(E plotësuar) Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se themelimi i Gjykatës Speciale për Kosovën do të jetë një lajm i keq për Kosovën.
“Mos të harrojmë, kjo gjykatë ka edhe disa dimensione tjera. Kosova është një vend që duhet të jetë pjesë e organizmave të ndryshme ndërkombëtare. Një gjykatë e tillë vetëm për Kosovën që s’ka ndodhur as për Kroacinë e as për Bosnjën është një lajm i keq. Vetë emri Gjykatë për kosovëën është problem për imazhin e Kosovës”, ka thënë lideri i AAK-së, në KTV, për emisionin Rubikon.
Sipas tij, pse ka ardhur deri në themelimin e saj, meritor janë PDK-ja dhe Hashim Thaçi.
“Kjo po ndodhë për shkak të gjyqësisë së dobët në vend. Këtu ka meritë edhe EULEX-i. Në rast se gjyqësori ynë do të kishte fituar besimin, atëherë nuk do të vinte deri tek themelimi i saj. Ne si AAK nuk do ta votojmë këtë gjykatë”, ka thënë ndër tjerash Haradinaj.
Haradinaj: Thaçi është gënjeshtar
Kapitull të dhimbshëm, por që është i mbyllur, e quan historinë me Bllokun ish-i nominuari i këtij bllokut për kryeministër, Ramush Haradinaj.
Haradinaj në KTV, për emisionin Rubikon thotë se blloku dështoi pikërisht për shkak se ndërkombëtarët ishin të interesuar për një koalicion me dy të tretat e votave në parlament, për arsye se u nevojiten votat për Gjykatën Speciale dhe disa çështje të tjera, transmeton koha.net.
Megjithatë, ai pranon se ka qenë ai që kishte shpallur fundin e Bllokut për faktin se, siç deklaron Haradinaj, Isa Mustafa po e shfrytëzonte bllokun, e në anën tjetër kishte marrëveshje me PDK-në.
Ai ka mohuar se ka pasur një marrëveshje të shkruar me Hashim Thaçin, madje nuk ka hezituar ta quajë gënjeshtar atë, por edhe Dardan Molliqajn e Vetëvendosjes, i cili kishte deklaruar se e kishte parë marrëveshjen mes të dyja partive.
“Rren edhe Hashim Thaçi që thotë ka pasë marrëveshje. Rren edhe rren është”, thotë ai.
Haradinaj megjithatë ai nuk e sheh këtë Qeveri si afatgjate, pasi ka pak besim në qeverisjen e Isa Mustafes, madje ka thënë se besim nuk ka as te ministri i Financave, i cili pothuajse e ka bankrotuar kryeqytetin.
Haradinaj ka pranuar se ka pasur raste kur ka gabuar në politikë, por që këtë e ka bërë pasi nuk i ka njohur mirë njerëzit.
Haradinaj: Nuk do të ndalem pavarësisht etiketimeve për krim e haraç
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, thotë se ndryshimet janë jetike në vend, e jo vetëm në partinë e tij.
Ai ka thënë se është koha që popullit t’i tregohet që nënshtrimi mund të mos pranohet.
“Idea për ndryshim është kërkesë jetike në këtë vend. Mos të pranohet nënshtrimi”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se për shkak të etiketimeve për haraç e krim për partinë e tij, ai nuk do të ndalet së bëri punë, që siç tha Haradinaj, janë për të mirën e vendit.
“Për shkak pse njerëzit thonë keni bërë haraç e krim, unë kurrë nuk do të lë pa bërë punë të mirë për vendin. Perceptimet e njerëzve nuk do të na ndalin. Nuk po e bëjmë këtë pse e kemi traumë nga ajo që shkoi, por po e bëjmë pse po shohim se ku ka hyrë vendi ynë”, ka thënë veç tjerash Haradinaj.
Ai ka thënë se për gjendjen e krijuar në vend, të gjithë jemi përgjegjës, siç tha ai, “duke mos përjashtuar as veten”.
“Nuk mund të vijë një gjendje deri kur ka ardhur nëse të gjithë do ta kryenim punën tonë. Të gjithë jemi përgjegjës, edhe unë nuk e përjashtoj veten nga kjo përgjegjësi” ka thënë Haradinaj.
Haradinaj kritikoi pushtetin se në vazhdimësi ka përdorur instrumente për të dobësuar opozitiën.
“Pushteti sot nuk ka instrument që nuk përdorë për ta dobësuar oponencën. Për ta krijuar një fuqi dhe t’ia japim popullit besimin, shiqoni e keni mundësinë të bashkëojetoni me krimin, por të parën kam thënë se nuk i nënshtrohem krimit”, ka thënë ai.