18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Fevziu: Dokumentet nuk vërtetojnë se Gurakuqin e vrau Zogu

Ahmet Zogu-liberJeta e Ahmet Zogut në Vjenë, vendi që oficerin oriental e ktheu në oksidental, mbetet ende mister. Ashtu sikundër mbetet ende e paqartë se si ai i njohu mantenutat e veta, apo pse, regjimi komunist që e ‘kishte në dorë’ jetën e tij, e la të gjallë.

Blendi Fevziu, sjell një libër biografik me titull “Ahmet Zogu. Presidenti që u bë mbret”. Në të, përfshihet gjithë jeta e mbretit, prej shënimeve të para për matjanin e deri madje, edhe në varrimin e tij në Shqipëri, dy vite më parë. Ndërsa fillimisht për të flitet duke e identifikuar me emrin Ahmet Murtar, siç edhe figuron i përmendur në dokumentet e para, ai ngrihet nga një kapitull në tjetrin duke u përmendur si Mbreti i Shqiptarëve, e deri në fund, kur i humbi të gjitha.

Fevziu, nuk i ka kursyer rrëfimet për jetën luksoze të mbretit në ekzil, ashtu sikundër në fakt përshkruhej jeta e tij, vilat që bleu, hotelet e shtrenjta ku jetoi, valixhet që e shoqëruan, shpenzimet kolosale për kohën, që po të tilla tingëllojnë edhe në vlerën monetare të sotshme, ashtu sikundër nuk është kursyer për të treguar, vetminë e mbretit të shqiptarëve, kur vjen puna tek koha, që të gjithë i kthyen krahët.

Jeta personale e tij, femrat e dyshimta, që i kishte njohur nëpër kabare ai vetë ose njerëzit që ai mbante afër, dalin në pah pa dorashka, edhe pse mbetet shumëçka dihej për to, Fevziu nuk kursehet në detaje, mbi të huajat që i qëndruan pranë mbretit beqar.

Shënohet edhe se në kohën e Zogut, kishte linja avioni drejt katër qyteteve, çka sot mungon.

E hapni librin me këtë fjali: Këtë libër ia dedikoj gjërave të pamundura, të botës, atyre që duam e nuk i arrijmë dot. Çfarë është e pamundura për ju?
Ashtu siç e kam thënë më sipër, “e pamundur” është ajo gjë që e duam dhe për hir të rrethanave dhe jo të aftësisë sonë, nuk mund ta kemi. Unë kam cituar Zogun që citonte nga ana e tij Napoleonin. Të dy ishin njerëz që fati i kishte përkëdhelur, i kishte veshur me triumf dhe lavdi në një moshë shumë të re. Të mbushur me sukses, ata mendonin se e pamundura nuk ekziston dhe në fund, që të dy, u bënë pre e gjërave të pamundura. Asnjëherë njeriu s’duhet të ketë besim se mund të bëjë dhe të fitojë gjithçka. E pamundura mbetet e pamundur, aty ku është. Ka të bëjë me limitet njerëzore, qofshin këto edhe fizike.

Në ç’moment Ahmet Murtar u bë Ahmet Zogu? Në ditën e kthimit të tij pas shtatë vitesh mungesë?
Jo, shumë më vonë. Atëherë kur stili më europian i përdorimit të mbiemrit, dominoi stilin osman të përdorimit të dy emrave. Për shembull. Ismail Qemali, e ka emrin Ismail Qemal Vlora. Pra Ismail Vlora. Por si një funksionar i Perandorisë Osmane ai thirrej me dy emrat e tij dhe kështu mbeti në histori.

Si ka mundur Zogu 18-vjeçar të arrijë të takojë deri tek Princ Vidi, apo personazhe të rëndësishme politike të kohës?
Ky mbetet mister. Ka takuar Princ Vidin, kryeministrin e Serbisë, komandantin e përgjithshëm të Austro-Hungarisë e të tjerë. Kjo nga mosha 17 deri në 21 vjeç. Është një prej mistereve, por me gjasë lidhet me mbështetjen që ai kishte në zonën e tij dhe me numrin e “trimave” të armatosur që kishte pas. Në ato zona asnjë s’donte probleme dhe zgjidhja më e mirë ishte negocimi me Zogun. Përveç kësaj ai kishte shfaqur një lloj karizme të admirueshme dhe kjo binte lehtë në sy.

Zogu në Vjenë takonte zonja të njohura, shkonte në opera dhe njihej me shqiptarët që jetonin atje. Si është e mundur që ka mister rreth atyre dy viteve, si e shpjegoni?

