16.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Converse

Vladimir MyrtezaiNga Vladimir Myrtezai

Grupi i vajzave ishin rreshtuar në ballë të një xhami të madh, ku rrëketë e shiut sa vinin e shtoheshin, dhe ajo pasdite po kthehej në një nga ato grumbullimet e pakuptimta të një ankthi të ngadaltë e melankolik, që i rrethonte shpesh dhe i mbante në kurth, si një vello e re e mërzisë së kotur për të kapur një cak të ri, të pandriçuar ende nga projekti se çfarë do vinte nesër, apo se çfarë shenje do kish nga kuratorët e ekspozitës që dukeshin të alarmuar e në nxit. Kafeneja ku e mërxenin tensionin e jashtëm përtej xhamit të madh, kishte një rraskapitje fizike si të pashpresë, por me një ngrohtësi gazi nga ato me kapele nga lart, që s’të lë të largohesh, dhe sipas qejfit mund të ngrije në këmbët e fantazisë së gjithsecilit një përrua që do i ngjante ëndërrimit syhapur. E gjithë lëvizja e njerëzve në interes të kësaj ngjarjeje gjendej e copëtuar në fragmente e lidhje të shkurtra, që po merrte formë dalëngadalë, dhe për pak po shndërrohej në një ngjarje të lidhur e të organizuar me të gjitha mundësitë për t’u kthyer në festë.

Takimi në Converse qe rrjedhojë e një ftesë në facebook, ku të gjithë pjesëmarrësit në ekspozitë të mblidheshin për të zgjidhur fjongon e një çlirimi kolektiv, si një ngjarje që përshëndet përpjekjen me goditje të përqendruar. Si padashje, të gjithë udhëtarët e ngjarjes ndjeheshin më afër, pasi tanimë kishin kryer një udhëtim të përbashkët. Sekush u kujdes për pjesët e veta, dhe në një sinkron të padukshëm u gjendën në mbrëmjen e përbashkët.

Pse duhej një grumbullim i kësaj natyre, ndërkohë që, gjithsesi, ata mblidheshin veç e veç në nukle të vogla e më intime? Këtë pyetje mund ta kuptonte i gjithë grupi, pasi nata, bashkë me zhurmën, do e tejçonte larg këtë zgjedhje të tyren, dhe do e kthente në një lloj refleksioni përmbyllës për të gjitha ngërçet dhe mosmarrëveshjet përgjatë procesit, si shenja natyrore e në kontradiktë në grupet që përfaqësoheshin. Për pak u duk se ky pretekst i huazuar si rimbledhje mund të kthehej në qëllim më vete, apo shtysë a terapi për të konsoliduar gjithë pjesën e tejetpozuar si bashkëjetesë e mundshme e artistëve në fasha të zgjatura e identifikuese, edhe pse të ndara e kontradiktore me praninë e stimulantëve relaksues. Duhej një gjendje e lirë për t’u shfaqur tërësisht e me gjithsej, duke penetruar të njëjtin kufi të fundjavës. Ishte një lloj sfogoje apo oksigjenim për t’u rifutur në javën që vinte.

Çudia e pabit qëndronte te mungesa e një reklame mbi krye, si dhe nga tepria e betonit dhe pozicioni jo i favorshëm e gati i rastësishëm buzë rrugës. Qëndrimi i të rinjve në hyrjen e lokalit të zgjedhur ngjante me një gropë konike, nga ato të bunkerëve të dikurshëm, me dyer të shtrira horizontale e pa as edhe një lloj reference apo arratie konceptuale për nga fizionomia e çartur që të degdis nëpër dallgët e fantazisë. Por, siç ndodh me hapësira të tilla, ku në qendër të udhëtimit për të realizuar hapësirën, përvijohet ajo thënia e hershme se ky udhëtim ndodh në kokë, dhe s’ka nevojë për koordinata fizike.

