19.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Gjeografia e Kadaresë, si e koncepton botën shkrimtari

Nga Ndriçim Kulla

Shkrimtari është para së gjithash një qenie e dyfishtë, e dyzuar në arealin e tij. Ose më saktë, në këtë areal të shkrimtarit enden dy njerëz që janë i njëjti njeri, sundimtari dhe skllavi. Shkrimtari është pra sundimtar i skllavëruar dhe skllav sundues, tiran i rebeluar dhe rebel tiranizues. Te kjo antinomi qëndron misteri i shkrimtarit. “Shkrimtarët jetojnë dy herë”, ka thënë Nathalie Goldberg.

Ky status i dyfishtë i shkrimtarit ndikon në mënyrën e të shkruarit të tij. Thomas Man nuk mund të mos e ketë patur parasysh atë që ka thënë Kadareja: “Një shkrimtar është dikush për të cilin të shkruarit është një gjë më e vështirë se ç’është për njerëzit e tjerë.”

Në qoftë se është e lehtë ta kuptosh se si shkrimtari është sundimtar në botën e veprës së tij, është e vështirë që ta kuptosh se si ai është edhe skllav njëkohësisht. Në qoftë se shkrimtari veç anës prej sundimtari të plotfuqishëm ka dhe anën e tij prej skllavi, me çfarë force shtrënguese bindet skllavi, me vullnetin e shkrimtarit? Kadare nuk na jep shpjegime për këtë. Ai vetëm sa na thotë se në këtë domen të tij shkrimtari është njëkohësisht edhe skllav. Por duket se është ajo forcë misterioze që buron nga gjeniu i tij e detyron të punojë në këtë areal edhe atëherë kur ndoshta do të dëshironte që të kuturiste për aventura letrare diku tjetër. A është “Sundimtari” i cili ka përzgjedhur hapësirën që do të jetë areali i tij si shkrimtar dhe “Skllavi” i bindet duke punuar atje, apo është e kundërta, pra shkrimtari është “Skllav” me të drejtë lëvizjeje në një areal të caktuar dhe atje bën “Sundimtarin”. Kadare nuk i përgjigjet kësaj pyetjeje, ndoshta ai akoma nuk e ka një përgjigje për të. Por, nëse shkrimtari është skllav i dikujt, ai është skllav i talentit të vet, i gjeniut të vet më mirë të themi, i asaj force misterioze që i ka dhënë mundësinë të bëjë sundimtarin në botën e tij, në botën që e ndërton në librat e tij, në arealin e tij.

Në këtë studim na intereson raporti i shkrimtarit të dyzuar me hapësirën ku zhvillohen ngjarjet e veprës së tij. Kadare na thotë se në këtë hapësirë të përzgjedhur prej tij shkrimtari sundon si një tiran i vërtetë, që vendos ligjet e tij, me një pushtet të tillë që diktatorët, tiranët, as që kanë guxuar ta ëndërrojnë kurrë. Se shkrimtarit-diktator nuk i binden vetëm njerëzit në botën e tij, por edhe natyra, madje edhe koha, hapësira, deri edhe ajo kozmike. Në piramidat e Egjiptit bien flokë bore, ndërsa kometat që enden në kozmosin e pafund zbresin për të zgjatur flokët e luftëtarëve për pavarësi në Ballkan, që për këtë quhen “komitë”.

Raporti sundimtar-skllav në qenien e shkrimtarit që jeton nën diktaturë, nuk është i njëjtë me raportin sundimtar skllav në qenien e shkrimtarit që jeton në një vend të lirë. Shkrimtari që jeton nën diktaturë duhet të shtiret sikur i bindet një tirani që nuk është brenda tij, tiranit të vendit të tij. Shkrimtari që jeton në një vend të lirë nuk e ka këtë detyrim. “I vetmi tiran që unë pranoj në këtë botë është zëri i brendshëm”, ka thënë Mahatma Gandi. I tillë duket se është edhe tirani në qenien e shkrimtarit për të cilin flet Kadare. Pavarësisht se shkrimtari i madh mund të jetojë në një vend ku ka një tiran i cili mendon se i binden të gjithë, duke përfshirë edhe shkrimtarin e madh, në fakt ky i fundit i bindet bën sikur i bindet tiranit të jashtëm, diktatorit në botën reale, por vetveten e tij të dyzuar e ndjen vetëm skllav të tiranit brenda qenies së tij. Por ai është gjithmonë i përgjuar dhe i rrezikuar se ky qëndrim përbën krim të rëndë shtetëror, jo vetëm faj letrar. Shkrimtari i madh që jeton nën diktaturë rrezikon të shkelë në fushë të minuar kur zgjeron hapësirën gjeografike të veprës së tij letrare. Çdo qytet apo krahinë e shkelur jashtë kufijve të shtetit, në shtete e kontinente të tjerë shihet me dyshim nga zyrat shtetërore që mbikëqyrin veprën e tij, si një akt tradhtie e mundshme ndaj regjimit. Si shumë po endet nëpër botë ky shkrimtar me imagjinatën e tij, nuk i mjaftojnë viset tona, qytetet, fshatrat me kooperativat bujqësore, minierat, pyjet ku masat punonjëse të ndërtojnë të ardhmen e lumtur nën udhëheqjen e Partisë dhe të shokut Enver?

