14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Gjoba ndaj UP-së, faturë për veprime të rektorit Zejnullahu

Ditë më parë Inspektorati i Punës, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), ka ndëshkuar Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe rektorin e këtij institucioni, Ramadan Zejnullahu, me 16 mijë euro gjobë për shkeljen e Ligjit të punës lidhur me një konkurs të Fakultetit të Mjekësisë.

Kjo gjobë e shqiptuar është ndarë në dy pjesë, 9 mijë euro duhet të paguhen nga institucioni, përkatësisht buxheti i Universitetit të Prishtinës, kurse 7 mijë euro të tjera duhet të paguhen nga vetë rektori i UP-së, pasi që ai është dënuar edhe si person fizik.

Këtë shkelje e ka pranuar edhe Universiteti i Prishtinës, duke njoftuar se pas shqiptimit të gjobës, me kërkesë të Inspektoratit të Punës i ka anuluar të gjitha kontratat në degët e mamisë dhe Infermierisë të Fakultetit të Mjekësisë, për bartësit e të cilave është konstatuar se nuk i plotësojnë kushtet ligjore për t’u angazhuar në procesin mësimor.

Lidhur me ketë gjobë, KosovaLive ka kontaktuar me kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, nga i cili ka kërkuar të dijë se sa ndëshkime me gjobë dhe mënyra të tjera ka bërë gjatë këtij tremujori Inspektorati i Punës për shkeljen e Ligjit të punës dhe ndaj kujt janë aplikuar këto masa?

Mirëpo, çuditërisht kryeinspektori Ibrahimi nuk shprehu gatishmëri për të folur posa mori vesh se tema ndërlidhet edhe me gjobën që i është shqiptuar Universitetit të Prishtinës dhe rektorit të tij, Zejnullahu.

KosovaLive pos pyetjes së përmendur më lart kryeinspektorit Ibrahimi në e-mail i ka dërguar edhe dy pyetje në të cilat po ashtu nuk mori përgjigje. Pyetja e radhës ishte se cili ndëshkim me radhë për këtë vit ishte ndëshkimi ndaj Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe rektorit të tij, Ramadan Zejnullahu, si dhe pyetja tjetër se a mund të ndërlidhet kjo gjobë me ndonjë hakmarrje të mundshme ndaj rektorit Zejnullahu për qëndrimin e tij këmbëngulës për ndaljen e pagave të dyfishta për njerëzit e politikës që punojnë në këtë universitet, duke filluar nga kryeministri dhe shumë ministra e deputetë, si dhe për refuzimin për të pranuar me automatizëm 1000 studentë jashtë kritereve nga lista e shoqatave të luftës?

Kryeinspektori Ibrahimi nuk është përgjigjur në asnjërën nga tri pyetjet tona, përkundrazi në interesimin tonë për të ditur se a do të përgjigjet dhe kur, ai nëpërmjet telefonit ka bërë të ditur se nuk do të përgjigjet, pasi sipas tij, pyetjet qenkan me paragjykime.

“I kam parë pyetjet, por nuk u përgjigja, sepse pyetjet e juaja janë plotësisht me paragjykime. Kryeinspektori nuk vendos gjoba ndaj askujt, por i vendos Inspektorati i Punës. Mund të plasoni tekstin edhe pa përgjigjen time, është vlerësim i juaji”, është përgjigjur shkurt ai.

KosovaLive ka gjurmuar për të kuptuar se sa gjoba ka shqiptuar Inspektorati i Punës gjatë këtij viti, por askund nuk ka hasur ndonjë të dhënë që është bërë publike. Janë gjetur të dhëna që flasin vetëm për vitit 2014. Sipas atyre të dhënave del se gjatë vitit të kaluar Inspektorati i Punës ka realizuar 9,337 inspektime ku nga këto 5,974 kanë qenë inspektime të rregullta, 2,715 kanë qenë inspektime të përsëritura, 488 kanë qenë inspektime me kërkesë të palës, si dhe 160 kanë qenë inspektime në bashkëpunim me institucionet tjera të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.

Tutje gjatë këtyre inspektimeve, Inspektorati i Punës ka arritur të legalizojë 2,715 punëtorë, të cilët kanë punuar në mënyre jo formale si dhe 336 subjekte ekonomike të cilat aktivitetin e tyre e kanë ushtruar gjithashtu në mënyre jo formale.

