14.8 C
Prizren
E mërkurë, 20 Nëntor, 2024

Haradinaj në Krushë: Të rënët nderohen duke mos vjedhur shtetin

Kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor të 20-vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe nga ku është deklaruar se nuk ka paqe në Ballkan pa pranuar Serbia që ka kryer krimet e veta.

Ai para të pranishmëve fillimisht iu drejtua fëmijëve dhe për këtë tha se ka një arsye.

“E fillova me fëmijët sepse kam arsye pse e fillova. Është ndjenjë e mirë t’i shohësh fëmijët aty ku është ndalë jeta, por jeta jonë do të vazhdojë edhe pse qëllim ka qenë të ndalet. Kur shkoj në Prekaz dhe po i shoh brezat e rinj atëherë jemi të sigurt që jeta dhe e drejta jonë vazhdon. Në vitin 1999 ishte i drejtë vendimi i NATO-s me ndalë tragjedinë e Kosovës. Në ditën e sotme kujdesi, respekti dhe nderimi i të rënëve është detyrë siç janë botimet, librat, dokumentarët për ata pasi dëshmitë janë më se të nevojshme. E vërteta jonë e dhimbshme të mundë të dëshmohet dhe tregohet. Kur intelektualë dhe të rinj serbë të kërkojnë të vijnë në Kosovë me pa edhe Krushën, do ta kishin më lehtë të kuptonin të drejtën e rajonit tonë”, deklaroi ai.

Tutje, Haradinaj tha se nuk mund Serbia t’i japë paqe Ballkanit nëse nuk i njeh krimet e kryera në Kosovë.

“Po i dëgjoj politikanët serbë që mohojnë krimet dhe dhimbjen tonë. Ne kemi dhjetëra vende ku janë vra civilë të pafajshëm, të shumë etnive dhe besimeve. Është e pakuptimtë që Serbia të kërkojë diçka për njohje. Si ka mundësi të mohohet Krusha, Suhareka? Si ka mundësi që Vuçiq, Bërnabiq dhe Daçiq, ta mohojnë të vërtetën, si dëshirojmë t’i japin paqe Ballkanit? Ne edhe me këta të pagjetur kemi shkuar në dialog. Si ka mundësi që ata t’i kërkojnë Kosovës të plotësojë kushte për të shkuar në dialog?”, shtoi ai.

I pari i Qeverisë ka përmendur edhe vrasjen e vëllezërve Bytyqi dhe rastin e Ukshin Hotit.

“Vëllezërit Bytyqi kanë shokuar botën dhe rasti i ngjashëm është me Ukshin Hotin. Duke qenë kështu, ne politika kemi shumë faj dhe jemi për kritikë në shumë drejtime. Ne do t’i nderojmë të rënët në Krushë e kudo duke punuar më sinqertë dhe duke mos e vjedhur vendin, të mos shikojmë vetëm për vete dhe familjet tona apo të afërmit e partive tona. Këtë e arrijmë duke vendosur rend e ligj në vend. Njohja e Kosovës nga Serbia nuk nënkupton amnisti ligjore. Nuk është pajtim të kthehesh në të këqija, por të njihen dy vendet dhe të ecim përpara me kufijtë ekzistues. Ne synojmë anëtarësimin në BE dhe NATO. Kemi ushtrinë dhe duhet të jemi në gjendje të mbrohemi, por do të jemi më të sigurt në NATO sepse është mbrojtje kolektive”, ka përfunduar kryeministri.

Më Shumë

Shqiptarja arrestohet në Vërmicë për ryshfet ndaj një zyrtari policor

Një shtetase shqiptare është arrestuar nga Policia e Kosovës në pikë kalimin kufitar të Vërmicës, pasi i ka dhënë 50 euro ryshfet një zyrtari...

KH Rahoveci: Ejani na përkrahni që të bëjmë historinë

KH Rahoveci kërkon përkrahje nga tifozët në garat evropiane. Rahoveci pasi e shkroi historinë e sportit në Kosovë, tashmë po vazhdon ëndrrën përrallore në Evropë...

Lajmet e Fundit