18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Vetëm 3369 votues nga diaspora

zgjedhjet5KQZ në Prishtinë ka pranuar 3936 aplikacione për regjistrim nga diaspora, ndërsa i ka certifikuar vetëm 3369 aplikues. Opozita e quan dështim qeveritar anashkalimin e mërgatës.

Diaspora kosovare, që përbën një të tretën e trungut demografik të vendit, sërish ka mbetur jashtë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që mbahen më 8 qershor në Kosovë. Edhe kësaj here vetëm 3900 mërgimtarë, nga mbi 700 mijë sa janë jashtë vendit, kanë aplikuar për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për t’u bërë pjesë e listave të votuesve.

Kjo pjesëmarrje kaq e vogël e diasporës në Prishtinë arsyetohet me mungesën e informimit të mërgatës për t’u regjistruar në lista zgjedhore. Madje, thuhet se natyra e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e limiton teknikisht periudhën e regjistrimit të mërgatës në listat e votuesve.

Enis Halimi është kryeshef i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Ai tha për albinfo.ch se periudha e regjistrimit për votim jashtë Kosovës ka filluar më 13 maj dhe ka përfunduar më 19 maj 2014.

Gjatë kësaj periudhe KQZ, sipas tij, ka pranuar 3 936 aplikacione për regjistrim, ndërsa janë regjistruar suksesshëm 3369 aplikues. “Gjegjësisht nga diaspora kemi 3369 votues të përfshirë në listën e votuesve jashtë Kosovës për këto zgjedhje”, precizoi Halimi.

Në pyetjen se a ka qenë diaspora e njoftuar sa duhet lidhur me procesin zgjedhor, ai tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme ka obligim informimin e votuesve për të gjitha periudhat zgjedhore, duke përfshirë edhe tv. spote dhe radio spote, por edhe njoftime nëpër gazetat ditore që botohen jashtë vendit.

Sipas Halimit, faza e votimit për ata që janë regjistruar fillon më 27 maj dhe zgjat deri më 6 qershor 2014. “Aktualisht jemi në përgatitjet përfundimtare që kanë të bëjnë me dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit, të cilët suksesshëm kanë aplikuar për regjistrim për votim jashtë vendit”, deklaroi Halimi.

Ndryshe për periudhën e regjistrimit për votimin jashtë vendit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë aplikacione në 190 pika, në 2 shtete të botës. Në pikat shpërndarëse janë të përfshira ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës në të gjitha kontinentet.

Diaspora e Zvicrës, më e interesuara për zgjedhje

Nga aplikacionet e pranuara nga KQZ prin Zvicra me 1307 aplikacione, pasuar nga Gjermania me 1268, ndërsa e treta vjen Austria me 234 aplikacione të plotësuara. KQZ, sipas një raporti që ia ka dërguar albinfo.ch, i ka refuzuar si të pasakta 138 aplikacione të Zvicrës dhe 146 të Gjermanisë.

Ndërsa ministri në largim i Diasporës, Ibrahim Makolli, thotë se afatet e shkurtra për organizimin e zgjedhjeve e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e duhur të mërgatës në zgjedhje. Sipas tij, vetë shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare i limiton procedurat për informim dhe votim.

Dhe në këtë vazhdë, sipas tij, diaspora nuk ka pasur kohë të mjaftueshme që të informohet për votim me postë, e madje as të marrë aplikacionet e duhura për regjistrim. Ai tha se edhe kësaj here, sikurse dhe herëve të tjera, i është bërë e padrejtë diasporës sa i përket votimit.

“Por shpresojmë se këto janë zgjedhjet e fundit që diaspora kosovare anashkalohet nga procesi zgjedhor. Ky lëshim duhet të shërbejë si leksion posaçërisht për Kuvendin e Kosovës, që në zgjedhjet e ardhshme t’u krijojë infrastrukturë mërgimtarëve që edhe ata të bëhen pjesë e vendimmarrjes”, deklaroi Makolli.

Ai tha se përveç votimit me postë, diasporës duhet t’i krijohet mundësia edhe për votim në vendet ku jetojnë, e mbi të gjitha votim elektronik.

Në pyetjen se a do të ishte më mirë që zgjedhjet të mbaheshin në korrik ose gusht, kur mërgata vjen në Kosovë, Makolli tha se “edhe kjo nuk do të ishte zgjidhje”.

“Edhe në këtë periudhë të gjithë mërgimtarët nuk do të mund të votonin. Por, e rëndësishme është që atyre t’u krijohet infrastrukturë për votim në vendet ku jetojnë, qoftë duke votuar atje nëpër ambasada, ose edhe më mirë, votim elektronik”, deklaroi mes tjerash ministri që tashmë e përfundon mandatin, Ibrahim Makolli.

Opozita: Qeveria po e anashkalon diasporën

Ndërsa Jahja Lluka, kryesues i Departamentit për Diasporë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, akuzoi Qeverinë që nuk iu ka krijuar kushte mërgimtarëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Ai tha se diaspora në vijimësi është anashkaluar nga institucionet e vendit, duke mos iu dhënë mundësi që të jenë pjesë e vendimmarrjes./albinfo.ch/

Lëshimi i parë, sipas Llukës, është bërë që atyre nuk u është krijuar mundësi t’i kenë deputetët e vet në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa lëshimet e tjera kanë ardhur duke i anashkaluar nga zgjedhjet. “Ne konsiderojmë se atyre u është dashur t’u mundësohet votimi aty ku janë, nëpër ambasadat e Kosovës dhe të Shqipërisë”, tha Lluka.

Përfaqësuesi i AAK-së po ashtu i konsideroi jo të sakta shifrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës se në diasporë jetojnë rreth 700 mijë kosovarë. Ai tha se kjo shifër, pa i përfshirë shqiptarët në Turqi, kalon mbi 1 milion mërgimtarë, ndërsa rreth 300 mijë prej tyre, siç tha Lluka, janë votues potencial.

Sipas tij, kur shihet se sa është numri i tyre i regjistruar për zgjedhje, atëherë është tepër shqetësuese.

“Kur është e nevojshme, diasporës ia marrim 700 milionë euro çdo vit duke siguruar paqe sociale në Kosovës, e më pas Qeveria i anashkalon dhe i injoron si të mos ishin pjesë jona”, deklaroi mes tjerash Lluka.

Ndryshe edhe në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013 është vërejtur një pjesëmarrje e vogël e mërgimtarëve në zgjedhje. Vetëm 1500 bashkatdhetarë u regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, që gjithashtu ishte shpërputhje radikale me numrin e bashkatdhetarëve në diasporë.

Më Shumë

Motoçiklisti lëndohet rëndë pasi u godit nga vetura

Një motoçiklist ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi u godit nga një veturë. Aksidenti ka ndodhur sot në Prizren, në rrugën “Beteja e Kabashit”. Lajmin...

Nis restaurimi i ‘Kazermës së vjetër’ në Prizren

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se përmes një investimi në vlerë 500 mijë euro ka filluar restaurimi i ndërtesës “Kazerma...

Lajmet e Fundit