Për çudi, m’u përballë, pesë metër më tej, ishte një tjetër lokal i sajuar bukur e me stil, por krejt bosh, pa këmbë njeriu. E gjithë ajo zonë e bllokut si në hije, ishte në një kakofoni pjesësh fundore pallatesh dhe gjysmë biznesesh të strukura, që bënin hije shpërfillshëm në interesa të drejtpërdrejta, pa pyetur për formën e jashtme të tyre. Por, me rënien e natës gjithçka mjegullohej dhe ndriçimi kryente fshehjen e kotësisë dhe absurdit, dhe si me rimel lustronte të gjitha volumet e grupuara në atë zonë. Çdo gjë shquhej si në një skenografi, ku edhe një dritë e vetmuar mund të krijonte qendër dhe mund të realizoheshe në pika të afërta dhe shumë subjektive. Të rinjtë qëndronin në këmbë të hyrja, duke thithur duhan, dhe me pamjet e tyre të çlirëta i ngjanin një grupimi të koduar e enigmatik. Grumbuj të rinjsh vetëkonsumoheshin si trungje të buta nën efektin e ndriçimit të verdhemë e falë zhvendosjeve formale, të cilat shkaktonin konfigurime të çuditshme. Krrela flokësh të gjatë, çanta nga më doracaket, pozicione uljesh të bëra me lyrë, si një gungë urbane që kërkon shërim në një lloj bashkimi të dhelët erotik.

Sagita T po hynte me nxit te “Rruga e Kavajës” me idenë e ngulitur se ishte vonë, dhe shpejtoi të kapte një taksi për t’iu bashkuar grupit. Qielli ishte laraman dhe e gjithë pamja iu përkthye si një gungë e parehatshme. Iu duk për një moment se çdo gjë qe kthyer sëprapthi dhe ajo lundronte e vetme me ankthin e saj të shpejtuar për të mos u vonuar. Në fakt, nuk ishte gjë tjetër veçse një halucinacion që e shoqëronte teksa përhumbte në gjuetinë e një subjekti për video. Kapi taksinë e parë që i doli dhe u nis për të asistuar ngjarjen.

Klea M dhe shoqja e saj Flaka Prizreni, një muzikante bionde, shpejtonin të zbrisnin nga fakulteti për në Bllok, për të zbythur kështu fundjavën në një nga pabet e kryeqytetit, ormisur e e bëra gati për një fund total në krahët e alkoolit, pasi java kish qenë e zymtë dhe me shumë shi. Të motivuara dhe në halle të përbashkëta lidhjesh, që të dyja ndiheshin në tentativë për të vendosur për dilema të reja që u ishin afruar, por që nuk ishin ende të bindura se cila do qe më e goditura, duke hamendësuar kështu edhe detaje, që në përgjithësi pengonin përfytyrimin që kishin për mashkullin e marrë me mend. Çdo gjë që i rrethonte ruante magjinë e moshës me privilegjin e zgjedhjes, por gjithsesi të pavendosura, më shumë për të mos u lidhur e për të shijuar edhe më tentacionet e tyre dhe radhën e meshkujve që hidhnin ndonjë hap në zonën e ndaluar.

Dy arketipë të shumtë nga vlaga e shpërndarë e studentëve, që shpërndaheshin në eterin e moshës, ashtu tipikë e me një tis melankolie, duke kornizuar në ecje ritmin që i kish përfshirë në një sindromë të padukshme e të përgjithshme, siç është një status studentësh me tentativë automatike universitare. Ilaritet, cytje, smirë e ngasje të moshës, nga më të ngjyrëtat e nga më befasueset.

Ndërkaq, Sindi Troplini po zbriste me veturën e saj, dhe përgjatë vozitjes ndjehej ligsht nga një zënkë e shurdhët që kish shkaktuar me shoqen e saj të afërt, Ajsen T., një natyrë minjoke dhe e ashkëlt, që e tërhiqte shumë vëmendjen e meshkujve, dhe si për dreq hynte në konflikte më kot, pa ndonjë shkak kushedi. Më shumë i ishte fiksuar Sindit, që shoqja e saj prodhonte smirë natyrale për shkak të ngjashmërisë me një aktore të njohur, por edhe për natyrën e saj jo të ngulët e disi të ftohtë. U fut në rrugicat e Bllokut dhe parkoi me pagesë. U shpërvol pak para pasqyrës së makinës, u zhgarravit me buzëkuq, bëri zap çantën dhe ca cingla të shpërndara kuturu dhe u nis drejt Converse.

Lobi Fotografi sapo i telefonoi mikut të tij të ngushtë, një tjetër fotograf me nofkën “profesori”, për të kryer ritualin e përnatshëm në një kafe në cep të Bllokut, e më pas për të rrufitur birrë duke bërë llogje për të rejat në qytet. U nis me shpejtësi drejt vendit duke i dërguar një sms se do arrinte për dhjetë minuta. Kish cytjen të shkonin në një pab këtë natë të rrumlloseshin.

Arl qëndronte para pasqyrës ngrirë, kishte ndër mend se diçka do ndodhte këtë natë, iu duk se ishte në natën e saj me fat.

