18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Çështje dinjiteti

Fatos baxhakuFatos  BAXHAKU

Shumë gjëra kanë ndryshuar qëkurse edhe ne, më të mbramit e Europës, vendosëm që të bashkohemi me sojin e kombeve që jetojnë në demokraci. Ka ndryshuar për shembull qasja jonë me botën, falë zhvillimit të internetit dhe të lëvizjes së lirë, ka ndryshuar mënyra jonë e të veshurit, falë rritjes së mundësive ekonomike, ka ndryshuar mënyra jonë e të festuarit dhe të pushuarit, ani pse jemi shumë herë të potershëm deri në agresivitet, ka ndryshuar… plot gjëra. Por këto zhvillimet e fundit na bëjnë ta vrasim mendjen se mbase një gjë, më thelbësorja në jetën e çdo njeriu, ka mbetur e ndrydhur e varur, e frikësuar. Kjo gjë quhet dinjiteti njerëzor. Rritja e shkallës së lirisë nuk ka ecur paralel me atë të dinjitetit, përkundrazi, shumë herë këto dy palë shina i janë larguar njëra-tjetrës.

Dinjitet mbase në të dëgjuar të parë është një fjalë e madhe. Porse në thelb nuk është gjë tjetër veçse ndjenja që i buron secilit prej nesh a – më mirë me thënë duhet t’i burojë secilit prej nesh – nga vlerësimi i vlerave morale që i njeh vetes dhe nga dëshira që kemi jo vetëm për t’i ruajtur këto vlera, por edhe për t’i shfaqur ato. Me këtë ndjenjë janë marrë gjatë shkollat e filozofisë që e vendosnin njeriun në qendër të vëmendjes. Tendenca për të afirmuar dinjitetin njerëzor dhe qenien njerëzore si të padefinueshme, si të paçmim, si një gjë të shenjtë edhe mbi vetë Zotin, dhe pra që nuk duhet diskutuar i dha udhë njërës prej lëvizjeve më progresive që ka njohur historia njerëzore: Rilindjes Europiane. Për të mos u zgjatur shumë me filozofira me dinjitet njerëzor do të kemi parasysh në këto pak radhë atë që në gjuhën e përditshme e quajmë “nami i mirë” i njërit apo tjetrit dhe me mënyrën se si individë të ndryshëm mundohen ta përballojnë këtë peshë të përditshme.

Në pamje të parë greva e urisë që ka disa ditë që ka nisur mund të duket një akt i pastër dinjiteti. “Ju më hoqët nga puna, atëherë unë po ju tregoj se kam plotësisht të drejtë. Dhe për ta vërtetuar këtë jam gati të shkoj deri në vetëflijim!”. Ky është pak a shumë sensi i çdo greve të urisë. Më të njohurat kanë qenë dy grevat e urisë të Mahatma Gandit, njëra kundër politikës angleze dhe tjetra kundër politikës së vetë indianëve. Më të paepurit në greva urie kanë qenë irlandezët. Njëra prej tyre kundër politikës angleze më 1920 ka zgjatur plot 94 ditë. Ajo është shënuar krahas rekordeve të tjera në librin e rekordeve Guiness. Vdekja e një grevisti të urisë në burg, Bobi Sands më 1981, e detyroi qeverinë britanike që të bënte një sërë ndryshimesh në trajtimin e të burgosurve të IRA-s. Në Turqi më 1996 dhe 2000 grevat e urisë u shndërruan në një fenomen masiv ndër burgje. Në rastin e parë doli në pah ndërmjetësimi i disa intelektualëve mes të cilëve edhe Jashar Qemali e Orhan Pamuku, në rastin e dytë greva u mbyt me dhunë nga policia dhe aksioni u quajt me emrin “kuptimplotë” Rikthim në Jetë. 28 të burgosur grevistë dhe 2 policë humbën jetën gjatë trazirave të vitit 2000.

