2.8 C
Prizren
E hënë, 3 Shkurt, 2025

Dy të akuzuar për narkotikë kanë një kërkesë nga Gjykata e Prizrenit

Gjon Krevja dhe Kristina Zefi, të dytë nga Shqipëria, të mërkurën, përmes mbrojtësve kanë kërkuar që aktakuza ndaj tyre për blerje, posedim, transport dhe shitje të narkotikëve, të hedhet poshtë si e pabazuar.

Në shqyrtimin e dytë të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, mbrojtësi i të akuzuarit Krevja, avokati Betim Shala, ka deklaruar se nuk ka prova brenda shkresave të lëndës që tregon saktë vendin dhe datën e kryerjes së veprës penale të pretenduar.

Tutje, Shala, ka shtuar se nuk gjendet asnjë dokument raportues nga policia në fazën e hetimeve që të tregojë se çka është zbuluar gjatë përgjimeve të bëra. Sipas tij, po ashtu mungon raporti i bastisjes dhe zinxhiri i provave, i cili do të tregonte saktë se për cilën ditë po behët fjalë dhe në bazë të cilës urdhëresë është bërë përgjimi i telefonatave, andaj ka kërkuar që të hedhet poshtë aktakuza si e pabazuar.

Gjithashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarës Kristina Zefi, avokati Skender Morina, ka kërkuar që aktakuza ndaj të mbrojturës së tij të hedhet poshtë sepse, siç thotë ajo bazohet në supozime dhe nuk ka prova të mjaftueshme për të formuar dyshimin e bazuar mirë se e akuzuara ka kryer veprën për të cilën akuzohet.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka kërkuar nga gjykata që të refuzojë si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe për hedhjen e aktakuzës. Sefa ka thënë se aktakuza bazohet në prova të ligjshme dhe të pranueshme për gjykatën e të cilat formojnë dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka njoftuar palët se rreth kërkesave të mbrojtjes do të vendosë jashtë seance.

Gjon Krevja dhe Kristina Zefi, akuzohen se në bashkëkryerje kanë ndërmjetësuar transportin e substancës narkotike në sasi prej rreth 40 kg, nga Shqipëria për në Kosovë, me qëllim që të njëjtën ta shesin.

Sipas aktakuzës, të pandehurit pasi kanë rënë dakord me shitësit nga Shqipëria, kanë angazhuar personin Afrim Milla, që substancën narkotike në sasi prej 40 kg, ta transportojë ilegalisht përmes kufirit Shqipëri-Kosovë.

Aktakuza përshkruan se si Afrim Milla, i cili po ashtu akuzohet për këtë rast në një tjetër lëndë penale, duke shfrytëzuar bregun e liqenit të fshatit Vërmicë, ka bartur dy thasë me marihuanë me qëllim që t’ua dorëzojë dy të akuzuarve Krevja dhe Zefi. Ai ishte hasur nga policia kufitare e Kosovës, andaj i njëjti kishte hedhur thasët dhe duke vrapuar, para se të arrestohej, kishte thirrur në telefon të akuzuarit për t’iu treguar se është kapur nga policia./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Lajmet e Fundit