8.8 C
Prizren
E diel, 22 Shtator, 2024

Erling Haaland thyen rekordin e Kylian Mbappe në Champions League

Erling Haaland ka thyer një rekord të Champions League të mbajtur më parë nga Kylian Mbappe, pasi shënoi një dygolësh në fitoren 3-1 të Manchester City-t jashtë fushe ndaj Young Boys të mërkurën.

“Qytetarët” u detyruan të punonin për tre pikët e tyre kundër një ekipi të vështirë të Young Boys, por golat nga Haaland (2) dhe Manuel Akanji në fund siguruan që kampionët në fuqi të Evropës të ruanin fillimin e tyre të përsosur në Grupin G.

Pas një pjese të parë pa gola, Akanji hapi rezultatin tre minuta pas pushimit në kthimin e tij në Zvicrën e tij të lindjes, përpara se Meschak Elia të rivendoste barazinë për vendësit vetëm katër minuta më vonë.

Haaland e ktheu Man City-n në avantazh nga pika e bardhë e penalltisë, përpara se të realizonte një tjetër gol vetëm katër minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes, duke vulosur fitoren e skuadrës së Pep Guardiola-s.

Manchester City është në prag të rezervimit të vendit të tyre në raundet eliminatore të Champions League pasi ata tashmë janë në krye të Grupit G dhe pesë pikë mbi Young Boys dhe Crvena Zvezda në vendin e tretë dhe të katërt respektivisht, ndërsa RB Leipzig është tre pikë larg, në vendin e dytë.

Në moshën vetëm 23 vjeç e 96 ditë, Haaland është bërë lojtari më i ri në histori që ka shënuar 37 gola në Champions League.

Norvegjezi ka thyer rekordin e mbajtur më parë nga ylli i Paris Saint-Germain Mbappe, i cili arriti në 37 gola në moshën 23 vjeç e 295 ditë.

Haaland ka përfunduar një seri prej pesë ndeshjesh dhe 543 minutash pa gol Champions League për të arritur këtë arritje, me golin e tij nga penalltia kundër Young Boys i pari i tij në këtë kompeticion që kur gjeti rrjetën në një barazim të ndeshjes së dytë çerekfinale me Bayern Munch në mes të prillit.

“9”-shi i Manchester City-t ka shënuar në mënyrë të jashtëzakonshme 37 golat e tij në Champions League në vetëm 33 ndeshje, duke përfshirë 14 gola në po aq ndeshje për “Qytetarët”, 15 gola në 13 ndeshje për Borussia Dortmund dhe tetë gola në gjashtë paraqitje për Red Bull Salzburg.

Haaland fitoi çmimin Këpuca e Artë e Champions League sezonin e kaluar pasi shënoi 12 herë në 11 ndeshje, dhe dygolëshi i tij kundër Young Boys e ka vënë atë në garë për të ruajtur çmimin individual këtë sezon në këtë fazë të hershme, pasi ai qëndron vetëm një gol pas shtatë emrave duke përfshirë shokun e skuadrës Julian Alvarez dhe Jude Bellingham të Real Madrid-it.

Që kur bëri debutimin e tij profesional në nivel klubi në vitin 2016, Haaland ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në 115 gola në 100 paraqitjet e tij të fundit në të gjitha garat, duke shënuar 96 gola dhe duke regjistruar 19 asistime.

63 nga këta gola janë shënuar në 67 ndeshje për Manchester City-n, me dygolëshin e tij të fundit duke e çuar atë në 11 gola në 14 paraqitje në të gjitha turnetë këtë sezon.

Haaland do të përpiqet të rrisë numrin e golave të tij kur Man City të udhëtojë në “Old Trafford” për t’u përballur me rivalët Manchester United, të cilëve norvegjezi iu shënoi tre herë sezonit të kaluar, në Premier League të dielën.Albanian Post

Më Shumë

Aksion për dhurimin e gjakut në Prizren

Sot, në Prizren, u zhvillua një aksion i rëndësishëm për dhurimin vullnetar të gjakut, organizuar nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut...

Amarildo Bakaj nuk di të ndalet, detyron ganezin që të dorëzohet

Amarildo Bakaj është i pandalshëm. Boksieri shqiptar ka arritur një tjetër fitore ndaj ganezit Maluwi Folivi, një ndeshje ku kundërshtari është detyruar që të...

Lajmet e Fundit