3 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

E drejta e Kosovës, si e drejtë ndërkombëtare

Bujar DeskuBujar Desku
Tre vjet më parë, Kosova kishte betejën më delikate juridike dhe politike për subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Pas një procesi të gjatë deklaratash, seancash e ballafaqimeve diplomatike të blloqeve për dhe kundër, më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dha mendimin e padiskutueshëm, që pavarësia e Kosovës ishte në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat relevante të OKB-së.

Gjykata ka shkuar edhe më tutje, duke bërë të qartë se shpallja e pavarësisë nuk ka cenuar në asnjë mënyrë as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe as Kornizën Kushtetuese. Por, edhe me i fuqishëm u bë ky mendim kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së aprovoi atë dhe kërkoi nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në zgjidhje të problemeve praktike në mes tyre, si pjesë e proceseve integruese.

Opinioni Këshillëdhënës i GJND-së ishte i qartë, se nxjerrja e Deklaratës se Pavarësisë nga institucionet e Kosovës ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ne aspektin komperativ, legjitimiteti i pavarësisë së Kosovës mund të krahasohet me disa vende të tjera qe si rezultat i vazhdimësisë së tyre nga një territor tjetër të ketë fituar pavarësinë. Sipas të drejtës ndërkombëtare, Kosova i përmbush të gjitha kriteret të jetë një shtet i pavarur siç edhe është e paraparë nga Konventa e Montevideos (1933).

Kosova i përmbush të gjitha kriteret për të qenë shtet i pavarur dhe sovran. Nëse bëhet fjalë për territorin – në OKB ka 34 shtete me territor më te vogël se Kosova; nëse bëhet fjalë për popullatën – në OKB janë 58 shtete me numër më te vogël të popullsisë se te Kosovës. Një tjetër fakt që dëshmon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës është njohja nga mbi 100 shtete anëtare të OKB-së.

Shpallja e Mendimit të GJND-së, për ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës shënon arritjen më të çmueshme në konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë. Ky mendim ka konfirmuar në mënyrë të qartë dhe shprehës se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar asnjë normë ligjore të së drejtës ndërkombëtare.

Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ishte vendimtar për të ardhmen e Kosovës. Legjitimiteti që mori ndikoi në njohjet e reja apo se paku nuk vazhdoi të jetë arsye për mosnjohje nga shtetet që kishin ketë dilemë para mendimit të GJND-së.

Ky opinion, si argument i fuqishëm shtesë, ka rezultuar me një lobim më bindës për njohje të reja, perspektivë më të mirë dhe anëtarësim në disa organizata, mekanizma e institucione relevante ndërkombëtare.

Është evidente që mendimi i qartë i GJND-së në favor të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk ka ndikuar ende që 5-shja evropiane, Rusia dhe disa vende të tjera, të ndryshojnë qëndrim kundrejt njohjes së shtetit të Kosovës. Megjithatë, mendimi i GJND-së ka ndihmuar në një mënyrë tjetër: pa marrë parasysh kundërshtimet e Serbisë dhe të disa shteteve përkrahëse të saj ndaj legjitimitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, ekzistenca e saj si subjekt shtetëror në marrëdhëniet ndërkombëtare, tashmë pranohet në mënyrë të padyshimtë edhe nga një numër i konsiderueshëm i shteteve, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Për shembull, mbi 125 shtete tashmë pranojnë pasaportat e Republikës se Kosovës, në baza formale apo joformale. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së 64/298 (9 shtator 2010), e sponsorizuar nga BE-ja dhe Serbia, ishte shumë e qartë dhe ka mbyllur përfundimisht mundësinë e bisedave për status një herë e përgjithmonë.

Procesi i njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, është kushtëzuar nga rrethanat e veçanta politike dhe ligjore ndërkombëtare, në të cilat është pavarësuar Kosova.

Praktika ndërkombëtare e legjitimimit ndërkombëtar të shteteve të reja, pas vitit 1945, gjegjësisht që nga krijimi i OKB-së, dëshmon se ky proces kryesisht është realizuar, përmes anëtarësimit në OKB-së. Kjo, në thelb, ka nënkuptuar njohje kolektive të shteteve të reja, duke i bërë praktikisht të panevojshme njohjet nga shtetet veç e veç.

Duhet theksuar se rruga për sigurimin e njohjeve individuale është rruga më e vështirë dhe merr më shumë kohë. Asnjë nga fqinjët e Kosovës nuk kanë arritur më shumë se disa dhjetëra njohje formale bilaterale, sepse njohjen e kanë siguruar nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kosova duhet të përcjellë rrugët paralele për të arritur – një nga një – numrin më të madh të mundshëm të njohjeve, por po ashtu për t’i përmbushur obligimet, në mënyrë që vendi të bëhet anëtar i barabartë i OKB-së dhe BE-së.

Në rastin e Kosovës, mungesa e konsensusit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mbështetjen e propozimit të të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin e Kosovës, Presidentit Martti Ahtisari, për shkak të kundërshtimit të Rusisë, e ka detyruar Kosovën që të ndjekë rrugën e njohjeve individuale, për të arritur integrimin e plotë në bashkësinë ndërkombëtare.