Nuk di të them. Nuk ka pothuajse asnjë informacion të plotë rreth jetës që ai bënte në Vjenë në vitet 1916 – 1919. Ka copëza kujtimesh të shqiptarëve që e kanë njohur, por edhe ato mjaft të zbehta.

Viti 1921 e gjen Zogun duke ngjitur karrierën me kryengritjen e Mirditës, por edhe dhëndër i Shefqet Verlacit. A ishte kjo fejesë lëvizje e tij politike?
Po padyshim. Nëse e sheh tani, kjo ishte më shumë një martesë që tentonte të konsolidonte aleancat e tij dhe jo zemrën e tij.

Pse e fali ai Beqir Valterin për atentatin, kur nuk ka falur shumë armiq?
Me sa di unë ai i ka falur pothuajse të gjithë armiqtë ose kundërshtarët e tij. Por padyshim ka pasur shumë nga ata që nuk e kanë pranuar faljen e tij. Kanë vijuar të mbeten kundërshtarë. Pati që e pranuan dhe nga armiq u bënë bashkëpunëtorë. Kjo është një histori që vetëm me bardhë e zi nuk shpjegohet dot.

Sa reale janë tentativat italiane për ta rrëmbyer Zogun?
Përmenden në të gjithë librat me kujtime, por duhet të them që përmenden vetëm nga njerëzit pranë Zogut dhe diplomatët britanikë dhe amerikanë që citojnë ata. Nuk vërtetohen nga burime Italiane.

Pse një udhëheqës që ka lyer duart me gjak, si shumë bashkëkohës të tij e ndihmon me 890 dollarë Nolin dhe pse ky i fundit refuzoi dasmën apo ardhjen për ngritjen e një universiteti? Janë luhatjet e raporteve të tij me të dhe me Konicën?
Marrëdhënia e Zogut me Nolin dhe Konicën është shumë komplekse. Me Nolin ai ishte kundërshtar i mirëfilltë politik. Noli ishte sfidanti i tij kryesor, por me kalimin e kohës, pas mërisë së parë, Noli e pranoi faktin që Zogu i ishte imponuar politikës dhe kishte ardhur në krye të Shqipërisë. Nuk mendoj se Noli ndryshoi mendim për Zogun sepse ky i dërgoi disa herë ndihma financiare. Konica kishte një tjetër kundërshtim me të. Ai nuk e shihte Zogun aq oksidental sa mendonte se duhej të ishte drejtuesi i ardhshëm i Shqipërisë. Kur Zogu triumfoi ai shkruajti një artikull te ‘Dielli’, një replikë me Nolin ku i thotë: Maloku i Matit na mundi të dyve. Na mundi jo vetëm në Shqipëri, ku ambienti është afër tij, por edhe në diplomaci, ku ne të dy kemi kaq diploma. U referohet këtu raporteve me Britanikët. Më pas Konica u bë Ambasador i Zogut. Por ruajti gjithnjë një karakter indipendent.

A është Zogu njeriu që urdhëroi atentatet për Gurakuqin, Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën, sipas dokumentacioneve që ju keni shfletuar?
Bajram Curri nuk ka lidhje me ndonjë ekzekutim. Ka bërë një kryengritje kundër qeverisë, forcat e tij janë thyer dhe ai kërkohej që të dilte para gjyqit. Ishte kolonel. Bajram Curri refuzoi të dorëzohej, luftoi deri në fund me forcat e qeverisë dhe u vra ose u vetëvra, kjo mbetet e paqartë. Një vit pas vrasjes, qeveria e Zogut i lidhi familjes së tij një pension prej 250 frangash në muaj për arsye të gradës së kolonelit që kishte pasur. Vrasja e Luigj Gurakuqit është dukshëm një vrasje politike. Por unë nuk mund të të them nga dokumentet që kam parë as që Zogu i ka vrarë dhe as që s’i ka vrarë ata. Thjeshtë s’ka asnjë dokument që e pohon ose e mohon këtë gjë.

Sa i vërtetë është incesti i përfolur i Zogut me të motrën?
Nuk besoj të jetë i vërtetë!

