-0.2 C
Prizren
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Fishta, shekulli 21 dhe gjuha

Bisedë me shkrimtarin dhe studiuesin Ernest Marku

Pas “Fjalë të turimte të gegnishtes letrare” dhe romanit “Shpirtrat e një toke”, çfarë duhet të presim tjetër nga aktiviteti juaj i gjerë krijues?

E kam thënë edhe në parathënien e fjalorit që ju përmendët, letersia gege e shekullit të njëzet më ka kapur si në kurth; edhe romani nuk i ka shpëtuar tundimit për të futur në të, fragmente të kompozuar në një gegnishte letrare eksperimentale; po ashtu edhe vepra me të cilën po merrem, është tërësisht e ngërthyer nga magjia e kësaj letersie. Pas dy vitesh, është 150 vjetori i lindjes së Fishtës dhe mua nuk më linte të qetë idea për të punuar një libër të ri për të. Për jetën e Poetit Kombëtar, dimë vetëm ato që na thonë Daniel Gjeçaj e Pashk Bardhi, apo edhe ato shkrime të mbledhura nga Benedikt Dema, shto disa kujtime të Zef Pllumbit. Duke i vendosur këto informacione në një rend logjik dhe koheziv, duke adaptuar edhe informacione të reja nga veprat e Marcus Peters, Tonin Çobanit, Ndoc Nikajt, Simon Rrotës, Donat Kurtit, Lec Shllakut, Gjergj Franit, Konrad Gjolajt, Justin Rrotës, Gjon Shllakut, Mentor Qukut, Frano Kullit e plot e plot të tjerëve; duke hulumtuar në arkivat e shtetit shqiptar, ato të Vatikanit, si dhe ato të Bosnjës; pa harruar edhe kujtesën popullore, e cila ruhet në ato pak njerëz të gjallë, që kanë patur fatin të jetonin në kohën e tij; vura re se grumbullova informacion të mjaftueshëm, që do të përbënte bazën e një libri të ri. Vendosa të mos bëj një nga librat për Fishtën, por “Librin e Fishtës”; gjë e cila ma shtoi përgjegjësinë, por në të njëjtën kohë, edhe intensitetin e kërkimeve të mia.

Përmendët arkivat. Ç’gjëra interesante keni zbuluar në to?

Në arkivat e Bosnjes (Achiv Franjev?ke Provincije Bosne Srebene) dhe ato të Vatikanit (Archivio Generale dell’Ordini dei Frati Minori), janë gjetur të dhëna mjaft interesante që kanë bëjnë me peridhën e studimeve të Fishtës, vlerësimet shkollore, mardhëniet me mësuesit, miqësitë dhe sprovat e para në poezi. Gjithashtu, edhe periudhat e vështira të jetës së tij, me ato probleme të krijuara nga karakteri apo synimet e jetës së tij; ndihen mjaftueshëm nëpërmjet letrave të publikuara apo studimeve të autorëve të ndryshëm, ku do të veçoja punën dhe ndihmëm e prof. dr. Blerina Sutës. Dalin, deri edhe të dhëna që kanë të bëjnë me saktësimin e ditëlindjes së Fishtës; të cilat konfirmohen edhe nga regjistri i lindjeve të famullisë së Troshanit, që ruhet në Arkivin Qëndror të Shtetit Shqiptar. Në këtë arkiv gjenden plot të dhëna që kanë të bëjnë me krijimtarinë e poetit apo të publiçistit, deri edhe tek vizatimet e skicat arkitektonike; siç gjenden edhe plot të dhëna mbi jetën dhe veprimtarinë e tij, në momentet kyçe të historisë së kombit shqiptar. Disa letra të krerëve të Hotit, Kastratit e Grudës, të ngelura përtej kufinjve; korrespondenca të ndryshme, deri edhe hetimet e prokurorisë së sapokrijuar të shtetit shqiptar, mbi një shkrim të Fishtës, të botuar në një gazetë lokale. Dokumente që hedhin dritë mbi jetën parlamentare, aktivitetin e Fishtës në diplomaci deri dhe ato për Kongresin e Manastirit.

Keni arritur të qartësoni diçka, në lidhje me kontradiksionin që mbizotëron në informacionet për vendimet e këtij kongresi ?

Jo vetëm nga dokumentet e arkivave, por edhe nga dëshmitë dhe studimet e e të larpërmendurve prej meje, hidhet dritë mbi zhvillimet e këtij kongresi, ku për hirë të së vërtetës duhet thënë se ai nuk mori ndonjë vendim të qartë e emplicid; ishte vetë koha dhe rrethanat e caktuara, ato që e përzgjodhën alfabetin që kemi sot. Nga ana tjetër, duhet rivlerësuar roli i Mjedës në këtë ngjarje, i cili fitoi duke humbur; pasi hoqi dorë nga mbrojta e alfabetit të “Agimit”, propozimi i tij ishte në kohën dhe mënyrën e duhur për të ofruar kompromisin; pa harruar rolin përcaktues të Fishtës në këtë histori.

