8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Fituesi i Çmimit Nobel Patrick Modiano: Kur shkruaj, nisem qorrazi

Patrick ModianoIntervistë me Patrick Modiano, francez, 69 vjeç, fitues i ?mimit Nobel 2014 për Letërsinë. “Një shtresë misterioze mbulon gjithçka kemi jetuar. Por ndonjëherë, çahet papritur. Mjafton t’i mbyllësh sytë për një cast. Fituesi i Çmimit të fundit Nobel tregon sesi lindi shkrimi i tij

KANE KALUAR DISA DITË nga dorëzimi i Çmimit Nobel. Zhurma mediatike sa vjen e shuhet. Patrik Modiano nuk ka ndryshuar. Në apartamentin e tij parizien, i rrethuar nga libra e arkiva, flet për shkrimin, për kujtesën, harresën… Me thjeshtësi, entuziazëm, ngrohtësi. Duhet t’i lësh gjithmonë kohë të përfundojë frazat. E të rikuptosh se është zotërues i përsosur i artit të zig-zag-eve. Janë ecejaket e tij në tregim, në gjuhë, në jetë, si në dialogje, si në romane që të krijojnë përshtypjen se po e vazhdon bisedën atje ku e kishe lënë pak kohë më parë.

Si e morët vesh që kishit për të marrë çmimin Nobel për letërsinë?
Isha në rrugë. Po shëtisja në lagje. Ishte vajza ime që më lajmëroi. Ishte një ndjesi e çuditshme. Sikur kjo gjë po i ndodhte dikujt tjetër. Isha si një somnambul dhe zgjimi ishte paksa brutal. Por nga ana tjetër, krijimtaria letrare është një veprimtari vetmitare: po është një lloj dhome e errët, siç thuhej në një kohë të shkuar për të folur për fotografinë dhe papritur një dritë shumë e fortë të bie nga lart… Ndihesh paksa i mpirë. Por ai që është më prekës, është reagimi i lexuesve”.

Juria ka saktësuar se kanë dashur të shpërblejnë “artin e kujtesës me të cilin juve keni zbuluar botën e pushtimit nazist të Francës”. Është një mbyllje e mirë e veprës tuaj?

Në një kuptim të caktuar është kështu… Por tema ime e vërtetë është harresa më shumë sesa kujtimi. Harresa është shtresa që mbulon të gjithë atë që është jetuar. Kujtimi është ai që tenton ta shqyejë këtë shtresë. Që megjithatë është gjithmonë aty. Për sa i përket pushtimit… kam lindur në 1945-ën. Të gjithë ata që kanë lindur në atë vit, pas kaosit të luftës, janë produkti. Shumëkush është shprehur se ndihet keq që ka qenë frut i asaj epoke. Nëse nuk do ta kisha shprehur unë me romane, të tjerë do ta kishin bërë. Pushtimi është për mua nata e origjinës.

Shpesh në romanet tuaja çështja e kujtesës dhe e harresës shprehet nëpërmjet vendeve. Ai i Parisit në veçanti.
Po. Shpesh është topografia që ndihmon të ngrihet e shkuara. Mjafton ndonjëherë të mbyllësh sytë që një peisazh i brendshëm e i pakohë, i mbetur siç ishte, të rishfaqet. Por i imi është një Paris i ëndërruar. Jo një Paris i nostalgjisë. Ai në të cilin kam jetuar dhe e rishkel sa gjatë gjerë në librat e mi nuk egziston më, por nuk ndiej ndonjë nostalgji. Nuk më vjen keq aspak për atë që ishte më parë. Kam trupëzuar në trillim një Paris të përbërë nga shprehje të jetuara e këto janë kthyer në të përjetshme. Kam bërë nga Parisi qytetin tim të brendshëm. Ku epokat mbivendosen. Mund të thuhet se në Parisin tim mishërohet ajo që Nietzsche e quante “kthimi i përjetshëm”… .

