Lëvizja Vetëvendosje ! në Prizren, publikon 43 zotimet e kandidatit për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Shtjellimi në tërësi i programit, do të bëhet ditën e martë para ekspertëve të fushave përkatëse.
“Me Prizrenin nuk do të qeverisë vetëm Lëvizja VETËVENDOSJE!, por do të bashkëqeverisë me qytetarët. Qeverisjen e mbështetur në 43 pikat do ta realizojmë bashkarisht. Do të kemi komunë transparente, sikur asnjëherë më parë”, tha Haskuka.
“Do të jemi të hapur për prokurim, ndërkaq për punësimet qytetarët do të informohen përmes faqeve zyrtare. Brenga e prindërve për fëmijët e tyre gjatë orarit në shkolla do të jetë minimale. Kuptohet që nëpërmjet zhvillimit ekonomik edhe siguria e qytetarëve do të jetë më e madhe”.
“Kjo strukturë aktuale është e kriminalizuar, ka gati një vit që ka lënë me qindra banorë të ngujuar, vetëm shkaku i një rruge. Aq i lart është niveli i korrupsionit tek ta, sa edhe banesa për invalidë të luftës ndërtohet pa ashensor”.
“Programi 43 pikësh do ta ndryshojë Prizrenin, do ta ndryshojmë mendësinë qeverisëse, dhe më në fund, qytetarët e Komunës së Prizrenit do të mund ta jetojnë një jetë normale.”
43 Zotimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Komunën e Prizrenit
- Riorganizimi i trafikut në rrethin e parë unazor dhe në Qendrën historike
- Ridizajnimi i konceptit të trafikut urban me qëllim reduktimin e shfrytëzimit të veturave, transport publik për çdo lagje dhe rajon të Komunës, me kosto të përballueshme.
- Ndërtimi i së paku 300 vende të parkingut publik në unazën e brendshme të qytetit.
- Infrastrukturë që i përshtatet personave me nevoja të veçanta.
- Hartimi e publikimi i hartave turistike dhe kalendarit turistik.
- Depolitizimi i sistemit arsimor, punësime me transparencë të plotë dhe me pjesëmarrje të komunitetit gjatë zgjedhjes se drejtorëve të shkollave.
- Ndërtimi i katër çerdheve me kosto të përballueshme.
- Shujtë ushqimore dhe qumësht falas për nxënësit deri ne klasën e 5-të.
- Hapja e laboratorëve të fizikës, kimisë dhe biologjisë, kabinete të muzikës, realizimi i vizitave sistematike mjekësore në shkolla si dhe dollapë për nxënësit në çdo klasë.
- Programimi i orëve plotësuese për nxënës me talente të veçanta dhe orë plotësuese për nxënës që në mënyrë të përsëritur kanë rezultate tepër të ulëta.
- Organizimi i turneve sportive për nxënës të shkollave fillore për identifikim të talenteve dhe mbështetja e këtyre talenteve nga komuna për të vijuar në klube sportive.
- Riorganizimi dhe funksionalizimi i Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare, pajisja me mjete, laboratorë funksionalë dhe trajnim i personelit mjekësor.
- Krijimi i shërbimit të rregullt mobil shëndetësor (më së paku dy automjete).
- Krijimi i Qendrës së kujdesit ditor për pensionistë dhe transport publik falas për çdo pensionist.
- Krijimi i punkteve për ushqim dhe veshmbathje për personat në nevojë.
- Përmirësimi i furnizimit me ujë për të gjitha lagjet dhe fshatrat e Komunës.
- Largimi i deponive ilegale dhe rregullimi i ujërave të zeza në deponinë e Landovicës.
- Ndërtimi i kanalizimit për: Kurrillë, Arbanë, Randobravë, Piranë, Malësi të Vërrinit, Bajram Curr dhe Nashec.
- Themelimi i tregut lëvizës për prodhimet vendore.
- Rritje e subvencioneve në bujqësi dhe blegtori.
- Transparencë radikale në çdo proces të punësimit, shpenzimeve dhe prokurimit.
- Modernizim dhe dixhitalizimi i Qendrës për Shërbim të Qytetarëve, krijimi i “One Stop Shop”.
- Zvogëlim i numrit të drejtorive.
- Ndalja e të gjitha ndërtimeve pa leje dhe përfundimi i procesit të legalizimeve.
- Zgjerimi i ndriçimit publik në secilën lagje dhe në secilin fshat, brenda 4 viteve.
- Kthimi i hapësirave publike tek qytetarët dhe lirimi i trotuareve.
- Krijimi i më shumë hapësirave të gjelbra dhe rekreative për çdo lagje dhe fshat.
- Pastrimi i shtratit të lumenjve Drini i Bardhë dhe Lumbardhi.
- Funksionalizimi i ndërtesës së shkollës së parë të mesme në trojet shqiptare “Ruzhdije.”
- Shqyrtimi i hapësirave të reja për funksionalizmin e bibliotekës së re të qytetit.
- Zgjerimi i hapësirave për arkivin e Komunës.
- Renovimi i stadiumit të Lirisë.
- Themelimi i Këshillit për “Prizrenin në UNESCO”, me synim përmbushjen e kritereve për aplikimin e suksesshëm.
- Implementimi i planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit
- Funksionalizimi i parkut të biznesit në pronat e komunës.
- Hapja e Qendrës për ndërmarrësi dhe inovacion.
- Inicimi i rregullimit të çështjes pronësore për kinemanë “Lumbardhi”.
- Fasadimi i shtëpive në Qendrën Historike te Prizrenit.
- Sinjalizim nëpër rrugë i monumenteve të rëndësishme dhe hoteleve.
- Ndriçimi i objekteve të trashëgimisë kulturore.
- Studim i fizibilitetit për potencialin turistik të Prizrenit.
- Brendimi i Prizrenit si vend turistik.
- Programi për zhvillim: konsulencë për investimet e Diasporës, konsulencë për zhvillimin e biznesplaneve, për aplikimin në grante ndërkombëtare, bashkëfinancim deri 10% për grante ndërkombëtare dhe subvencionimi i pjesëmarrjes së bizneseve në panaire ndërkombëtare.