22.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Diktati i Qeverisë mbi Kuvendin

Legjislativi po vazhdon të jetë i kontrolluar nga ekzekutivi, në vend se të ishte e kundërta.

Për dy mandate Qeveria e drejtuar nga Hashim Thaçi ishte kritikuar për diktim të agjendës së punës së Kuvendit të Kosovës.

Të njëjtën rrugë, sipas analistëve politikë, po e ndjek edhe Qeveria Mustafa. Sipas tyre, legjislativi po vazhdon të jetë i kontrolluar nga ekzekutivi, në vend se të ishte e kundërta.

Kuvendi i Kosovës, nga analistët politikë, nuk shihet si autonom, por si një institucion që në vazhdimësi i nënshtrohet diktatit të Qeverisë. Megjithëse është pritur Qeveria Mustafa do ta ketë një qasje tjetër karshi legjislativit, sipas analistit Artan Muhaxhiri, edhe qeveria aktuale po vazhdon me mënyrën e njëjtë të funksionimit në raport me Kuvendin.

“Deputetët e partive në pushtet më shumë ngjajnë si anëtarë të kabinetit qeveritar sesa si deputetë të cilët ekanë marrë mandatin që në mënyrë të pavarur t’i paraqesin kërkesat e qytetarëve të cilët i kanë votuar ata. As në rastin e kryeministrit Mustafa nuk ka ndonjë ndryshim, sepse votimi është krejtësisht i diktuar dhe nuk ka aspak hapësirë për ndonjë qëndrim autonom”, u shpreh Muhaxhiri për Radio Kosovën.

Edhe opinionisti Imer Mushkolaj thotë se Kuvendi i nënshtrohet diktatit politik dhe partiak që vjen nga partitë e koalicionit qeverisës.

“Të gjitha aty që janë premtuar nga zoti Mustafa në kuptimin e funksionalizimit sa më të mirë të institucioneve, në radhë të parë të Qeverisë, por pastaj edhe të Kuvendit, kanë rënë në ujë dhe ne sot jemi në një situatë të diktatit politik dhe partiak të Qeverisë karshi Kuvendit”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Rasti i fundit i ndërhyrjes së Qeverisë në agjendën e Kuvendit, u vlerësua se ishte ai i riprocedimit të amandamentit 24 të Kushtetutës që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, e i cili paraprakisht nuk kishte kaluar në Kuvend. Sipas Driton Selmanajt nga KDI-ja, kjo po e dëmton parlamentarizmin në vend.

“Nuk është praktikë e mirë parlamentare që një vendim i Kuvendit, çfarëdoqoftë ai të rikthehet përsëri. Kjo flet për fragjilitetin e institucionet e Kosovës, për dobësinë që institucionet e kanë. Ne mund të themi se kjo e lëndon demokracinë, e lëndon parlamentarizmin dhe jetën plurale në Kosovë”, tha Selmanaj për Radio Kosovën.

Analistët vlerësojnë se trendi i ndikimit të Qeverisë karshi Kuvendit po vazhdon edhe gjatë këtij mandati dhe sipas tyre, sa herë që ka vendime ose ligje që i shkojnë për shtati kabinetit qeveritar apo liderëve të partive të koalicionit, Kuvendi detyrohet t’i nënshtrohet diktatit të Qeverisë, duke harruar demokracinë dhe Kushtetutën e Kosovës.

Më Shumë

Lajmet e Fundit