-0.5 C
Prizren
E mërkurë, 15 Janar, 2025

Haskuka tregon pse kampi gjerman në Prizren nuk mund të shndërrohet në spital

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se kampi gjerman në Prizren nuk është më opsion për t’u shndërruar në një spital ku do të vendoseshin në karantinë personat e dyshuar apo të infektuar nga koronavirusi (COVID-19).

Haskuka ka deklaruar se menaxhmenti i kampit gjerman, si dhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, u kanë bërë të qartë institucioneve të vendit se kampi nuk është vend adekuat për t’u shndërruar në karantinë.

“Menaxhmenti i kampit dhe Ambasada e Gjermanisë i kanë dërguar të gjitha pikat në të cilat tregohet se kampi nuk është adekuat për trajtimin e personave të tillë. Do të thotë, kjo mund të jetë si në rastin e refugjatëve kur mund të vendosen aty”, ka thënë Haskuka.

Në një bisedë telefonike me Insajderin, Haskuka ka thënë se “sipas analizave të vendeve të cilat e kanë kaluar sfidën e koronavirusit”, në Kosovë ende nuk është shfaqur nevoja për improvizimin e spitaleve të izoluara.

“Së pari, sipas analizës së vendeve që kanë kaluar koronavirusin, nuk ka nevojë për karantina të tilla – të përmasave të mëdha. Atyre që i duhet shërbimi mjekësor, në kamp nuk do mund ta merrnin shërbimin mjekësor, prandaj ata duhet të jenë nëpër spitale”, ka deklaruar kreu i Komunës së Prizrenit.

Haskuka ka treguar se në bashkëpunim me institucionet qendrore, gjegjësisht Ministrinë e Shëndetësisë, janë identifikuar vende të tjera alternative për karantina.

“Ne kemi pasur takim me ministrin Arben Vitia dhe ai ka qenë i pajtimit se nëse ka nevojë për karantina derisa të shfaqen simptomat, atëherë ne kemi identifikuar vende të tjera alternative. Megjithatë, për momentin nuk ka nevojë për karantina të tilla”, ka nënvizuar Haskuka.

Insajderi ka tentuar të marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me opsionet e tjera të mundshme për hapësirat që do të përdoreshin si karantinë, por gazeta nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ky institucion.

Nga Ministria e Shëndetësisë, i kanë thënë Insajderit se ministri Arben Vitia do të mbajë konferencë për shtyp sot në orën 16:30, ku do të komunikojë masat e reja lidhur me gjendjen emergjente të shëndetësisë në vend.

Ditëve të fundit është përfolur se Qendra e Konvikteve të Studenteve është një prej alternativave për t’u shndërruar në karantinë, mirëpo lajmin e ka mohuar të hënën, Fatmir Sfishta, drejtor i qendrës.

Më Shumë

Komuna e Prizrenit mbështet financiarisht prindërit për fëmijët e lindur gjatë vitit 2024

Drejtoria për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit ka publikuar njoftimin për mbështetjen financiare të prindërve, fëmijët e të cilëve kanë lindur...

Arrestohet i kërkuari në Suharekë dërgohet në vuajtje të dënimit me tre vjet

Policia në Prizren ka arrestuar të kërkuarin me inicialet A.B., 29 vjeç, nga Suhareka, i cili ishte i dënuar për veprën penale “Lëndim i...

Lajmet e Fundit