11.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Gjykata e Hagës zëvendëson gjyqtarët “e njëanshëm” në çështjen e Mlladiqit

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, MICT, ka pranuar të heqë tre gjyqtarë nga procedura e apelit në rastin e ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq.

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, MICT, njoftoi të mërkurën se kishte hequr tre gjyqtarë nga procesi i apelit për shkak të njënashmërisë së tyre të dyshuar, me kërkesën e mbrojtjes së ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq.

Gjyqtari Jean-Claude Antonetti e pranoi kërkesën e mbrojtjes për të hequr Theodor Meron, Karmel Agius dhe Daqun Liu nga procedimet.

Antonetti shkroi në vendimin e tij se Meron, Agius dhe Liu “dukeshin të njëanshëm”, duke pasur parasysh se më herët kishin nxjerrë përfundime të caktuara lidhur me Mlladiqin në çështje të tjera në Hagë.

Antonetti vendosi mbi mocionin pasi kryetari i MICT e përjashtoi veten nga marrja e një vendimi, sepse mocioni gjithashtu vlente edhe për të.

“Përgjegjësia për marrjen e vendimit i mbetet gjyqtarit që ka më shumë vite punë duke pasur parasysh se unë jam subjekt i mocionit dhe, në të njëjtën kohë, kryetari i Mekanizmit,” tha Meron në vendimin e tij për përjashtimin.

Avokatët Branko Lukiq dhe Dragan Ivetiq parashtruan kërkesën që Meron, Agius dhe Liu të skualifikoheshin nga gjykimi sepse ishin “të njëanshëm”. Në mocione të veçanta, ata përmendën pjesë të gjykimeve të shkruara nga gjyqtarët Meron, Agius dhe Liu, të cilët, sipas avokatëve mbrojtës, përfshinin “konkluzione të papranueshme për Mlladiqin”.

Ata thanë se Meron kryesoi dhomat që dënuan gjeneralin serb të Bosnjës Radislav Krstiq dhe komandantin ushtarak, Zdravko Tolimir për gjenocid në Srebrenicë, duke argumentuar se vendimet thoshin se Mlladiq “kishte për qëllim të vriste myslimanët boshnjakë” dhe se ai ishte në dijeni të veprimeve të paligjshme të kryera nga vartësit e tij, transmeton Kallxo.

Avokatët e Mlladiqit gjithashtu thanë se Agius ishte anëtar i dhomës që dënoi oficerët ushtarakë serbë të Bosnjës Vujadin Popoviq, Ljubisa Beara, Drago Nikoliq, Radivoje Miletiq, Vinko Pandureviq, Ljubomir Borovcanin dhe Milan Gvero, ndërsa Liu mori pjesë në vendimet në çështjen kundër Vidoje Blagojeviq dhe Dragan Jokiq.

Gjykata e OKB-së e dënoi Mlladiqin me burgim të përjetshëm në nëntor të vitit të kaluar pasi e gjeti atë fajtor për gjenocid në Srebrenicë, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Mlladiq u lirua nga akuzat për gjenocid në gjashtë komuna të tjera boshnjake.

Si mbrojtja ashtu edhe prokurorët e MICT e apeluan vendimin. Vendimi përfundimtar pritet të merrtet vitin që vjen.

Antonetti, i cili drejtoi dhomën e shkallës së parë që liroi nga akuzat politikanin serb Vojisllav Shesheli, ka caktuar një panel të ri në rastin e Mlladiqit, që përbëhet nga gjyqtarët Mparany Mamy Richard Rajohnson, Gberdao Gustave Kam dhe Elizabeth Ibanda-Nahamya.

Më Shumë

Hilë Mosi, poeti dhe luftëtari i çlirimit të trojeve shqiptare

Hilë Mosi lindi me 22 Prill 1885 në Shkodër dhe vdiq në shkurt 1933 në Tiranë, biri i Mark Mosit, qe ndër atdhetarët më...

Përvojë unike 360 gradë, publikohen pamje nga skena gjigante e Eurovisionit

Transmetuesi suedez SVT ka zbuluar skenën mbresëlënëse në Malmö Arena, në të cilën do të interpretohen 37 këngët e Eurovision Song Contest, i cili...

Lajmet e Fundit