Janë dy foto që bëjnë përshtypje: Visarova dhe vila e Zogut e plaçkitur. A keni informacion pse ajo iku? Dhe si u pikas nga Zogu? Nga ana tjetër, plaçkitja e vilës çfarë thotë për shqiptarët, inat apo babëzi dhe shkatërrim?
Nuk kam ndonjë të dhënë as si u pikas dhe as pse iku Visarova. Me gjasë ajo ishte zbuluar prej Mbretit nga fotot në shtypin e kohës dhe më pas ishte kontaktuar nga emisarët e tij. Nuk e di shkakun e largimit sepse ajo vetë nuk e thotë. Ndërsa Pallati i Mbretit u plaçkit në natën midis 7 dhe 8 Prillit 1939. U vodh i gjithi nga banorët e Tiranës.

Pse u nda Zogu nga e bija e Shefqet Vërlacit, Behija? Dhe sa ndikoi kjo në raportet Zogu-Verlaci?
Besoj se u nda sepse në momentin që u shpall Mbret, Zogu nisi të mendojë për një martesë mbretërore, me ndonjë trashëgimtare të familjeve mbretërore europiane. Pastaj ai ishte fuqizuar shumë dhe Vërlaci nuk i duhej më. Padyshim që nga ky moment mes tyre nuk pati më asnjë raport.

Raportet e mbretit me Franceskën apo Visarovën, këto mantenuta, çfarë thonë për personalitetin e Zogut?
Nuk e di, këtë duhet ta analizojë ndonjë psikolog.

Sa do të mund të ndikojë ky libër në raportet tuaja me familjen e Leka Zogut?
Nuk e kam menduar këtë gjë dhe s’ka për mua asnjë rëndësi. Unë kam shkruar një libër për një person politik, jo për një familjar.

Ju keni marrë intervistë Geraldinën e jo vetëm. A keni marrë të dhëna prej familjes për librin?
Jo, veç të dhënave që vijnë nga intervistat në ‘Opinion’ të Geraldinës dhe Lekës, nuk kam marrë të dhëna nga familja.

Interesante është që në kohën e Zogut kishte fluturime me avion nga Tirana në qytetet e tjera shqiptare. Keni dijeni për çmimet apo udhëtarët?
Jo nuk kam asnjë dijeni. Di që ishin katër destinacione me nga 4 fluturime në ditë, por nuk e di sa kushtonte.

Në kohën e Zogut ndalohej që në krye të Kishës Ortodokse të kishte një klerik grek, kjo paçka protestave. Si e shihni këtë?
Ky ishte një vendim i Kongresit të Beratit që u aprovua nga Zogu. Ishte një vendim i vetë Kishës Autoqefale Shqiptare.

Kudo ku ka shkuar, është komentuar, pasuria e tij, lukset e familjes. Paçka debateve, për arin që mori me vete, cila ishte shifra me të cilën abuzoi mbreti në këtë rast?
Këtë nuk e di askush. Mbreti lëvizte me disa valixhe të mëdha të mbushura me ar. Këtu nuk bëhet fjalë për arkën e shtetit që është e gjitha e verifikuar dhe e mbuluar me fatura, por për pasurinë e tij të vendosur në mënyrë abuzive si pasojë e të qenit Mbret dhe njeriu më i fuqishëm politik në vend. Pra pasuri e vendosur si pasojë e favoreve.

Pse Enver Hoxha nuk e vrau Zogun, kur agjenti Isuf Mullai ka deklaruar se e kishin të mundur?
Nuk i jap dot përgjigje kësaj Përseje, nuk e di përse ka qenë ky vendim.

A e ka reflektuar Mehmet Shehu ndihmën e dhënë nga Zogu, në kohën kur Shehu kthehej nga lufta e Spanjës?
Nuk kam asnjë informacion të mëtejshëm për këtë.

A keni mundur të krijoni një ide mbi identitetin e “Macukullit”, agjentit të sigurimit pranë Zogut?
Jo.

A mendoni se ka diçka që familja e tij duhet apo mund të bëjë për Shqipërinë dhe e kundërta, sot pas kaq shumë dekadash “përplasje”?
Unë mendoj që Zogu ishte një figurë e rëndësishme e Shqipërisë së viteve 1912 – 1944. Misioni i tij mbaroi aty.

Ardhja e 70-vjetorit të çlirimit, që shihet edhe si 70- vjetori i instalimit të komunizmit sjell edhe një libër për Zogun, atë që ato kohë u konsiderua tradhtar. Është rastësi?
Nuk kam menduar kaq shumë për 70-vjetorin, por besoj se është zgjidhja më e mirë, për të kuptuar se sa të ndryshme kanë qenë këto dy regjime politike. /Gazeta Shqiptare/

Më Shumë

Lajmet e Fundit