Është e qartë që Kadare mendon se perandoritë e shkrimtarëve ndryshojnë nga perandoritë e tjera të ngritura mbi faqen e dheut, dhe që mund të quhen të tilla vetëm nëse kanë një shtrirje të madhe në hapësirë. Historia na thotë se ai sundues që vepron në kufijtë vetëm të një qyteti, mund të krijojë e shumta një qytet-shtet, si ato të Greqisë së vjetër. Por në botën e letërsisë, siç thotë shpesh Kadare, ka ligje të tjera që sundojnë, dhe këtu Balzaku është perandor edhe brenda kufijve të një qyteti. Po ashtu dhe Servantesi brenda kufijve të një krahine. Kadare ka mendimin se në botën e letërsisë, ndarja e hapësirave gjeografike është bërë në mënyrë shumë më të butë se në botën e vërtetë, ku për to janë bërë shumë luftëra.

Që të pushtohet një territor nga këndvështrimi letrar duhet që ai të përshkruhet nga shkrimtari, duke nisur që nga njerëzit deri te peizazhet, qytetet, lumenjtë etj., duhet që atje, ashtu siç vendosen garnizonet ushtarake në një territor të pushtuar, të vendosen ngjarjet, personazhet dhe përshkrimet. Por në botën e letërsisë klima është kapriçioze dhe shkrimtari që kuturis të hyjë thellë në hapësira të gjera, mund të ndeshë në “dimrin rus”, ashtu si Napoleoni. E thënë ndryshe, shpata e tij, që në këtë rast është pena, me të cilën ai ndihet aq i sigurt në disa vise, në të tjerat mund të mos jetë aq mrekullibërëse në dorën e tij, ose edhe më keq, mund të mos prodhojë asgjë me vlerë. Kadare ka një mendim interesant se shkrimtarët e vendeve dhe letërsive të vogla, kuturisin në hapësira të gjera gjeografike më shumë se ata të vendeve të mëdha:

Sot, një gjysmë shekulli pasi shkrimtari e mori botën dhe e hodhi si një dele në qafën e tij, mund ta përshkruajmë këtë botë të përshkruar prej tij në atë që mund të quhet Atlasi “Kadare”, dhe që është një lloj i veçantë Atlasi gjeografik i botës së përshkruar nga Kadare. Një atlas i tillë do të mund të ndërtohej me përshkrimet gjeografike që gjenden në veprën e Ismail Kadaresë. Kuptohet se ka shumë mënyra sipas të cilave mund të ndërtohet një Atlas. Por në përgjithësi, në atlaset gjeografike ka një rregull që renditja e hartave të shteteve bëhet sipas kontinenteve të cilëve ata iu përkasin. Për Atlasin “Kadare” unë do të pëlqeja që ai të mos ndahej sipas kontinenteve të njohura, apo sipas hemisferave në të cilat është i ndarë globi, por të ndahej në dy pjesë. Në atë pjesë të botës, që mund ta quajmë në vende që autori i ka njohur dhe shkelur duke qëndruar gjatë në to, dhe në atë pjesë të botës ku Kadare nuk ka shkelur kurrë, por që megjithatë e ka përshkruar gjerësisht në librat e tij.