Tjetër gjë interesante, çfarë pritet të sjellë studimi juaj?

I kam dhënë një rëndësi të dorës së parë, fjalimit të nisur nga Bumçi dhe të përfunduar nga Fishta në Universitetin Katolik të Parisit, në kohën e Konferencë së Paqes; duke e përshtatur këtë punim në shqipen e standartit të pas vitit 1972, me qëllim përçimin e atij mesazhi unikal dhe të pakrahasueshëm, tek sa më shumë njerëz të interesuar. Gjithashtu, jam përpjekur të ndriçoj sa më shumë që të jetë e mundur, bazuar në dëshmitë e bashkohësve, bashkëpunëtorëve apo nxënësve të tij; arsyet që e shtynë Poetin Kombëtar të pranonte titullin e Akademikut të Italisë, si dhe mënyrën se si e shfrytëzoi ai këtë gjë, benifitet që arriti të siguronte për Shqipërinë e shqiptarët. Roli i Fishtës në njohjen e shtetit të ri shqiptar nga SH.B.A.-të, mardhëniet parlamentare në fillimet e tij, apo debate mbi fatin e shkollave jopublike, janë disa aspekte të jetës së tij, për të cilat janë sjellë fakte e këndvështrime të reja.

A keni arritur të gjeni dokumente apo burime të besueshme për të ndriçuar çdo aspekt të jetës së Fishtës?

Kam ezauruar çdo burim të mundshëm dokumentar, që kam arritur të siguroj, si dhe të gjithë librat me kujtime apo ato studimorë të figurave kryesore historike, apo të studiuesve seriozë; por më është dashur të mbështetem edhe në kujtesën popullore, atë të nipërve të tij, apo të dashamirëve të vëmendshëm; për të cilat isha koshient, se kjo ishte mundësia e fundit kohore, për t’u vjelë e për t’u përfshirë në një botim. Gjithashtu, anekdodat dhe historitë e ruajtura dhe të treguara brez pas brezi, janë integruar natyrshëm në këtë punim, duke hedhur dritë mbi ngjarje të pa zbardhura plotësisht; por edhe, duke u konfirmuar nga burime të tjera më të besueshme. Si përfundim, kam arritur të ndërtoj edhe një kronologji të ngjarjeve më të rëndësishme të jetës së Fishtës, si edhe të historisë së shqiptarëve, ku ai ishte protagonist i padiskutueshëm. Gjithashtu, kam renditur titujt dhe nderimet e marra prej tij, duke publikuar edhe faksimilet e disave prej tyre, të marra nga Arkivi Qëndror i Shtetit Shqiptar.

A përfundon ky studim me fundin e jetës së poetit?

Jo, përkundrazi; duke shfrytëzuar botimin e Benedikt Demës, të Ernest Koliqit, si dhe kujtimet e At Zef Pllumit, por edhe të Gjergj Franit; kam ndërtuar një përshkrim të shkurtër por të hollësishëm të ceremonisë mortore dhe të të gjithë aktiviteve përkujtimore të zhvilluar gjatë rrotulll një viti, deri në janar të vitit 1942. Gjithashtu janë paraqitur shkurtimisht edhe qëndrimet e disa Konferencave të zhvilluara në vitet e para të instalimit të diktaturës, në lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë; duke u mbështetur në qëndrimet e Sejfulla Malëshovës, të trajtuara mjeshtërisht nga ana e Injac Zamputit. Enigma e zhdukjes së eshtrave të tij, është aspekt, akoma i pa ndriçuar plotësisht. Së fundmi, për sa i përket jetës dhe veprës së Poetit Kombëtar, ky studim prezanton dhe aktivitetet përkujtimore të kryera pas viteve ’90, si edhe botimet e veprës apo studimet e kryera nga një plejadë profesorësh e akademikësh, deri edhe në shtrimin e problematikave dhe prezantimin e pritshmërive, në raport me universin fishtjan, akoma të pastudiuar e të panjohur plotësisht.

Po në lidhje me veprën e Fishtës, ç’risi sjell ky studim ?

