Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe Angelika Viets, ambasadore e Gjermanisë në Kosovë morën pjesë në ceremoninë e certifikimit te 60 pjesëmarrësve të trajnuar për menaxhim, komunikim dhe udhëheqje ne fushën e arsimit ne Kosovë.
Bajrami në fjalën e rastit falënderoi shtetin Gjerman, që përfaqësohet në Kosovë nga ambasadorja Angelika Viets, për ndihmën e pakursyer në zhvillimin gjithëpërfshirës të Kosovës dhe në veçanti përkrahjen në fushën e arsimit fillor përmes projektit CDBE te GIZ. Ministri ftoi shtetin gjerman që edhe më tutje të mbështesin sektorin e arsimit fillor në Kosovë, duke theksuar se sektori i arsimit në Kosovë ka nevojë edhe më tutje të reformohet dhe ndihmohet nga të gjithë, prandaj “prioritet në punën time si ministër do të jetë ngritja e cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet, duke filluar nga ai parauniversitar deri te arsimi i lartë”, tha ministri.
Ndërkaq, ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, uroi ministrin e Arsimit për detyrën e re, shprehi gatishmërinë e shtetit gjerman për të mbështetur sektorin e arsimit në Kosovë. Ajo falënderoi pjesëmarrësit e trajnuar dhe implmentuesin e programit Talk On, që mundësuan mbajtjen e trajnimit për zyrtarët e MASHT-it dhe DKA-ve në menaxhim, komunikim dhe udhëheqje. Ambasadorja potencoi se përmes mbështetjes gjermane, programet trajnuese të implementuara nga projekti për arsim fillor në GIZ, janë zhvilluar shumë programe trajnimi gjatë vitit 2014 dhe janë trajnuar numër i madh i mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave dhe zyrtarë të MASHT dhe DKA, është prodhuar një dokumentar për gjithë përfshirje në arsim dhe është mbështetur edhe shoqëria civile përmes projekteve të ndryshme.
Në këtë ceremoni nga ministri Bajrami dhe ambasadorja Viets dhe përfaqësuesit e GIZ/CDBE u ndanë certifikatat për 60 pjesëmarrësit në programin intensiv njëvjeçar të trajnimit për aspektet thelbësorë të menaxhimit, komunikimit dhe udhëheqjes.
Ky program trajnimi i quajtur “TalkOn” ka kontribuar në zbatimin e Planit strategjik të arsimit në Kosovë dhe Strategjisë për përmirësim të komunikimit në fushën e arsimit.