaj periudhe për vrasjen e Selman Binishit dhe Ramiz Hoxhes”, tha ai.

Dëshmitari më tej tregoi për pozitën që ai ka pasur gjatë kohës së luftës. Lidhur me këtë tha se nga fillimi i muajit qershor e deri në korrik 1998 ka qenë oficer për zhvillim dhe profesionalizim në kuadër të drejtorisë operative të Shtabit të Përgjithshëm. Ndërsa, nga korriku deri në nëntor 1998 ka qenë drejtor i drejtorisë operative të Shtabit të Përgjithshëm, e nga nëntori deri në prill 1999 shef i Shtabit te Përgjithshëm.

Zyrapi tha se në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm nuk ka pasur sektor për eliminimin e kolaboracionistëve dhe nuk ka pasur polici sekrete. “Ka pasur veç Polici Ushtarake”, shtoi ai.

Bislim Zyrapi e ka përfunduar dëshminë e tij.

Në gjykimin e Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, gjatë ditës së sotme dëshmoi edhe ish-anëtari tjetër i Shtabit të Përgjithshëm, Rexhep Selimi.

Për komunikatën që merrte përgjegjësinë për vrasjen e këtyre dy civilëve më 2 tetor 1998, Selimi tha se përmban shumë pasaktësi dhe se nuk e di se kush e ka lëshuar atë.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në nëntor të vitit të kaluar shfaqi hulumtimin në dy vazhdime në të cilin familjarë të viktimave që u morën në Bellanicë në vitin 1998 treguan se si ndodhi ky rast.

Më Shumë

Drejtoresha e Arsimit në Prizren mbanë sot konferencë për media

Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj, mbanë sot konferencë për media. Konferenca mbahet në orën 15:30, në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prizren. Konferenca mbahet...

Moti sot, mëngjes i freskët, temperatura maksimale 23 gradë

Sot mbi vendin tonë do të mbretëron mot relativisht i qetë, por gjatë ditës parashihet të ketë vranësira të cilat vende-vende parashihen të sjellin...

Lajmet e Fundit