Kanë filluar të zbatohen masat e reja për të luftuar përhapjen e coronavirusit në Kosovë.
Për këto masa ka njoftuar Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia.
Sot, që nga mëngjesi qytetarëve u është lejuar të lëvizin jashtë shtëpive të tyre vetëm 90 minuta, kjo bëhet bazuar në numrin e parafundit të numrit personal, shkruan Front Online.
Në një përgjigje për “Front Online” nga Policia e Kosovës thuhet se gjatë 24 orëve të fundit ka evidentuar 33 raste ndaj 70 personave për mosveprim sipas dispozitave shëndetësore.
“Në ato raste kur nuk respektohen vendimet dhe dispozitat e caktuara që kanë për interes shëndetin publik dhe parandalimin e përhapjes së virusit, Policia e Kosovës ndërmerr veprimet ndëshkuese, ku gjatë 24 orëve të fundit ka evidentuar 33 raste ndaj 70 personave për mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë, ndërsa në total, nga 31 mars e deri më sot, janë 464 raste ndaj 872 personave”, thuhet në përgjigjen e tyre .
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po vazhdon punën e saj me angazhimin e personelit policor me orare të zgjatura, me qellim të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore si dhe zbatimin e vendimeve të institucioneve të RKS-së.
“Duke filluar nga data 15.04.2020 në ora 06:00 e mëngjesit sipas vendimit të fundit kanë filluar masat e reja të kufizimit të daljeve të qytetarëve dhe lëvizjes së automjeteve në të gjitha komunat e RKS-së, ku Policia e Kosovës vazhdon të angazhohet me kapacitetet e saja për të menagjuar me situatën dhe rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së rendit, sigurisë dhe shëndetit publik”.
Gjithashtu, në një përgjigje për “Front Online” nga Zyra për Informim, bënë të ditur se Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ka ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve të tjera relevante.
“Urdhëri operativ i PK-së, ka për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe ato lokale që janë kompetente për luftimin, preventimin e rreziqeve nga virusi në fjalë, si dhe përballjen me situatat e këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë”./Front Online/