Rikthimi në vendet megjithatë do të thotë edhe të ndërmarrësh rreziqe…
Kthimi në të shkuarën është gjithmonë pak si të kthehesh në vendet e një krimi. Në librin tim të fundit protagonisti nuk dëshiron të kthehet në vendet e fëmijërisë, nga frika se eksperiencat e dhimbshme të jetuara nga ai ndikojnë në kohë, duke u shfaqur si shpërthime deri në të tashmen. Kujtimet e fëmijërisë janë gjëza mozaikësh të cilave u mungojnë shumë copa, që kanë qënë pak nga pak të gërryera nga harresa. Të ringjitesh në të shkuarën është shumë romantike. Është pothuaj si një enigmë policeske: kujtimet janë të fragmentarizuara, detajet nuk rilidhen midis tyre… e kjo gjithmonë më ka bërë kurioz. E për këtë kam shkruar, në një libër pas tjetrit. Kam përshtypjen që e gjitha që është jetuar deri tre o katër vjeç është e zhytur krejt në harresë e që për pasojë mbijeton diçka e cila përfundon gjithmonë në sferën e imagjinares: fëmija është një shkrimtar që nuk e di se është i tillë, kapet pas detajeve konfuze. Në kujtimet e fëmijërisë ka diçka enigmatike e nganjëherë të rrezikshme. Edhe pse fëmijëria ka qënë e qetë.

Që nuk është tamam rasti i fëmijërisë tuaj…
Le të themi se ka ngjarje që shërbejnë si matrica për imagjinatën. Mendoj për Alfred Hitchcockun. Në moshën 4 vjeçare, babai i tij i kishte besuar një letër për t’ia dorëzuar një komisari të policisë në Londër. Komisari donte t’i fuste frikën. E mbyll në një qeli dhe i thotë: “Nëse sillesh keq në jetë, tani e di se çfarë të pret!”. Mundemi të mendojmë që kjo eksperiencë të ketë qënë si një matricë për Hitchkockun e që të gjithë filmat e tij kanë rrjedhur nga kjo: ankthi, terrori…

E në rastin tuaj? Ka patur ndonjë ngjarje të tillë?
Fakti që jam rritur në një shtëpi në mjediset e Parisit. I rritur nga persona të ndryshëm nga prindërit e mi. Persona që për momentin nuk i ndieja të huaj, por që në vazhdim më janë shfaqur shumë, shumë të largët. Pasi nuk e kuptoja mirë çfarë të bëja. Është një përzierje gjërash shumë banale… të gjithë fëmijët kanë ëndërruar të grabiteshin apo të largoheshin me një cirk. Është paksa ëndrra e “Ishullit të thesarit” ose “Shpella e kontrabandistëve”. Fëmijëve iu pëlqen të kenë paksa frikë. Në fund, imagjinarja e realiteti ngatërrohen.

Në romanin e fundit ju citoni Stendalin: “Nuk mund të kthej realitetin e fakteve, mund vetëm të risjell hijen”.
Më mirë sesa të përballosh me gjoks ngjarjet e së shkuarës, duhet të kërkosh jehonën, gjurmën që ato ngjarje kanë lënë. Gjurmët lënë një lloj muzikaliteti. Një melodi. Është kjo që duhet të gjendet, më shumë sesa përshkrimi i gjërave. Pastaj unë shkruaj duke marrë hua disa detaje të saktë, emra personash që kanë ekzistuar, në shpresën që, nëse ndonjëherë do t’u ndodhte atyre të lexonin këtë libër, të njohin emrin e tyre e ndoshta të japin një shenjë jete. Në realitet, të shkruash është paksa si t’u bësh apel fantazmave. Unë i mbjell romanet, në të njëjtën mënyrë si Pollicino lë pas gurët e bardhë. Mendoj gjithmonë që është paksa e sikletshme të ofrosh në një roman një person shumë të afërt. Por të futësh një element nga realiteti që mund të kuptohet nga një person i vetëm është diçka që më tërheq shumë. Ndoshta paksa e çuditshme si ide…

Këto mesazhe personale kanë sjellë tashmë ndonjë frut?
Gjëja e tmerrshme është që i kam lëshuar shpesh në romanet e mi, duke shkruar me shpresën që dikush, ndoshta, do ta vëjë re. E duke i thënë vetes time që fantazmat do të ishin ndofta ringjallur. Por kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë. Bëj pyetjen nëse nuk e kam bërë si duhet, pasi e dija tashmë që në realitet nuk do të kishte kurrë përgjigje… Dhe është pikërisht fakti që nuk ka ndonjë përgjigje që më bën të më vijë dëshira për të shkruar.