Ndërsa, sa i përket numrit të gjobave të shqiptuara për një vit, sipas të dhënave që janë bërë publike, Inspektorati i Punës ka shqiptuar 1,502 vërejtje me shkrim, si dhe 171 gjoba. Nëse nisemi nga numri i gjobave të vitit të kaluar, atëherë gjoba shqiptuar UP-së dhe rektorit Zejnullahu, edhe nëse nuk është e para mund të jetë ndër të parat për këtë vit.

Njohës të çështjeve të arsimit, këtë gjobë të shqiptuar ndaj UP-së dhe rektorit Zejnullahu, e shohin me dyshimin se ajo mund të jetë faturë e veprimeve të rektoratit, i cili nuk pranoi të bëhet vegël e ndikimeve politike në Universitet, madje që nga fillimi i mandatit të tij paralajmëroi disa masa që pushtetarëve nuk u pëlqyen fare.

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, i cili është edhe drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), ka thënë për KosovaLive se është për habi se përse Inspektorati i Punës nuk është marrë me UP atëherë kur punësoheshin njerëz me vendime të paligjshme.

“Duke i analizuar të gjitha rrethanat, mendoj se ka hapësirë për të dyshuar në motivet e gjobitjes së rektorit dhe mund të ndodhë që kjo të jetë fatura për veprimet e tij prej fillimit të marrjes së mandatit. Është e çuditshme se si Inspektorati i Punës nuk është marrë me Universitetin në kohën kur janë punësuar njerëz me vendime krejtësisht të paligjshme, madje edhe në ditën e fundit të mandatit të një rektori, ndërsa është ‘aktivizuar’ disa ditë pasi u janë ndalur gjysmëpagat e bartësve të funksioneve publike ku bëjnë pjesë gati gjysma e përbërjes së Qeverisë”, thekson ai.

Sipas Pupovcit, arsyetimi i Inspektoratit se këta njerëz nuk i plotësojnë kushtet ligjore për t’u angazhuar në mësimdhënie qëndron, por është shprehur skeptik se a është fajtor për këtë rektori që e ka marrë postin tani gjashtë muaj, apo ata që kanë hapur dhe kanë akredituar programe studimi pa u plotësuar asnjë kusht.

“Këta njerëz, me po këto kualifikime, kanë qenë të angazhuar edhe në vitet e mëhershme, edhe atë me rekomandimin e Agjencisë së Akreditimit, ndërsa tani dënohet njeriu i cili, me kërkesën e Inspektoratit, ua ka shkëputur kontratat.

Mbase zgjidhja më e mirë është që programeve të tilla t’u vihet dryni dhe të mbahen vetëm ato programe për të cilat ka kuadro ose mund të sigurohen kuadro nga vendet tjera”, ka thënë tutje Pupovci.

KosovaLive ka kontaktuar edhe me zyrtarë të UP-së të cilët i kanë ikur prononcimit, duke ia hedhur kompetencat njëri-tjetrit. Këshilltari i rektorit të UP-së, Durim Berisha, i kontaktuar nga ne, ka thënë se për këtë çështje do të ishte më mirë të flasë sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi.

Mirëpo, as ai nuk u shpreh i gatshëm të flasë, duke thënë se nuk është kompetent të flasë për këtë.

“Këtë pyetje mund t’ia bëni Inspektoratit të Punës ose zëdhënësit të UP-së, pasi që unë nuk jam kompetent për komunikim me media”, ka thënë shkurt për KosovaLive përmes adresës elektronike, Kelmendi./Kosovalive/

Më Shumë

Ylli e barazon serinë finale ndaj Trepçës

Golden Eagle Ylli e ka barazuar serinë ndaj Trepçës, duke fituar me rezultat shumë të ngushtë në Suharekë. Ylli triumfoi me një pikë diferencë 80:79...

Nxënësit e shkollës “Abdyl Frashëri” në Prizren organizuan aktivitet humanitar për nxënësin Benjamin Beqirin

  Të premten, në shkollën “Abdyl Frashëri”, u organizua një aktivitet humanitar për të ndihmuar një nga nxënësit e shkollës, Benjamin Beqiri, i cili vuan...

Lajmet e Fundit