Greva e urisë pra është një akt vetëflijimi në dukje shumë dinjitoz, ndonëse në një këndvështrim është edhe akti më dëshpërues i mundshëm. Vetë akti protestues, por edhe pasojat e tij te njerëzit që kalojnë këtë provë ekstreme mund të lërë pasoja të rënda të pakthyeshme në shëndetin e njeriut. Mungesa për një kohë të gjatë e vitaminave, por sidomos e vitaminës B, sjellin simptomat e asaj që mjekët e quajnë sindroma Vernike-Korsakov, shfaqjet më evidente të së cilës janë marrje mendsh, të vjella, dridhje të trupit, mungesë orientimi, harresë, sjellje të çuditshme… Një pjesë e mirë e këtyre shenjave janë të pariparueshme përgjithnjë.

Sikurse e thamë edhe më lart greva e urisë është jo vetëm një e drejtë, por edhe një akt dinjitoz proteste. Puna është se sa dinjitoze sillet shoqëria, pjesa tjetër, e atyre që hanë përditë, me këtë akt. Dhe këtu na duket se kemi mungesë të theksuar dinjiteti. Më e para nga të gjitha kur përsëritet vend e pa vend greva e urisë e humbet efektin e saj tronditës. U përdor nga PS në opozitë, po përdoret tash nga PD në opozitë. Deklaratat se greva nuk është e politizuar nuk ka përse thuhet, sepse nuk e beson njeri në një vend ku është e politizuar deri edhe vetë sfilata e miseve bukuroshe. Kështu që ai, apo ata që e kanë nxitur, këshilluar, organizuar, që kanë bërë të përdëllyerin me grevistët e pafat, nuk kanë bërë aspak një veprim me mend. Të paktën të tregoheshin më ndryshe nga kolegët e tyre të llogores matanë.

Nga ana tjetër kemi qeverinë që deri më tash është treguar krejt indiferente ndaj protestës me uri. Mbase jo vetë “të mëdhenjtë”, por emisarë të tjerë të dërguar prej saj, mund të hynin në bisedime me grevistët sa kohë që situata nuk do të përkeqësohet pa kthim. Ose mund të gjendej një zgjidhje tjetër. Ne kemi marrë arbitra ndërkombëtarë për një finale të Kupës së Republikës në futboll! Përse një nga ambasadorët që dalin përditë me aq zell në lajme të mos ishte bërë ndërkohë ndërmjetës mes grevistëve dhe qeverisë?

Mënyra se si po shpërfillet përgjithësisht greva e urisë fare pranë Kryeministrisë duhet të na shërbejë edhe për rihapur një çështje tjetër. Kjo grevë nuk do të kishte ndodhur nëse ndër ne, ndër kryet tanë, të mos ishte ngulitur një gjë që nuk ka lidhje as me dinjitetin, as me demokracinë dhe as me meritokracinë. Ky është premtimi herë i hapur dhe herë i fshehtë i partive nga të dy krahët se po të jesh militant majtas apo djathtas të paktën për katër vjet e ke të garantuar një punë në shtet. Kështu që në njëzet e ca vjet në shkallë të madhe sidomos në administratën e rretheve apo në atë të shkallës së dytë është përsëritur e njëjta histori. Pala fituese largonte palën humbëse dhe vendoste të vetët në poste zyrtare. Nëse ndonjë militant nuk kënaqej atëherë plaste poterja e kuja që bindte dhenë: Unë që kam dhënë kaq shumë për partinë të mbetem pa punë!? Mbase jo të gjithë, por ama një pjesë e mirë e jona edhe në zgjedhjet e fundit kanë shkuar në votime jo për të shprehur bindjet, simpatitë, apo shpresat për të ardhmen, por për të “kapur” ndonjë vend pune të rehatshëm në administratë. Këtë mënyrë të të bërit politikë e kanë nxitur sigurisht, në radhë të parë, vetë partitë. Nëse me kohë do të kishte ndodhur ndryshe, atëherë do të kishim të paktën një grevë urie më pak. E tash nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i lutemi Zotit që t’ua lehtësojë udhën e vështirë protestuesve të urisë dhe t’ia ndriçojë mendjen ndonjë të mençuri që të kujtohet se përmes tolerancës dhe dinjitetit nuk ka asnjë telash që të mbesë i pazgjidhur.

Më Shumë

Shqipe Kastrati nderohet nga kryetari i Prizrenit për kontributin në kultivimin e këngës shqipe

Këngëtarja e njohur Shqipe Kastrati u nderua sot nga kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në kultivimin e këngës...

Shpërthimi në Ujman, Kurti: Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar

“Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti...

Lajmet e Fundit