Ndërtimi i një teleferiku për kalanë e qytetit historik të Prizrenit, ka kohë që është premtuar nga drejtuesit e kësaj komune. Por, realizimi i tij nuk duket askund.
Opozita deklaron se nuk janë të njoftuar se deri ku ka mbërritur një projekt i tillë, ndërkohë kryetari i Prizrenit shpreson që deri në pranverë, të ketë një projekt të detajuar nga agjencia qeveritare e Zvicrës “Sëis Contact”.
Në kalanë e Prizrenit, ata që mund të ngjiten deri atje, mund të marrin informacione historike që nga koha e neolitit. Por ata që nuk mund të ecin, mundësinë e vetme e kanë që kalanë ta shikojnë nga poshtë.
Komuna kishte premtuar ndërtimin e një teleferiku për bartjen e vizitorëve, për t`u ofruar qasje të gjithëve që ta shohin kalanë dhe nga atje Prizrenin, por pakkush ka informacion se çfarë ndodhi me këtë plan. Madje as kuvendarët opozitarë nuk kanë informacion për fatin e projektit.
“Na është thënë se është duke u bërë plani i fizibilitetit, janë duke punuar ekspertët për gjetjen e formës se si do të implementohet ky projekt. Megjithatë shkuan dy vite qeverisje dhe nuk ka asnjë lëvizje drejt realizimit të këtij projekti”, tha Haziz Hodaj nga LDK.
Kurse, Karanfil Haxhillari nga Vetëvendosje thekson se si kuvendarë i Komunës së Prizrenit, nuk ka parë ndonjë projekt ideor apo para-projekt për teleferikun.
Ndërtimi i teleferikut mirëpritet nga ata që kanë detyrë të merren me kalanë e Prizrenit sikurse menaxheri i saj, arkeologu Shafi Gashi.
” Shpresoj në një debat konstruktiv se si do të implementohet ky projekt, sepse duhet parë maksimumi që të ketë qasje kalaja, por jo qasje të tillë që e dëmton monumentin”, tha ai.
Për këtë projekt është pyetur edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj. Ai thotë se në fillim të vitit 2023 u nënshkrua marrëveshje trepalëshe mes komunës, agjencisë qeveritare zvicerane Sëis contakt dhe Ministrisë së infrastrukturës.
“Në emelin e fundit që e kam marrë nga kjo agjenci më kanë tregu për pengesat objektive që e pamundësuan realizimin e këtij projekti. Më kanë tregu për bashkëpunimin e mirë të infrastrukturës rreth ndarjes së mjeteve, që plani detal implementues të finalizohet. Unë pres që, në pranverë ta kemi atë plan implementues, pastaj pjesa tjetër do të varet nga alokimi i mjeteve nga ministria dhe procedurat tenderuese”, tha ai.
Kështu, shpresat për ndërtim e shpejt të teleferikut duken shumë të vogla. Në bazë të propozimeve të deritanishme, ishte parashikuar që teleferiku të vendoset në pjesën e pasme të kalasë së Prizrenit, pa dëmtuar zonën e mbrojtur të qytetit.RTK