12.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Diversanti

Hajdar MallakuShkruan: Hajdar Mallaku

Kur erdhi herën e fundit në fshatin Shëngjergj, unë isha tetë vjeç. Është xhaxhamadhi, më thanë, Xha Bajrami, vëllai i gjyshit Riza. Ashtu si më thanë, u besova, si u besohet prindërve, por një dyshim e kisha se e kisha. Gjyshi Riza ishte më i bëshëm, më i shkathët, më i veshur. Kur ia shtrëngoi dorën vëllait, m’u bë se u lidh një nyje gjaku, ku dora e tij ngjante me lopatën e një dhegërmuesi. Unë e merrja gjyshin si të veçantë, jo pse ishte imi dhe e njihja, por se të vetmin e shihja të punonte me një dorë. Nuk kishte djalë që e përdorte shatën vetëm me të djathtën. Ishte njeri i punës, i qetë e i vendosur, por i rrëmbyeshëm në raste të veçanta, si një rrufe që shkreptin patjetër në furtunë shiu. Kur vdiq, e përcollën në varr me nderime si njeriun që s’ke çka t’i kujtosh asnjë të keqe. Por ja që diçka ishte ruajtur. Kur njeriu nuk e kupton shpirtin e huaj ( e ai nuk e kuptonte as të vetin se vetëm me mund të madh mund të mbetësh gjallë), kur mat me mundësitë e veta edhe për tjetrin, edhe mund të hyjë në mëkat. Kur hoxha e pyeti xhematin: “A e njihni për të mirë?”- një zë u dëgjua “ Jo!” dhe e prishi harmoninë e zërave “Po-o-o!” Jo, tha xha Shabani, se na mundonte në shati (në të mihur). Ishte kjo një shaka që e fshihe brenda vetës një të vërtetë që zgjoi një të qeshur edhe në momentin e lamtumirës së fundit.
Në anën tjetër, kur e shikoja xha Bajramin, ai kishte një rritje mesatare: i hajthëm, i kërrusur përpara, me shikim jo të koncentruar dhe me të folur trap e trup. Mbante një veshje bariu, me një plis të bardhë që e kishte një rreth të verdhë nga djersët, me xhurdinë krahëve e pantallona zhguni që mbërtheheshin me kopsa. Në këmbë mbante opinga lëkure e shputka të vjetruara. Ishte thjesht njeri me të meta që nuk u martua fare dhe e vetmja punë që mund ta bënte ishte ta ruante bagëtinë. E pajtuan që këtë punë ta bënte atje te dajallarët e tij, në Pogaj.

Kur erdhi herën e fundit, në vitin 1948 i solli me vete dy muzetë si shpërblim në vend page dhe dy këlysh të zinj, racë fisnike e qenve dhe më nuk e pashë kurrë. Ishte kthyer në Pogaj dhe pas gjashtë vjetësh kish vdekur atje në mënyrë tragjike. E kishin shty bagëtia dhe e kishin hedhur në pus kur po u qitte ujë. Ishte vapë e drekës dhe askush nuk ju kish gjetur për t’i dhënë ndihmë. Kur e kishin parë xhurdinë në skaj pusi, u kish lindur dyshimi dhe e kishin nxjerrë trupin e tij të pajetë. E kishin varrosur në varrezat e fshatit Pogaj, duke e hapur pamjen si për mashkullin e shtëpisë.