Në këtë pjesë të librit, kam menduar të bëj një lloj guide nëpër veprat e Fishtës, duke u fokusuar tek mesazhi fishtjan, pa harruar të evidentoj vlerat më të spikatara letrare; por pa patur qëllim hartimin e një analize të mirfilltë letrare apo shkencore, gjë e cila ngelet një sfidë për srtudiuesit shqiptarë, sidomos për profesionistët në fushën e gjuhës e të letërsisë. Studimi i plotë i veprave të Poetit Kombëtar, nuk bëhet dot nga një njeri i vetëm, ndoshta as nga grup studiuesish apo nga një katedër universitare; një studim tillë, kërkon një institut permanent me dy degë koorelative, njëra me fokus tek gjuha, fjalori, semantika e deri te analiza e metaligjërimit në shkallë të dytë; si dhe tjetra që do të merrej me analizën e stilemave letrare, metrikës, rimës, figuracionit e deri tek muzikaliteti i vargut fishtjan. Te “Mrizi i Zanave” janë përfshirë poezitë më të mira lirike, këtu derdhet pjesa më e ëmbël e muzës romantike, ndonëse lirizmi i Fishtës është i vështirë të përceptohet pa epizmin, dashurinë për atdheun dhe satirën e hollë që ngre krye herë pas here. Nëse tek “Lahuta e Malcis”, ai evokon cilësitë më të mira të fisit të shqiptarit; tek “Anzat e Parnasit”, ai i vë fre entuziazmit grotesk që prodhon krenari boshe, edhe njëkohësisht, duke vënë gishtin mbi plagët e shoqërisë shqiptare, “pret” sa majtas djathtas pa dhimje, çdo lastar të keq apo kalli kokëbosh. Te “Gomari I Babatasit”, ai merret me politikanët e tij; dhe siç është populli, do të jenë edhe politikanët e zgjedhur prej tij. Është e trishtë të mendosh, se edhe sot e kësaj dite, shoqëria shqiptare vuan nga të njëjtat probleme; si ka mundësi që ky popull, përsërit në mënyrë ciklike të njëjtat gabime ?! Kurse poezitë me temë religjoze të Fishtës, të përfshira te “Vallja e Parrizit”, nuk janë aspak dogmatike apo psalme liturgjike; përkundrazi, lirizmi aty është në shtratin e vet, ashtu siç dallohen qartë edhe ndikime nga humanizmi, iluminizmi, romantizmi e deri tek realizmi.

Po teatri, ç’vend zë në krijimtarinë e tij ?

Është e rëndësishme që të kujtojmë se vaprat dramatike të Fishtës, nuk ishin thjeshtë drama, por ishin krejt si ujët e pakët, që binte në tokën e reshkur të teatrit shqiptar të asaj kohe, të cilat, fare mirë mund të nderojnë edhe skenat e sotme teatrore. Pa harruar pastaj vlerat që ato mbartin, nderin që ato i japin letërsisë shqiptare, duke e renditur plot dinjitet, në aradhën e letërsisë e skenës europiane dhe të krejt qytetërimit greko-romak në botë. Mjaft të kujtojmë “Jerinën”; kjo është një melodramë i nivelit të lartë estetik, autori ka punuar mjaft krehjen dhe lëmimin e saj. Janë gati njëzet drama të shpëtuara, po të llogarisim edhe “Kryepremja e Shën Gjonit”, për të cilën kemi vetëm shënimin e At Marin Sirdanit, që kujton atë që Fishta thoshte: Me “Odisenë” kam dashtë me paraqitë ngajdhimin e lirisë, me “Shën Françeskun”: vllaznimin; kurse me “Kryepremjen e Shen Gjonit”: unifikimin (njinjisimin), sipas kandveshtrimit të krishtenë.

Nuk mund të mos përmendim edhe publiçistikën, si një nga zhanret më të lëvruara të Fishtës, apo jo ?

Sigurisht që jo, vepra e Fishtës pa publiçistikën, është si trupi pa një këmbë. Poet sa veç shpirti i tij e di, patriot si ai e kërkush tjetër, por edhe prift i devotshëm; duke lëvizur gjithnjë në zonat gri mes këtyre të trejave, duke rrezikuar të qenit prift, patriot apo shpirt i lirë, por kurrë pa e humbur orientimin dhe sensin e masës; rrebel 360 gradësh, dashnor i të bukurës dhe i së mirës, gjithnjë në luftë me padrejtësitë; Ai nuk qe kurr satelit i askujt, por vetëm një planet i pafundmë, që rrotullohet rreth një dielli: “Për Fe Atdhe e Shpirt Poetik”. Kur kuptoi se shqiptarët ngandonjëherë i duan gjërat troç, përveshi mëngët dhe iu fut publiçistikës, duke na lënë sot një arkiv pasur me mbi 100 artikuj kritikë, njëri më interesant se tjetri; në të cilat trajton problematika të ndërtimit dhe përparimit të shtetit shqiptar, të emancipimit të shoqërisë shqiptare, të zhvillimit të arsimit e kulturës e deri tek problemet sociale dhe kronikën e zhvillimeve politike të ditës; të cilat, në shumicën dërrmuese të tyre, fatkeqësisht, nuk e humbin aktualitetin, as si mesazh apo mendik kritik, as si problematikë social-politike të cilën shoqëria shqiptare, edhe pse kanë kaluar gati 100 vjet, nuk po arrin ta kapërcejë dot.