Por ajo që të bën veçanërisht mbresë në librat e Kadaresë është përshkrimi që ai i bën asaj pjese të botës të cilën e ka vizituar, e ka njohur pak a shumë. Si një ligj i pashkruar, përshkrimet gjeografike në veprën e shkrimtarit pasojnë udhëtimet dhe zhvendosjet e tij në qytete dhe vise të reja në Shqipëri dhe në botë. Kështu, në veprën e tij është në radhë të parë bota shqiptare ajo që shfaqet, duke nisur që nga vendlindja e tij, Gjirokastra. Shumë shkrimtarë të mëdhenj, pas fillimeve të tyre letrare, i largohen temës së vendlindjes në veprën e tyre i shmangen përshkrimit të gjerë të vendlindjes. Me Kadarenë ndodh ndryshe. Vendlindja ka qenë një temë konstante e veprës së tij. Ai i rikthehet vazhdimisht asaj në romane tregime, poezi. Nëse do të bëhej një studim i veçantë për vendin që zë qyteti apo fshati i lindjes në gjeografinë e veprës së shkrimtarëve të mëdhenj, dhe posaçërisht për përshkrimet që ata i kanë bërë qytetit apo fshatit të tyre të lindjes, shumë pak prej tyre do të konkurronin me këtë përshkrim që Kadare i ka bërë qytetit të tij të lindjes, Gjirokastrës:

Në librin e Kadaresë “Pallati i Ëndrrave”, ku Kadare siç e ka pohuar vetë ka krijuar një strukturë të ferrit, ai e përdor disa herë mënyrën e dërgimit të lexuesit në udhëtim nëpër botë që nga sallat e Tabir Sarajit, nëpërmjet përmbajtjes së ëndrrave që shqyrton personazhi kryesor i romanit, nëpunës në këtë pallat. Por Kadare bën diçka shumë më të veçantë. Ai krijon diçka që nuk i kishte shkuar ndërmend as Dantes, një lloj ferri gjeografik, të shteteve. Dhe këtë e bën nëpërmjet përmbajtjes së ëndrrave. Ja se cila është përmbajtja e një ëndrre, në të cilën Kadare tregon edhe mënyrën e zbritjes së ëndërrparësit në ferr, një përshkrim ky alternativ me atë të famshëm të Dantes:

Me sa di unë, Kadare është i vetmi shkrimtar i madh, një prej personazheve të të cilit përjeton një dramë të tillë polare dhe kryen një arratisje polare.

Kur bëhet harta e gjeografisë së veprës së një shkrimtari, aq më tepër e një shkrimtari botëpushtues, është me vlerë që bashkë me të paraqiten edhe detaje të tjera, siç është harta e itinerarit personal të shkrimtarit, e shtëpive të ndryshme në të cilat ka banuar ai, se këto lenë gjurmë te ai dhe ndikojnë në një masë apo në një tjetër në veprën e tij. Për Kadarenë e dimë se shtëpia e tij e lindjes në Gjirokastër ka lënë mbresa të mëdha tek ai. Shumë mbresa duket të ketë lënë edhe shtëpia tjetër e tij në Tiranë, shtëpia e tretë në të cilën banoi në Tiranë, në Rrugën e Dibrës, e njohur si pallati me kuba, në gjuhën popullore, një ndërtesë kjo që i shkaktoi jo pak probleme shkrimtarit. Kjo për arsye se u bë shkak që në një periudhë të vështirë të jetës së tij, t’ i rëndohen akuzat për prirje properëndimore, dhe në vazhdim të shërbente si provë materiale e këtyre prirjeve të tij. Shtëpia e një shkrimtari është tempulli i tij. Kështu duket se e ka parë Kadareja shtëpinë e tij në përgjithësi, në Gjirokastër, Tiranë, Paris, Durrës. Ndonëse për të shkruar, ka parapëlqyer kafenetë para studios në shtëpi, nuk është e vështirë të kuptohet, për një njeri të lindur dhe të rritur në një shtëpi të madhe, siç është ai, se fakti se ku banon ka një ndikim jo të pakët në veprën e tij. Është interesante që të bëhet një kategorizim i veprës së tij sipas shtëpive ku ka banuar, duke përfshirë edhe konviktet.

Më Shumë

Shqetësime për shëndetin e Mike Tyson para duelit me Jake Paul

Shqetësime të reja janë ngritur në lidhje me ndeshjen e ardhshme profesionale midis YouTuber-it të kthyer në boksier Jake Paul dhe ish-kampionit të peshave...

Totaj pret atletin e MMA-së nga Velezha, Gjoni Palokaj

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur sot atletin e MMA-së (Mixed Martial Arts) me prejardhje nga Velezha, Gjoni Palokaj. Palokaj aktualisht mban dy tituj...

Lajmet e Fundit