Kufiri ishte mbyllur dhe nuk qe e mundur ta sillnin në fshatin e lindjes, në Shëngjergj. Ai më s’ishte kufi, ishte një klon i tmerrshëm që të shqyente me tela me gjemba, që regjistronte gjurmë në dheun e prashitur imët edhe po të kalonte miu, që e alarmonte tërë Shqipërinë po të prekej dhe që të mbyste me rrymë kudo që ta prekje. Po atë ditë, lajmin për vdekjen e tij, për te ne, e kishin sjellë përmes kroit të Gurit të Thatë ku merrnin ujë edhe Pogajt e andej kufirit dhe Martinajt e këndej kufirit. Një grua foli me zë me shoqet e saj, për të dëgjuar gratë e këndej kufirit, të cilat ajo i njihte mirë, por s’guxonte t’ua përmendte emrin. “Mori shoqe, tha gruaja, a dëgjuat se Bajram S. Mollaku ka vdekur, e kanë mbytur bagëtia në pus !” Gruaja e përsëriti dy a tri herë për ta kuptuar mirë gratë e këndej kufirit se nuk bëhej shaka me lajmin për mort. Se ishte pranuar lajmi, një grua e këndej kufirit ia ktheu: “ E morëm vesh, motër, Zoti i lashtë shëndosh !- foli ajo si të fliste me shoqet e saj. “Bez priçe !- u ngërmua ushtari serb që rrinte roje,- ili qe ostanite bez vode “ (Pa fjalë ose do mbeteni pa ujë). “A, mor i mallkuar !- foli dhe një herë gruaja. Ku kishte kufi dhembja për ndarjen e zemrës në dysh, për ndarjen e familjeve në dysh, për ndarjen e tërë Hasit në dysh, për ndarjen e atdheut të gjorë në dysh. I bashkonte kroi dhe i ndante, duke derdhur lot e jo ujë dhe ata lot duhej t’i pinin banorët e të dyja anëve. Lot për kroin kufi ku komunikonin ende në mënyrë enigmatike gjeneratat që ende njiheshin. E kur ato gjenerata i herri vdekja, të rejat nuk njiheshin, komunikimi zbriti në pikën zero. Dihej vetëm se edhe andej jetonin njerëzit e të njëjtit gjak. Nuk guxonte madje askush haptas të pyeste se kë e ka pasur andej kufirit. Ndarja ishte fizike e tash po bëhej dhe shpirtërore dhe kohore. Nëse kërkohej të dihej se kush kënd e ka pasur andej, kërkohej vetëm për t’u pasur si dëshmi për ndjekje, fajësim dhe dënim të asaj familjeje dhe personi. Armiku po e fuste thikën brenda gjakut shqiptar.
II

Në tubimin sekret të rrjetit të spiunazhit, mbajtur në Zyrat e Komitetit në fshatin Rrushëz, kryeudbashi Cucërr në mënyrën më konspirative urdhëroi: “Të gjithë jeni përgjegjës dhe duhet të zbuloni se ku kanë strehim diversantët nga Shqipëria, çfarë qëllimi kanë, me kë kontaktojnë, sa veta janë, çfarë armë bartin dhe mundësisht kush janë. Plani për kundërpërgjigje është sekret dhe do të dihet vetëm në momentin e zbatimit. Edhe ku nuk qarkullojnë ata, ju duhet ta fajësoni dike, por me një arsye të motivuar. Secilit do t’i jap udhëzime të veçanta dhe ato s’do të duhej t’ia tregoni as njëri tjetrit. Për këto punë syçeltësia duhet të jetë më e madhe se për familjet tuaja. Dënimi, për ata që s’i kryejnë detyrat, do të jetë tepër i rëndë. Por edhe favoret, për ata që punojnë me vullnetin maksimal për UDB-në, do të jenë shumë të mëdha.
Tash jeni të lirë dhe do t’u thërras një nga një. Ti Halit Tani rri këtu!”
“Bajram S. Mollaku nuk ka vdekur. Ky diversant i rrezikshëm hyn e del në Has kah do dhe kur do. Ecën para hundëve tuaja, e ju nuk e shihni. E kanë shpallur të vdekur për ta mashtruar opinionin jugosllav. Të jesh i vetëdijshëm për rrezikun që mund të na sjellë. Për mosangazhim dihet çka të pret…”
-Po ai ka v…..
– Çuti ! (Hesht !)
Ishin këto fjalët që do të fillonin rrënimin e xha Xhemës dhe të familjes së tij. E kishin krijuar djajtë sllavë një metamorfozë të kuqe, pasi kishin marrë informata se kush kë e ka andej. Kishin ata dhe spiunë të spiunëve. Kishin dhe s’kishin besim në askënd. Kishin caktuar pastaj njerëz për obstruksione e trillime. Kishin gjetur mjeranë që mund të dëshmonin rrejshëm.

