15.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Falja e gjakut në emër të Zotit dhe kombit

Në emër të Zotit dhe Kombit, Zenel Tarjani nga Pirana e Prizrenit, të dielën e kaluar, fali gjakun e djalit, Rrahimit, të vrarë para pesë viteve nga Ndue Qeta. Falja e gjakut u bë pa asnjë kusht. Pajtimin e këtyre dy familjeve e ndihmuan udhëheqësit fetarë të besimit katolik e mysliman. Express sjell rrëfimin e protagonistëve të kësaj ngjarje.

Dita e 12 e muajit të shenjtë të Ramazanit ishte më e rënda për Zenel Tarjanin nga Pirana e Prizrenit. Përveç mundit dhe sakrificës për fenë dhe Zotin, ai vendosi të falë gjakun e djalit të vrarë para pesë viteve nga Ndue Qeta nga Smaqi. Dorën e pajtimit ia shtriu vëllait të tij, Viktorit.

Këtë e bëri në emër të kombit dhe vëllazërisë. Në emër të shqiptarisë.

Nuk dha asnjë kusht, nuk kërkoi asgjë e as nuk do që të marrë hak asnjëherë. Për të askush nuk duhet të përjetojë atë që përjetoi ai dhe familja e tij. Nuk do që të ketë përsëri humbje. Askush nuk guxon t’ia marrë askujt jetën. Sidomos vëllai vëllait.

Zenel Tarjanin e takuam para dyerve të oborrit të tij.

I mërzitur dhe i lodhur ofshante derisa sillej përreth shtëpisë dhe vështronte tokat e tij, të cilat do t’i trashëgonte djali, Rrahimi.

Zeneli thotë se pas vite pas vrasjes e përjetoi njëjtë humbjen e djalit edhe ditën kur vendosi të falë gjakun e tij.

Rrahim Turjani ishte vrarë më 5 maj të vitit 2010 në situatë të pasqaruar krejtësisht, derisa falja e gjakut të tij ka ndodhur më 28 qershor të këtij viti.

Babai i Rrahimit thotë se nuk do ta kthejë më kokën pas.

“Nuk është e lehtë me e falë gjakun e djalit”, thotë Zeneli, i cili s’dëshiron të flasë gjatë për këtë ngjarje.

“Unë e di çka kamë përjetuar kur e kam bë këtë. Nuk dua me përjetu atë moment tu e kujtu prapë”, deklaron ai, derisa largohet duke i rrjedhur lotët nga sytë.

“Më falni”, “më falni”, përfundon ai.

Por, është dikush tjetër që flet për këtë falje të gjakut.

Prifti katolik i fshatit Velezhë të Prizrenit, Don Robert Jakaj bashkë me hoxhallarët e Prizrenit, Fetah Bekollin e Xhevat Kryeziun kishin ndërmjetësuar për tri vite rresht për t’i pajtuar familjen e përkatësisë myslimane me atë katolike.

Edhe në këtë rast ishin përdorur rregullat e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Familja e të vrarit për pesë vite i kishte dhënë vetëm 10 ditë “besë”. Besa, sipas Kanunit, është siguria e familjes së të vrarit se nuk do të marrë hak kur i jepet “besa” për të lëvizur të lirë.

Prifti Jakaj tregon për Gazetën Express momentin kur babai i Rrahimit kishte dhënë fjalën e faljes së gjakut të djalit, duke shpresuar që ngjarje të tilla të mos ndodhin kurrë më.

“I zoti i shtëpisë Zenel Tarjani tha para Këshillit të Pajtimit, hoxhallarëve e priftërinjve dhe mbarë popullit shqiptarë: “Ua fali gjakun e djalit, por me një lutje që duke patur kujdes të mos përsëriten më”, citon Prifti Jakaj fjalët e Zenelit.

Pas kësaj, prifti tregon se hoxha Xhevat Kryeziu i pranishëm në faljen e gjakut, kishte reaguar duke i thënë “hallall të qoftë, të lumtë e qofsh faqebardhë”.

Jakaj kujton se ditën kur u bë pajtimi i dy familjeve ishte lutur që të mos ketë më gjakmarrje.

“Shqiptarë muslimanë e shqiptarë katolik, ne jemi të një gjaku, të një shpirti, të një gjuhe dhe të një nënë… Me mish e me shpirt ta çrrënjosim të zezën e madhe – gjakmarrjen!”, ishin fjalët e priftit.

E për hoxhën Fetah Bekolli, që për vite të tëra është ‘shërbëtorë’ i këtij misioni të shenjtë të pajtimit, ky ishte një nga rastet më të vështira dhe të komplikuara pavarësisht se ka ndërmjetësuar në pajtimin e shumë familjeve të kësaj ane.

“Ky pajtim është më domethënës”, vlerëson Bekolli dhe jep arsyet.

“U fal gjaku një vllau tonit të besimit Katolik. Dhe Zeneli e ka falë gjakun e djalit në mënyrën më burrnore”, ka shtuar ai për Gazetën Express.

Të dy klerikët fetarë, Hoxha Fetah Bekolli dhe Prifti Robert Jakaj theksojnë se kjo është një tjetër dëshmi se në Prizren, ashtu si kudo që ka shqiptarë, ekziston harmonia dhe toleranca midis feve të ndryshme si karakteristike e çmuar e së kaluarës dhe të sotmes.

“Nga historia e së kaluarës kemi plot dëshmi që vërtetojnë ekzistencën e tolerancës dhe të bashkëjetesës pa probleme të shqiptarëve të besimeve të ndryshme”, thotë Don Robret Jakaj.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Ndout në Smaq, sot i kishte dyert e mbyllura. Të afërmit e tij treguan se atje banon vetëm nëna e tij, por që ne nuk e gjetëm. E për vëllain e Ndout, Viktorin, i cili ishte i pranishëm kur iu fal gjaku i familjes, thonë se menjëherë të nesërmen është kthyer në Zvicër, ku edhe banon.

Ndue Qeta ishte dënuar me 12 vite burgim për vrasjen e Rrahimit derisa të afërmit presin të ulët dënimi pas pajtimit të familjeve. /GazetaExpress/

Më Shumë

Shqetësime për shëndetin e Mike Tyson para duelit me Jake Paul

Shqetësime të reja janë ngritur në lidhje me ndeshjen e ardhshme profesionale midis YouTuber-it të kthyer në boksier Jake Paul dhe ish-kampionit të peshave...

Dita Ndërkombëtare e Xhazit, UNESCO: Festohet në 190 vende

Sot kremtohet Dita Ndërkombëtare e Xhazit, e cila do të festohet në më shumë se 190 vende të botës. Mikpritësi zyrtar për festimet e...

Lajmet e Fundit