Të vetmit që kishin hyrë në pab ishin vëllezërit Trikatriçja, të dy të ngjashëm me Blues Brothers, që në njëfarë mënyre ndjeheshin si të zotët e shtëpisë. Dukeshin sikur kishin lindur në një pab.

Janë disa qenie që sapo i sheh mund t’i përsërisësh si erë dhe lëkurë kudo ku ka situata të tilla. Të dy sapo kishin zënë vendet e rezervuara për mbrëmjen që do kalohej në grup, me të rinjtë e zakonshëm e të zgjatur në të tilla skuta të nëndheshme që përsëriten pafund. Njëri nga vëllezërit Bafti, muzikant, ndërsa tjetri, Toni, një membranë e rreshkur e delikate e pabeve të natës, një talent në informatikë. Gjindja filloi të grupohej radhë-radhë e në kohë të shpërndarë, dhe i gjithë pabi u majis përplot.

Kisha shumë kohë pa kaluar në situacione të shkëmbyera e të ndara të rinjsh; kështu që, në njëfarë mënyre po merrja drejtpeshim që të ndjehesha sa më natyrshëm dhe sa më pak ndikues me statusin e të ftuarit. Në homazh të kohëve të shkuara nuk kisha dëshirë të ndjehesha si i mbivendosur, apo si shenjë e re, si në një ajër disi të largët për mua. Gjithsesi isha i ftuar nga një grup të rinjsh, që kishin dëshirën e madhe për të më akomoduar në ajrin e tyre të përvëluar të moshës, dhe me siguri që prisnin një rrethanë për t’u shkëmbyer më nga afër me njëri-tjetrin. Kjo lexohej në sytë e tyre, por si me mjeshtri bëja sikur nuk e vija re. Ishte një taktikë për t’i zbuluar se çfarë janë në të vërtetë dhe një kuriozitet trajnerësh, kur kanë në dorë subjekte të reja, që i ruajnë me kërshëri në hapat që hedhin. E kuptoja shumë mirë, në shumë raste, trajektoren e dëshirave të tyre, për të zbuluar gjëra të mëdha, dhe ca më shumë për të rrëzuar kështjella të vjetra, pasi isha një nga ata që e kisha kaluar këtë ëndërrim të zgjatur për të rrokur të pamundurën, apo të panatyrshmen, si një trofe/shenjë në jetën e gjithkujt. Në fakt, pretekste të tilla të çlirimit në grup kishin dhënë efekte që unë i kisha të arkivuara në kujtesë si momente të larta të realizimit të vetes, por edhe si shkaqe të lumtura të vetë rritjes sime. Atmosfera brenda në bar ishte e ngjashme me shumë skuta të arreduara thjesht dhe me përqasje rastësore, të pamenduara gjatë, deng me imazhe dhe ndërhyrje kundërsens, me origjina nga më të ndryshmet. Stola të gjatë e të çngjyrosur nga përdorimi, si dhe mure të llangosura me një stihi fotosh kitsch nga historia e muzikës, që nga ajo e rrugës e deri në foto çasti e selfie, që kryenin vetë klientët e pabit. Një situatë që nuk se të linte të shijoje shumë, pasi çdo gjë shtjellej në gjysmëterr dhe në një ndarje të parregullt në formë banaku, ku silleshin hallakatur dy-tre kamerierë, që tek-tuk mund t’i ngatërroje me klientë. Më shumë se një pab klasik, dukej si një platformë e kuadratuar me trupa njerëzish të stivosur ngushtë, në një lëshim të përngjashëm e të rrethekuar nga tingujt e shumtë e cytës, që sikur i rrafshonin këto volume të ngritura në harkime të përbashkëta eksitimi e valëzimi gjymtyrësh. DJ ishte një djalosh rreth të tridhjetave, një rondokop dhe i paformë, me një lloj floku si të ngjitur me zam, si një iriq inteligjent. Muzikimi ngjante si një lojë me misterin e ritmit që nuk gjendej asnjëherë.