Për rastin tonë u gjet njeriu i përshtatshëm. Halit Tani ishte një arrivist që donte të bënte karrierë komunisti. Kishte marrë shkollën fillore, ishte aktiv në rininë antifashiste, ishte pranuar në radhët e LKJ-së, por në prapavijë bënte një punë tjetër. Puna e parë që e bëri me këtë rast qe thurja e një intrige bindëse që e dërgoi që në raportin e parë. Në të pos tjerash shkruante: “Diversanti Bajram S. Mollaku doli nga shtëpia e Xh. Mollakut duke aguar dita e diel e muajit nëntor me dy shokë të tjerë. Në krahë mbanin karikatorë, ndërsa në brez revole dhe bomba të varura. Kishte zgjedhur natën me shi dhe mjegull për të mos rënë në sy. Kishte gjurmë që qonin drejt Shqipërisë dhe ditëve të tjera kur kishte lagështi. Planet e tyre do të zbulohen kur të arrestohen. Tepër sekret-Hutani”.

Nuk vonoi dy ditë dhe xha Xhemën e ftuan në polici. E kishin fajësuar se mbante terroristë dhe për këtë kishin dëshmi. Njëri syresh ishte xha Bajrami, xhaxhai i tij.
-Nuk është e vërtetë, zoti polic. Xhaxha Bajrami ka vdekur para sa vitesh.
-Kjo është gënjeshtër e Sigurimit. Ku e di ti ? Ke qenë ilegalisht në Shqipëri, ndoshta. Për këtë kam shënime të sakta. Ai është i gjallë dhe tejet i rrezikshëm. Ti e ke pasur në shtëpi, e di mirë, por do ta fshehësh. Sado që ta fshehësh e rrezikon vetën tënde dhe shtetin jugosllav.

-Ai s’ishte i aftë për veten e tij e po e rrezikon shtetin. Dhe unë nuk merrem me punë politike. Në dyzet e katërtën ma dogjën shtëpinë. U martova në shtëpi të huaj. Aty më lindi dhe djali, Luani. Pasi i bëra pesë vjet burg në Sentë të Vojvodinës, u ktheva dhe mezi e ndërtova shtëpinë. I mblodha anëtarët e familjes nën kulmin tim dhe mezi po e siguroj bukën e gojës. Edhe vëllanë e martova si munda. Më leni në hallet e mia, ju lutem !
-Ti je mjaft i rrezikshëm, ti fsheh armë. (Majku t’i jebem ! Nënën ta q…..”)
-Ako, druzhe, Ilija, ako. Psujte kolko hoqete…(Ani, shok Ili, ani. Shani sa të doni…)
-Në fund po të them: Lutu zot. Halit T., pranoje fajin dhe ai mund të të ndihmojë.
-Nuk kam çka të pranoj për një gjë që s’e kam bërë.
-Bezhi! (Shporru !) Videqesh kasnije… (Do ta shohësh më vonë…)
Ditët në vijim kaluan në ankth. Ç’do të ndodh sot e ç’do të pritet nesër ?. Nëse mbaroi dita, ç’do të sjell nata ? Spiunët s’i ndaheshin xha Xhemës si hienat e uritura. Më kryesori, Halit T. kurdiste takime gjoja se të rastësishme, por që ishin tejet të përnjëmendta. Herë merrej si shkas ndërrimi i kutive dhe ndezja e ndonjë cigareje, por bisedën e sillte rreth diversantëve që dilnin andej dhe këndej kufirit. Ai vetë ishte turpëruar me grupin antiterror kur në vend që t’i shtynte fishekët në gojën e pushkës dhe t’i shkrepte, i kish nxjerrë jashtë pa e shkrepur asnjë, sepse diversanti L. Mali ia kishte bërë terr e mjegull me breshëri plumbash kur pluhuri dhe ciflat e gurëve nuk e kishin lënë për ta çuar kokën.
-Pranoje, lalë Xhema, se unë do të shpëtoj. Edhe në të futshin në burg, unë do të nxjerr. Ti e heq qafe një herë e mirë këtë problem. Punën e ke pisk.