Ku e pikasni ju kufirin midis trillimit dhe rrëfimit?
Pika e nisjes është gjithmonë diçka që ka ndodhur vërtetë. Një fragment realiteti. Por kur shkruaj, nisem qorrazi. Gjatë muajit të parë ndihem shpesh i shkurajuar e bëj pyejen nëse duhet të vazhdoj. Është si të ngasësh makinën në mes të mjegullës, pa parë asgjë përballë, por e vazhdoj rrugën time pavarësisht gjithckaje, pa e ditur ku të shkoj, shpesh me ndjesinë që kam hyrë në një rrugë pa krye. Por gjëja e çuditshme është që kur kam ndjesinë se jam në rrugën e gabuar, kërkoj të rigjej rrugën kryesore, në vend që të bëj hapa pas. Në vend se të dorëzohem, them: “Është një pistë e rreme, kam nevojë të ndaloj, durim”, pastaj vazhdoj e kërkoj të rigjej rrugën kryesore.

E keni provuar këtë ndjesi me të gjithë romanet tuaj?
Po të gjitha, në ndonjë rast kam ndjekur ndofta një linjë paksa më të drejtë… Por unë nuk jam si ata shkrimtarë që gjurmojnë brazdën me vazhdimësi e me besim. Kam pothuaj gjithmonë ndjesinë, deri në momentin e fundit, të jem si një trapezist që arrin të kapë vetëm në ekstrem trapezin që i kanë lëshuar.

E me cilin mjet arrini të kapni trapezin?
“Përmes frazës. Një paragraf ose një faqe që më duket një katastrofë një natë më parë, mund të përmirësohet të nesërmen përmes një fraze. Ose duke hequr diçka. Nuk e kam provuar kurrë ndjesinë e të shkruarit duke ndjekur një linjë të drejtë. Është si të lundrosh duke kërkuar të evitosh shkëmbinjtë dhe, në momentin e fundit, ia del t’u vish rotull. Unë kërkoj të punoj kështu. Ose më mirë, nuk mundem të punoj veçse në këtë mënyrë. E kjo më lë gjithmonë një ndjesi mjaftueshëm të pakëndshme.

Kështu juve nuk keni një raport të lumtur me shkrimin?
Jo. Ajo që e rëndon rastin tim është fantazimi i gjatë para se të filloj të shkruaj. Jam si ata persona që gjenden mbi bordin e një pishine dhe presin orë para se të zhyten: shkrimi është për mua diçka e bezdisur, për të cilën jam i detyruar të ëndërroj shumë kohë më parë se të filloj ta bëj, e duhet të gjej mënyra për ta bërë të këndshme këtë punë. Për shumë shkrimtarë të mëdhenj alkooli është një eksitues. Unë në vend të kësaj eci shumë. Është fantastike. Shkruaj gjithë ditët për të shmangur pushtimin nga ankthi. Dhe për shkak se do të lodhesha shumë për të rifilluar pas një ndërprerjeje, megjithëse të shkurtër. Humbet lehtësisht filli në këtë lloj pune… për më shumë që nuk shoh kurrë qëllimin drejt të cilit priren librat e mij. Nëse lë një ditë pa shkruajtur jam i humbur. Lundroj qorrazi, prandaj duhet të lundroj çdo ditë, nëse nuk dua të mbytem./L’Espresso/e.xh./www.bota.al

Më Shumë

Lajmet e Fundit