11.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Çehovi i tha lamtumirë Tolstoit

Tolstoi do të ndjekë kursin e vardisjes, ndërsa Çehovi do të bëjë avokatin e ndjenjave! Është një mal situatash – intrigash që do të shtresohen në damarët e rrjedhës së përgjithshme dramaturgjike e dramatike të komedisë së Miro Gavran, “Çehovi i tha lamtumirë Tolstoit”.

Në tryezën e Tolstoit, njëherësh në tavën e kuzhinës së tij do të piqet e digjet kultura familjare dhe ajo letrare, meqë në pjatën e drunjtë do të serviren dy emra të mëdhenj të letrave. Personazhet e Gavranit me thikë e pirun do ngacmojnë ndjenjat, qofshin ato format mashtrimi ose shkarkim reputacionesh.

Çehovi shfaqet në konakun e Tolstoit për të detektuar e dëshmuar frekuencat e tij njerëzore e artistike para mjekrës së një shkrimtari të madh. Intriga do niset me një duel libri, ku do të thureshin bëmat e Tolstojit nga Çehovi, megjithëse rakia do të bëhet sherr dramaturgjik.

Teksti si format vjen si kontekst sarkastik në raport me idenë, tematikën me karakterin e personazheve, sidomos me rrethanat ku ato manovrojnë njëherësh me elaborimin fabular që çon deri në skajet e një komedie situatash. Rrjedha e lëngët e dramës e zhyt vrojtuesin në thellësitë e oqeanit meditativ, i jep mundësi notimi në sensin intrigues gjersa humori i holluar përshfaqet arsyeshëm përgjatë përecjes dramaturgjike.

Dueli në mes të dramaturgut – Çehov dhe shkrimtarit të kopertinave të trasha, Tolstoi, është intriga bazë përkrah idesë, temës dhe arsyes si shtytje atakuese mes dy kolosëve. Nëntekst i dramës janë gratë, si pika më cinike e dramës.

Në darkën e përvjetorit të familjes Tolstoi nga një kontekst ideor do të shpërfaqet intimiteti familjar, ku do përjashtohej mermeri ose monumentaliteti i tyre. Paprekshmërinë e tyre autori do e zhvoshë – demitizojë nga misri i kultit hyjnor për të kuptuar se kjo kategori shoqërore janë dhe njerëz para së gjithash, kanë cilësi njerëzore, sikundër që mund të kenë ndjenjën e mashtrimit në xhepat e tyre mendorë, ose në gjestet e tyre, siç është dëfrimi dhe aferat korruptive para grave.

Lartmadhëria është argument ofertimi ose ngacmimi përderisa intriga do të ishte këmishë respektivisht kopertinë librash në rrethana konaku. Shkrimtarëve të mëdhenj, sipas autorit të dramës iu ka hije nëse flenë me gra të tjera në një natë festive.

Autori përshkallëzon edhe të mëdhenjtë, bën pazare me përqindje, duke vjellë çdo dëshirë e humbëtirë, çdo ndërskamcë e vardisje. Mbase alkooli del të jetë “sherbet“ konfliktesh mes çiftesh dhe në çifte. Autori do ironizojë deri në përtejlogjikë me personazhet klasike botërore, me vlerat e murosura të tyre në heronj të paprekshëm.

Bislim Muçaj, aktor me shije, me diapazon, me intuitë, me pamje, me stil, me eksperiencë teatri e filmi. Valixhja e tij në perspektivë në vetvete mban aq shumë role, aq histori, aq shumë leverdi për kujtesën tonë. Roli i Tolstoit është edhe një histori më shumë për të. Pra, semiologjia skenike e aktorit në fjalë është frymëzim jetik për kulturën e të bërit dhe dhuruarit art për teatër.

Zeta Bahtiri – Gimolli, në rolin e gruas së Tolstoit, është figura qendrore e dramës e cila ndërlidhet ngushtësisht me mendësinë e familjes aristokratike femërore ruse. Imazhi i saj, nuri i saj, buzëqeshja dhe cinizmi i skajshëm i saj, drama e brendshme që buron gjithëkohës energji. Veprimet dhe gjestet e saj në kuptimin e mendimit përkatësisht balancit të përgjithshëm dramatik e bëjnë qenësore për rrugëtimin dhe manovrimin e saj artistik këtu dhe në perspektiv.

Dukagjin Podrimja, në rolin e Çehovit, manovron siguri të theksuar, diksion dhe akcent imponues në raport me plasimin, me bindjen për atë që bartë në mendje e mbi supe. Reflekton siguri brenda karakterit ose modelit që ai justifikueshëm e mbron duke i dhënë dimension sa artistik po kaq njerëzor.

Semira Latifi dëshmon dhe verifikon paraqitje të sigurt në valët ë rrugëtimit të saj qoftë nga paraqitja fizike, qoftë si mendësi psikike dhe si diapazon interpretativ. Ajo është në fazën e ndërtimit të fizionomisë skenike, udhët e përcaktimit do e qojnë drejtë dëshirave dhe ambicieve të saj jetësore. Mbase, ky ekip interpretësh, janë galeri e qëlluar në kuptimin e ndërtimit të marrëdhënies, funksionimit dhe respektimit të njërit ose aktorit tjetër.

Delikatesa e gjithë kësaj platforme skenike është regjia. Sevdije Ajeti, regjisore e shfaqjes, gradualisht është duke dëshmuar pjekuri regjisoriale brenda mureve të teatrit vendor. Ajo është duke reflektuar thjeshtësi skenike, mbase është format i regjisores me guxim të theksuar përderisa brenda kësaj shfaqjeje në kuptimin vertikal di të kryqëzoj ide, gjetje, botëkuptime dhe kreativitet skenik.

Figurat madhore i kishte zhveshur nga petku i patkonjve të fortë dhe të paprekur, duke i dizajnuar në heronj të rëndomtë. Madhërinë e kalkulon brenda matematikës së llogaridhënies. Shfaqja ishte mes leximit tekstual dhe modelimit të karaktereve dhe mizanskenës të cilat projektojnë finale të dëshirueshme. Shfaqja është prodhim i “OJQ – Euro Balkan Institute“ dhe do të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 5 prill.

*Naser Shatrolli (Autori është dramaturg, skenarist, kritik)

Më Shumë

Ylli sot pret Trepçën në ndeshjen e dytë finale

Sot zhvillohet përballja e dytë finale e “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës. Ylli synon titullin e kampionit, që do...

Moti sot: I vranët dhe vende-vende me riga shiu, temperaturat deri në 21 gradë Celsius

Gjatë ditës së sotme, moti në Kosovë do të jetë i vranët dhe vende-vende me riga shiu. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do...

Lajmet e Fundit