Motra e Ukshin Hotit, Myrvete Hoti-Kasumi, ka kërkuar që bisedimet Kosovë – Serbi në Bruksel të kushtëzohen me zbardhjen e fatit të vëllait të saj.
Në 17-vjetorin e zhdukjes së profesorit të shquar, ajo ka thënë se pala serbe edhe më herët zbardhjen e fatit të tij ka tentuar ta kushtëzojë. Në një intervistë për “Epokën e re”, Kasumi ka deklaruar se ka mundur të bëhet më tepër në zbardhjen e kësaj çështje.
“Bisedimet duhet të kushtëzohen. Më vjen keq prej familjareve të tjerë mirëpo, meqenëse më herët këtë çështje serbët kanë dashur ta kushtëzojnë, tani mendoj se vazhdimi i bisedimeve me Serbinë në Bruksel duhet të kushtëzohet me zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit”, ka thënë Kasumi.
Ajo është shprehur shumë e zhgënjyer me punën e institucioneve në zbardhjen e fatit të të pagjeturave, në këtë rast edhe të Ukshin Hotit.
“Thellësisht jam e prekur dhe e zhgënjyer në institucionet tona, të cilat nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e fatit të këtij personaliteti. Kurrë nuk e kam menduar se pas luftës do të kalojnë 17 vjet dhe Ukshini do të konsiderohet i zhdukur”, është shprehur Kasumi.
Duke treguar për përpjekjet që ka bërë gjatë këtyre 17 vjetëve për ta zbardhur fatin e vëllait të saj, Myrvete Hoti-Kasumi ka thënë se derisa të vërtetohet e kundërta, ajo beson se Ukshin Hoti është gjallë. Sipas saj, deri më tani askush nuk i ka ofruar argumente se profesor Hoti ka vdekur apo është vrarë. Përkundrazi, Kasumi ka bërë me dije se shumë burime të informacionit i kanë thënë asaj se Hoti është gjallë.
“Derisa nuk është vërtetuar e kundërta, pra që ai ka vdekur apo është vrarë, unë shpresoj dhe besoj se ai është gjallë. Prandaj, po them se shteti serb duhet të japë përgjegjësi për këtë çështje, sepse ka qenë në duar të tij”, ka thënë ajo.
Më tutje, motra e Ukshin Hotit ka treguar se shpeshherë i është bërë me dije se fatin e vëllait nuk mund ta zbardhë në mënyrë individuale.
“Prej Serbisë nëpërmjet shqiptarëve më ka ardhur edhe një lajm, me të cilin më bëjnë me dije që mos të vrapoj kot, sepse nuk do të mund ta gjej kurrë atë individualisht, sepse ky është problem ndërqeveritar ndërmjet dy vendeve”, është shprehur Kasumi. /Epoka e Re/