E gjendur përballë këtyre specifikave, sigurisht se mendimi i GJND-se është situata me komfore të cilës politika dhe diplomacia e Republikës se Kosovës i referohet si pika më relevante gjatë lobimit

Ndërkaq, përveç këtij dimensioni, pas opinionit këshillëdhënës të GJND-se për legjitimitetin e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, Kosova dhe Serbia kanë mundësinë t’i tejkalojnë dallimet, të vendosin marrëdhënie dypalëshe dhe te zhbllokojnë rrugën e tyre, drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE). Dialogu dhe përfaqësitë respektive janë sinjalet e para ne këtë drejtim.

Prishtina vazhdon të shpresojë që opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), si pikë reference, do të nxisë më shume njohje, duke e përdorur këtë si argument të fortë në çdo “kërkesë” për njohje dhe realisht, pas mendimit të GJND-se janë rreth 30 vende që kanë njohur Kosovën.

Megjithatë, qëndrimet e pesë shteteve anëtare të BE-së dhe të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (sidomos Rusisë dhe Kinës), vështirë se do të mund të luhaten.

Mendimi këshillëdhënës i GJND-së ishte disfatë për Serbinë, duke i dhënë fund shpresës së Beogradit për të shfrytëzuar këtë organ gjyqësor si pikënisje për rihapjen e bisedave mbi statusin e Kosovës. Në përpjekje për ta marrë veten pas iniciativës në GJND, Beogradi u armiqësua edhe më shumë me shtetet e BE-së, kur më 28 korrik, në kuadër të reagimit ndaj mendimit të GJND-së, propozoi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara një projekt-rezolutë, e cila nuk qe koordinuar paraprakisht me Brukselin.

Në Kosovë, vendimi i GJND-së kishte ndihmuar në zvogëlimin e frustrimit të prodhuar nga procesi i ngadalshëm i njohjeve dhe nga qasja neutrale ndaj statusit realisht e pëlqyer nga KB-të.

Duke pasë parasysh gjithë këtë kronologji procesi, pa asnjë dyshim, mendimi këshillëdhënës i GJND-së përbën një fitore të madhe për Kosovën dhe humbje, po aq të madhe, për Serbinë. Në thelb, ai legalizoi pavarësinë e Kosovës dhe minimizoi përpjekjet e Serbisë, dhe faktorëve të tjerë kundërshtues për zhbërjen e saj, nën maskën e mbrojtjes të së drejtës ndërkombëtare.

Mendimi këshillues i GJND-së rikonfirmoi, edhe një herë tjetër, më me forcë, se e drejta ndërkombëtare përbën një sistem të tërë parimesh e normash, në të cilin nuk ka hierarki. Në këtë kuptim, parimi i respektimit të sovranitetit shtetëror nuk ka epërsi mbi atë të vetëvendosjes së popujve, tezë së cilës i përmbahen pseudolegalistët serbë dhe mbështetësit e tyre.

Me mendimin e saj, GJND dëshmoi se e drejta ndërkombëtare, në përgjithësi dhe Karta e OKB-së, mbron sovranitetin e popujve, ajo nuk ka kuptimin e një license për qeveritë, që ato të nëpërkëmbin të drejtat njerëzore dhe dinjitetin dhe se sovraniteti nënkupton përgjegjësi, jo vetëm pushtet.

Kosova në “agjendën” e GJND-së

Me rezolutën 63/3 të miratuar më 8 tetor 2008, Asambleja e Përgjithshme i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, organit kryesor gjyqësor të Kombeve të Bashkuara, dhënien e një mendimi këshillëdhënës në pyetjen nëse Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Rezoluta është miratuar me 77 vota për, 6 kundër dhe 74 abstenime.

Kjo çështje u fut ne rend dite të AP-së, pas kërkesës së Serbisë, të përmendur me lart, e cila kërkonte që kjo gjë të shkonte ne GJND.

Mbështetur në nenin 65(2) të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 30 janar 2009, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i ka dorëzuar Gjykatës një dosje me dokumente që mund të hidhnin dritë në pyetjen e kërkuar. Gjykata ka përcaktuar afatet kohore brenda të cilave shtetet e interesuara do të mund të paraqisnin deklaratat, përkatësisht komentet me shkrim, si dhe më vonë ka vendosur dhe përcaktuar dinamikën e mbajtjes së seancave dëgjimore. Gjykata e ka ftuar edhe Kosovën që të paraqesë kontributet me shkrim dhe të marrë pjesë në seancat dëgjimore.

Në fazën e parë me shkrim, deri më 17 prill 2009, 37 shtete kanë dorëzuar deklarata me shkrim. Në fazën e dytë, atë të komenteve ndaj deklaratave me shkrim, komente me shkrim kanë paraqitur 15 shtete. Në periudhën midis 1 dhe 11 dhjetorit 2009, Gjykata ka organizuar seanca dëgjimore, me të cilin rast argumentet e tyre i kanë paraqitur 29 shtete. Republika e Kosovës ka marrë pjesë në të gjitha fazat e procesit në Gjykatë.

(Bujar Desku është autor i librit “Interpretimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës nga GJND”)

Më Shumë

A është ky adresimi i Parashqevi Simakut?

Profili në facebook është i krijuar në emër të saj, më datë 16 dhjetor 2024. Në të, këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Parashqevi Simaku, e cila...

Diskutohet Plani Zhvillimor i Prizrenit

Të martën, në sallën e mbledhjeve të Kuvendit të Prizrenit, u organizua një takim publik me qytetarët, gjatë të cilit u prezantua vlerësimi i...

Lajmet e Fundit