Prizreni përfiton nga projekti për efiçiencë të energjisë në banesat sociale

Zyrtarët e Komunës së Prizrenit dhe ata të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) kanë nënshkruar marrëveshjen për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore sociale”. Në ceremoni ka qenë e pranishme edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, në projektin e zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, do të investohen 478 mijë euro me mbështetje 90% nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes grantit të Bashkimit Evropian dhe me pjesëmarrjen e komunës prej 10%.

Ministrja Rizvanolli ka theksuar se kur është dizajnuar pakoja emergjente e BE-së për energji, “një prej sfidave ka qenë balancimi i dy objektivave të sistemit të energjisë në njërën anë dhe nga ana tjetër të siguruarit që po i prekim shtresat më të ndjeshme”.

“Duke i pas parasysh sfidat e qasjes te kjo kategori, kemi menduar se targetimi i banesave sociale është një mënyrë më e mirë, pasi është numër i madh i familjeve”, ka thënë Rizvanolli, duke shprehur bindjen se këto familje, këtë dimër do ta kalojnë më ngrohtë.

Nga investimet në tri ndërtesa shumë-banesore sociale, sipas njoftimit, do të përfitojnë 250 banorë. Në ndërtesa do të kryhen punime në izolimin e mureve të jashtme, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të hyrjes, termoizolimin e kulmit, do të vendoset sistemi i ngrohjes me kondicioner ajri, renovimi i hyrjeve, vendosja e interfonisë dhe masat për mbrojtje kundër zjarrit/detektorët e tymit.

Projekti në Prizren është pjesë e një programi të gjerë në nivel vendi, ku tashmë kanë filluar punimet në 12 komuna të tjera, ku përfshihet renovimi i 28 ndërtesave sociale, me një vlerë totale prej mbi 6 milionë euro, ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit përveç ministres Rizvanolli kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, drejtor menaxhues i FKEE-së, Driton Hetemi dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

 

Më Shumë

Aksident në Prizren, motoçiklisti pëson lëndime pas përplasjes me veturën

Një aksident trafiku është regjistruar sot në rrugën “Gani Saramati” në Prizren, ku janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë, duke rezultuar me lëndimin...

Kandidatët e Vetëvendosjes takuan bizneset në rrugën “Remzi Ademaj” në Prizren

Kandidatët e Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, në kuadër të fushatës zgjedhore, kanë zhvilluar një vizitë te bizneset përgjatë rrugës "Remzi Ademaj", ku prezantuan programin...

Lajmet e Fundit