Si mendoni se duhet vepruar, për të çuar veprën e Fishtës te lexuesi; a mos duhet luftuar për mdryshimin e standartit të 1972-shit; apo duhe punuar për të standartizuar veprën e tij ?

As njëra a tjetra. Gjuha e njësuar që përdorim ne sot, sodoqë të hapet ndaj gegnishtes dhe formave apo fjalëve të saj, ajo kurrë nuk do të arrijë në trajtat gjuhësore të përdorura nga Poeti Kombëtar. Nga ana tjetër, të kërkosh të përshtatësh në standart poezitë e Fishtës, është aventurë e dështuar që një nisje; pasi vargjet e tij nuk janë thjeshtë poetike; metri, rimat e brendshme dhe ato fundore, muzikaliteti i vargut, numri i rrokjeve etj., nuk janë kurrë të rastësishme dhe as lehtësisht të transformueshme; po ashtu, fjalët e përdorura prej tij, janë të panumërta dhe të përzgjedhura me një qëllim të caktuar, të cilat as zëvëndësohen dot me diçka tjetër, as të lejojnë ta riformulosh idenë pa to. Poezitë e tij, mundet vetëm të rishkruhen në gjuhën e standartizuar; por për këtë gjë nevoietet i njëjti talent i pazakontë dhe pothuaj, i njëjti erudicion e bagazh njohurish shkencore, historike, filozofike apo teologjike e sociale. Në publiçistikë, edhe mund të tentohet siç kam bërë unë me fjalimin në Lidhjen e Kombeve, në Paris. Ajo që duhet bërë, në fakt, është ruajtja me fanatizëm e gjuhë së tij; e cila, nuk është vetëm gjuha e tij dhe e kolegëve të tij, por është bija më e moçme e pallazgjishtes, e cila ka arritur deri në shekullin e njëzet, në një formë të parafinuar e të papërpunuar nëpër katedra universitare, gati-gati në një trajtë të egër. Kur mendimi i kualifikuar euro-përendimor, do të ndërgjegjësohet për këtë fakt dhe do të kërkojnë të studiojnë këtë “fosile” gjuhësore, në kërkim të zbulimit të rrënjëve tona indo-europiane; atëherë, veprat e Fishtës do të kthehen në “kampione laboratorike”, me gjithë atë minierë gjuhësore që ato mbartin, apo me trajtat, fonemat dhe stilemat letrare me të cilat janë ndërtuar. Këtij qëllimi, ndonëse në mënyrë modeste, i shërben edhe fjalori i pregaditur prej meje, të cilin ju e përmendët në fillim të kësaj interviste.

Si ndihet Lezha përballë këtyre sfidave?

Si Kirenari në Kalvar. Më vjen keq ta them, por jo vetëm Lezha që e ndjen më shumë, po as Shkodra, as Shqipëria dhe as shqiptarët kudo që janë, nuk kanë arritur as ta gërvishtin universin fishtjan, që pret të eksplorohet. Kjo vepër që unë po pregadis, më shumë çdo gjë tjetër, është një thirrje për t’u zgjuar: Fishta nuk mund të studiohet nga një person, as nga një grup studiuesish, as nga një katedër dhe as nga një universitet, biles as nga një brez i tërë; ai na ka lënë një pasuri por në të njëjtën kohë, edhe një barrë të rëndë, të cilën duhet dhe do ta ndajmë me brezat e ardhshëm. Lezha, deri më sot, ka arritur vetëm të mbajë ndezur qiriun, për të treguar vendin apo veprat ku “fshihet” kjo pasuri unikale. Klubi letrar “Ndoc Gjetja”, për tetë vite me rrallë, zhvillon “Orën e Muzës Fishtjane” në Lezhë, Troshan apo Fishtë; duke akumuluar “dhjamin” e nevojshëm dhe duke fërkuar pa u lodhur “unurin” për “strall”, derisa shkëndijat të bien në “eshkën” e duhur, ku do të ushqehet flaka e këtij qiriu.

Më Shumë

Një grua raporton se burri i saj nuk është trajtuar si duhet nga ekipi mjekësor në Spitalin e Prizrenit

Një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj me probleme mendore i cili prej disa ditësh ishte i hospitalizuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit...

KH Rahoveci: Ejani na përkrahni që të bëjmë historinë

KH Rahoveci kërkon përkrahje nga tifozët në garat evropiane. Rahoveci pasi e shkroi historinë e sportit në Kosovë, tashmë po vazhdon ëndrrën përrallore në Evropë...

Lajmet e Fundit