22.4 C
Prizren
E hënë, 9 Qershor, 2025

Historia e vrasjes me snajper: Grabitjet, vrasjet dhe pazaret e drogës

I ekzekutuari me snajper nga Kalaja e Rozafës mban pas vetes një histori të mbushur me krime të ndryshme, që nga vrasjet, gjobëvëniet, përplasjet me armë e deri te pazaret e drogës, të cilat e kanë zanafillën që në vitin 1997 dhe ia kanë vështirësuar punën grupit hetimor për zbardhjen e saj.

Por, dyshimet kryesore kanë të bëjnë me një vrasje për gjakmarrje, pasi viktima, Xhabir Shegaj, ka qenë i dyshuar si i përfshirë në të paktën dy krime të rënda, ai i vitit 2001, për të cilin ka kryer dënimin deri para një viti, por dhe për një vrasje të pesëfishtë, në vitin 1999.

Sipas të dhënave që disponohen nga policia për Xhabir Shegajn, nga Lezha, por që prej vitesh ishte zhvendosur në Shkodër, historia kriminale e tij nis në vitin 1997 me disa vepra penale të kryera në qytetin e Lezhës. Për të vazhduar më tej, në vitet 1998-1999, ai rezulton si i dyshuar për të paktën dy vepra penale, si “vjedhje me armë” dhe “kundërshtim i punonjësve të policisë me armë zjarri”.

Megjithatë, zyrtarisht nuk ka të dhëna, nëse ai është dënuar për këto krime, apo kanë qenë dyshime të policisë në atë kohë. Por, krimi më i rëndë për të cilin dyshohej Xhabir Shegaj ka ndodhur në qershor të vitit 1999, sapo ai ishte zhvendosur në qytetin e Shkodrës. Bëhet fjalë për një vrasje në lagjen “Vasil Shanto”.

Nga informacionet e policisë të asaj kohe rezulton se më 28 qershor 1999, në një lokal në lagjen “Vasil Shanto”, ka pasur një përplasje me armë, gjatë së cilës kanë mbetur të vrarë Flamur, Petrit dhe Albert Ndreu, Alvaro Vukaj dhe Florian Necaj. Një nga autorët e dyshuar për vrasjen e pesëfishtë ka qenë Shegaj, por ai nuk është dënuar për këtë krim. Dy vite më vonë, në bashkëpunim me Ilmi Hajdarin dhe Kujtim Barbullushin vrau Endrit Bajrin. Për këtë krim, ai është dënuar nga drejtësia shqiptare dhe deri në muajin shkurt të vitit 2014, Shegaj ka qenë në burg.

Por, sapo ai ka lënë qelinë, duket se i është kthyer sërish rrugës kriminale. Emri i tij rezulton në një tjetër dosje të vitit 2014, ku mendohet se është përfshirë në një gjobëvënie për shkak të një borxhi për drogën e humbur. Megjithatë, për këtë krim është arrestuar vetëm vëllai i tij, Sali Shegaj, i cili në bashkëpunim me dy persona të tjerë, i kishin vënë gjobë një të riu nga Lezha dhe e kishin kërcënuar me jetë, pasi ishte futur garant për pagesën e borxhit për një sasi të konsiderueshme droge të kapur nga Policia e Vlorës.

Sipas dosjes penale, ku ka dalë sërish emri i të vrarit me snajper, në vitin 2014, një i ri nga Lezha ka denoncuar se Naser Brahimaj, Sali Shegaj dhe Donald Brahimaj e kanë kërcënuar vazhdimisht për dhënien e një shume prej 165 000 eurosh, që nga muaji prill i vitit 2013. Ai ka shpjeguar se i ka njohur Naser dhe Donald Brahimajn prej baxhanakut të tij. Në muajin prill të 2013, ai ka qenë prezent kur këta persona kërcënuan Hergisin, për shkak të një sasie lënde narkotike të llojit kanabis sativa, e cila ishte kapur nga Policia e Vlorës dhe që kishte qenë e destinuar për jashtë shtetit. Për këtë arsye, ata kërkonin lëndën narkotike, ose 165 mijë euro.

Në këto kushte, baxhanaku i tij ka hyrë garant për të paguar paratë, por ata kanë vijuar me kërcënimet ndaj tij dhe familjes së tij. Madje, me anë të kërcënimeve kanë arritur t’i marrin 70 mijë euro. Më pas, ata i kanë kërkuar një tokë në bregdet, ku Sali Shegaj e ka kërcënuar me vëllain e tij, Xhabir Shegaj, i cili së shpejti do të dilte nga burgu. Madje, dy vëllezërit Shegaj i kanë shkuar në shtëpi të riut nga Lezha, duke i kërcënuar nënën dhe pas kësaj, ai i është drejtuar policisë për ndihmë. Kjo e fundit, në bashkëpunim me prokurorinë, kanë realizuar arrestimin e kërcënuesve, por Xhabiri është lënë i lirë për mungesë provash, pasi ai sapo kishte dalë nga burgu.

Tashmë, të gjitha këto krime që mbushin të shkuarën e viktimës do të kalojnë në sitën e policisë për zbardhjen e vrasjes së tij me snajper, teksa qëndronte në oborrin e shtëpisë. Dyshimet kryesore të policisë lidhen me pistën e gjakmarrjes, duke marrë parasysh krimet e ndodhura në vitet e shkuara, por një dosje e tillë e vështirëson punën për zbardhjen e krimit, që sipas precedentëve të mëparshëm, është e destinuar të mbyllet pa autor. Po ashtu, Xhabir Shegaj, i cili i shpëtoi atentatit të parë, po me snajper, mendohet se nuk ishte mbyllur brenda në shtëpi nga gjakmarrja me qëllim për të mbrojtur fëmijët, duke marrë shkas edhe nga tre atentate të njëpasnjëshme, ndaj tij dhe familjes së tij. /Gazeta Shqip/

Më Shumë

Sot përpjekja e 29-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sërish sot me fillim nga ora 11:00 në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e 29-të për konstituimin e...

Dështon edhe përpjekja e 27 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Për herë të 27-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga subjektet...

Lajmet e Fundit