Atmosfera u ndez dhe të gjithë përpiqeshin të çliroheshin nga të tepërtat, natyrisht përfshirë edhe skrupujt. Ashtu ngadalë po përmasoheshin si një aliash mes muzikës, pijes dhe pamundësisë për të dëgjuar tjetrin. Pikërisht mungesa për të komunikuar i jepte volumit njerëzor shkalitje trupash të hepuar, sikur i futeshin në bark njëri-tjetrit për të fshehur dëgjesën e zërit të tyre. Grupi i studentëve të Arteve kish krijuar një gungë në fund të sallës, dhe ishin bërë gati njësh. Tek-tuk zgjatej ndonjë kokë me syze të shtrembërta mbi kokë, që përpiqej të hynte në ritëm duke bëzajtur me të madhe, sikur kish kapur fundin e tij të lumtur. Disa syresh kishin zhvendosur stolat dhe mes vrundujve të rrobave të hequra e të hedhura kapicë shtyheshin me trupat puthitur nën valët e përplasjes së ngatërruar të tingujve. Turma dukej e eksituar dhe po kapte kulmin e saj. Isha mbështetur për mur në fund dhe përpiqesha të dalloja e të ngulisja çlirimin e fytyrave të njohura, që zakonisht rrinin të ngrira para meje. Një hare e papërshkruar në orvatjen për t’i bërë të lira ato subjekte, pasi nuk kishte më as pengesa dhe as tituj e hierarki; çdo gjë ishte vendosur në të njëjtin rrafsh të lëshuar përdhe, në padyzimin për t’u shfaqur si formë e lartë e hapjes. Disa shuts rresht dhe çdo gjë humbi kufirin ndarës: të gjithë kontribuonin për të kapur fundin e ekstazës, në një dehje totale.

Ndjeva se po më rrotulloheshin muret dhe mendova të gjej tualetin, por përpara ishte ngritur një radhë dëshpëruese dhe e pafund. Rrëmbeva çfarë gjeta dhe po mësyja drejt hyrjes trup mbi trup, rrëshqitazi, ku përqafoja ç’gjeja para, dhe po kapja dritën e hyrjes. Diku aty, përhumbur në forma e zbardhura, më kapi syri Sagitën, si mermer i bardhë, e kthyer në një skulpturë të heshtur. Ca më tutje një treshe vajzash te lidhura në bel, që hepoheshin duke tundur vithet në një trajtë harkore; diku më pas më zuri syri një student të lartë, që mbronte me trup të dashurën e tij. Më tutje dy vëllezërit, Bafti e Toni, në një shkapërdarje të lumtur, të puthur në grup, duke bërë të tyren ekstazën e radhës. Ndërsa më tej më zunë sytë një djalosh që i ngjante një aktori të famshëm, që nuk më vinte në mend, derisa kapa pragun e derës. Dola në ajër, sikur po dilja nga një minierë e thellë zhurmash mbytëse. U mbështolla me shall dhe mora drejtimin për të dalë nga ngjarja. Kisha harruar pulovrën. – Në djall! – thashë me veten.

E kisha bërë zakon daljen nga një rrethanë si pa u ndjerë, pa i bërë merak të tjerët. E dija që nuk kisha më shans të pengoja lirinë e tyre: ishin në baltën e tyre dhe në humusin e kohës në favor, por edhe në vrullin e moshës, që e pozojnë si energji dhe çlirim. E jetonin jetën me gjithsej, pa ndonjë teklif për të nesërmen. Një lloj pastrimi dehës dhe harxhim energjish për të harruar, pikërisht ato diferencat e vogla: ambiciet dhe cytjet për të pushtuar territore të reja në përditshmërinë e tyre të pamatë e moskokëçarëse.

Tirana natën më dukej gjithherë një qytet me puset e tij të nëntokës, si hallakatje dhe lëshim mes tyre: gropa energjish të derdhura në një udhëtim imagjinar, përmes fantazive, mes hijes dhe dritës; mes të logjikshmes dhe mungesës së arsyes, si arrati e mjaftë për të harruar për pak historitë dhe ndjenjat e tyre të afërta në të tjera udhëtime të së nesërmes. M’u përzie dhe rrëshqita anash një peme në rrugë dhe fillova të vjell duke futur gishtat në fyt, sikur u lirova ca për pak. Afër mbi kokë më ruante një reklamë me sytë e ngulura në kokërdhok të syrit, ndjeva një dorë në bel që më preku lehtë ishte ajo-Sagita T, që kujtoi se isha rrëzuar se dukej nga fytyra në panik. Pak më tej dëgjova një bëzajtje të lartë –Presoro qeke bo dhogë…Qesha nën zë me arratitë e mia të zakonta për t’u transformuar në modelin e heronjve të mi të parrokur e të paimitueshëm dot sepse sado hiqesha nuk isha një pijembajtës e nuk arrija as dhe në një gangster soji, apo kurvar i rëndomtë që shpesh më dukej që ëndërroja t’iu hyja nën lëkurë. U ndërmenda në çast bëra të ngrihem, akoma i kisha duart rreth një objekti të vrazhdë –Kisha rrokur pemën.

Më Shumë

Lajmet e Fundit