Ditët tjera vijuese sollën një marifet të paparë, por të menduar mirë. Kishin propozuar që t’i pranojnë anëtarë të Partisë, pa qenë prezentë, xha Xhemën dhe xha Kolën, djali i të cilit ishte arratisur në Shqipëri. Fill të nesërmen prapë e mbajtën mbledhjen e Partisë dhe i përjashtuan që të dy. Thanë se i kishin pranuar gabimisht, se kanë zbuluar që të dy mbajnë terroristë. Këtë e bënë me qëllim që në rast arrestimi, përgjegjësia dhe dënimi të jetë më i madh. Vinte radha ose në burg ose diversant. Diversantët caktoheshin të dilnin me dhunë përtej kufirit. UDB-a jugosllave e dinin kohën dhe vendin kur dilnin dhe ku dilnin dhe i vriste vetë. Ajo operonte sipas marrëveshjes së fshehtë edhe përtej kufirit. E pastaj e fajësonte Sigurimin shqiptar, krijonte fajtorin, i cili vriste si i pari.
Në takimin vijues prapë u përdor avazi i vjetër. Xha Xhema s’pati ku të shkojë dhe ia zbrazi të gjitha në fytyrë:
-Le të shkruhet e le të flitet çka t’ju bjerë ndërmend. Por, dëgjo këtu Halit Tani. Unë kam qenë në burg një herë dhe kam dalë. Nëse hyj prapë, ose më vrasin, e di që prej teje e kam. Në dalsha punët i kryej vetë, e në mos dalsha, djalit ia lë amanet. Ai i kishte atëherë tetë vjet dhe i kuptonte gjërat kur babai fliste me dikë në besim. Kurrë për këto nuk fliste me gjyshen dhe nënën. Kur kjo aferë kaloi, sepse Halit T. e larguan nga puna për paaftësi dhe frikacakëri, ai e la punën dhe ia mësyni kurbetit, u duk se mori frymë.
-Ja si trembet qeni… tha babai. S’kisha nga të shkoja më. U mbështeta për muri. Më mbeti mike vetëm qëndresa.
III
Kur e mori lajmin se nuk e kish fituar bursën, Luan Mollaku e kish kuptuar se murtaja e kuqe ishte ende prezent. Arsyetim nuk kishte, por mund të merrej me mend. Ai vinte nga një familje “me damkë” që s’i shërohej kurrë. Kish kuptuar më vonë se vinte e rritej sermaja e nacionalizmit serb dhe kupola e tij po mbulonte tërë popullin shqiptar, së pari ata të futur në listën e zezë e pastaj dhe të gjithë të tjerët. Kuptoi se bursë kishin fituar bijtë e spiunëve komunistë, të familjeve të pasura, madje dhe malazezi Gjuka që kurrë nuk e shkeli tokën e Hasit. Hajde socializëm, hajde !- tha me vete. Po e ndan drejtësinë me kajde. Unë djalë i shkëlqyer, 15 vjeçar dhe u bëra armik i popullit dhe i vetmi. Kur u ankua, të gjithë heshtën. Vetëm njëri, kryekomunari D. H. kish pyetur me imtësi për xhaxhamadhin Bajram. Dhe doli rastësia që e zgjidhi çështjen. E kish njohur vetë. “ Po a për atë si kanë dhënë bursë, a? Medet ! Po ai s’ka qenë hairi as sherri i askujt. Do ta marrë por vitin tjetër”. Dhe i doli ashtu. Të gjithë pastaj i thanë :”Unë të ndihmova”. Ai që qe i drejtë e tregoi vetën dhe sot i është mirënjohës.Të gjithë konkurrentët e tij i fundosi e vërteta. Nuk e kryen shkollën kurrë dhe përfunduan si dështakë. Dështuan dhe etërit tyre të zhytur në djallëzitë e Rankos.
U desh të rrënohen tri gjenerata. U desh t’i digjen tri shtëpi. I përcolli shtriga e kuqe gjysh e bir e nip e stërnip. Këtu duhet të përfundojnë të këqijat, Luan Mollaku. Mbijetove…

Më Shumë

Sonte nis Eurovision 2024

Sonte fillon edicioni i 68-të i Eurovision Song Contest. 15 këngë do të konkurrojnë, por vetëm 10 do të kualifikohen në finalen e madhe të...

1 Maji, Kurti thërret për solidaritet dhe organizim sindikal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka treguar për rezultatet e qeverisjes së tij në ekonomi, punësim dhe ngritjen e...

Lajmet e Fundit