12.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Historia e gjetjes së eshtrave të Isa Boletinit

eshtrat e isa boletinitPara pak ditësh u vërtetua edhe shkencërisht nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Strasburgut, se eshtrat e gjetura në Mal të Zi janë të heroit Isa Boletini. Familjarët e Boletinit, së bashku me Ministrinë e Kulturës, kanë vendosur që eshtrat e heroit të rivarrosen më 28 nëntor, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Detajet e ceremonisë ende nuk janë bërë të ditura, por dihet se ajo do të organizohet në bashkëpunim me shtetin shqiptar. Analizat e ADN-së, u janë bërë edhe shtatë mbetjeve të tjera mortore që Shukriu i kishte zbuluar në të njëjtin vend në Malin e Zi. Njëri nga ta rezulton të jetë nipi i Isa Boletinit, Jonuz Ahmet Boletini. Ndërkaq nuk është arritur të identifikohen edhe gjashtë të tjerët.

Isa Boletini është vrarë në Mal të Zi më 23 janar të vitit 1916 nga xhandarët malazez dhe u varros në Podgoricë. Por shumë vite më vonë, do të dilte dikush që të interesohej për varrin e tij dhe rikthimin e eshtrave në Kosovë. Bëhet fjalë për Muhamed Shukriun. Mbesa e tij, Erleta Hoti, rrëfen për Tribuna historinë e hulumtimit të gjyshit të saj, deri në gjetjen dhe sjelljen e eshtrave në Prishtinë.

“Interesimi i gjyshit, Muhamed Shukriut, për gjetjen e eshtrave të Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij daton që nga viti 1973, kur ishte drejtor i Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore të Prizrenit. Përmes këtij Enti nisi kërkimet, gjetjet dhe erdhën edhe rezultatet e para rreth identifikimit të lokacionit të mbetjeve mortore, si: dëshmitë e pasardhësve, personave që kanë pas lidhshmëri me varrimet në Mal të Zi, faktet nga literaturat e materialet e ndryshme e të tjera”, thotë Hoti.

Të gjitha hulumtimet duke përfshirë incizimi gjeodezik dhe fotografimi i tri lokacioneve të ndryshme në Podgoricë, ku dyshohej se ishte varrosur Isa Boletini dhe të tjerët, ishin përmbledhur në Raportin e EMPKP-së, nr. 286, të datës 27.03.1979. Në po këtë vit, vazhdon Hoti, kur Kosova ishte Krahinë Autonome, përmes EMPKP-së, Shukriu parashtroi kërkesën e parë për projektin rreth kërkimeve të mëtutjeshme antropologjike dhe transferimin e eshtrave të Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij në Kosovë.

“Ky projekt nisi realizimin në Podgoricë por, vazhdimi i tij sipas gjyshit u pengua disa herë nga Republika e asokohshme e Malit të Zi”, thekson Hoti.

Gjetja dhe zhvarrosja e eshtrave

Muhamed Shukriu në përgjithësi kishte lidhje shpirtërore me trashëgiminë kulturore të Prizrenit e në veçanti me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila u mbajt në xhaminë e Gazi Mehmed Pashës. Hoti thotë se gjyshi i saj, si drejtor i EMPKP-së, në vitin 1977 pranë kësaj xhamie ndërtoi kompleksin monumental të Lidhjes së Prizrenit, që vizitohet sot e kësaj dite.

“Dihet se Isa Boletini ishte luftëtar i Lidhjes së Prizrenit që nga mosha 17 vjeçare. Përveç kësaj, nëna e bashkëshortes së dajës tim, Sadete Gora, ishte mbesa e Isa Boletinit, me ç’rast shkëmbenin shumë informata me të dhe me Ismet Boletinin. Me ndihmën e këtij të fundit dhe trashëgimtarëve të tjerë krijuan dhe trungun familjar të familjes Boletini (Foto 1). Gjyshi në shtëpinë e tij në Prizren, në një hapësirë të veçante të një dhome, ia ka dedikuar Isa Boletinit, ku figuron edhe cigarellëku dhe një element i pajës së gruas së dytë të tij”, rrëfen Hoti. Ajo thekson se Shukriu përveç Isa Boletinit, kishte lidhje shpirtërore edhe me anëtarët e tjerë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku poashtu kontribuoi në kthimin e eshtrave të Ymer Prizrenit dhe të Abdyl Frashërit.

Gjurmimi i eshtrave të Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij, si dhe tentimi për t’i kthyer ato në Kosovë, është ndarë në tri faza, që nga viti 1973 deri më 1998. Gjatë dy fazave të fundit, ndihmesë dhe informacione të shumta ka ofruar Bashkësia Islame e Podgoricës.
“Në fazën e parë të gjurmimit më 1973, Shukriu së bashku me kolegët nga EMPKP, në bazë të hartave dhe të skicave, kanë arritur që t’i kthejnë eshtrat e Ymer Prizrenit, si dhe ta identifikojnë varrin me epitafin e emrit të Isa Boletinit (Foto 2)”, thotë më tej Hoti.

Faza e dytë e gjetjes së eshtrave, sipas saj, ka filluar në vitin 1994, me ekipin nga Kosova të përbërë nga Muhamed Shukriu, Remzi Murati, nip i Isa Boletinit dhe Asllan Murati, kryeimam në Mitrovicë, si dhe me ndihmën e kryeimamit të Bashkësisë Islame të Podgoricës, Idriz Demirit.

“Sipas gjyshit, gërmimet ishin vështirësuar mjaft, si pasojë e dëmtimit të varrezave ndonëse shanset ende ekzistonin. Por, për shkak të presionit të pushtetit të asokohshëm të Malit të Zi, si dhe konflikteve në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë është ndalë ky proces”, shton Hoti. Faza e tretë kishte nisur në vitin 1998, me ftesën e Bashkësisë Islame të Podgoricës, e cila alarmoi se Komuna e Podgoricës kishte vendosur që përmbi këto varre të ndërtojë një park të qytetit (Foto 3).

“Kjo fazë rinisi sipas projektit të vitit 1979 të EMPKP-së, si dhe me ndihmën e mbështetjen institucionale të Latif Berishës, kryetar i asokohshëm i LDK-së në Mitrovicë dhe përgjegjës për arsim, shkencë dhe kulturë. Në këto gjurmime, që zgjatën 20 ditë, morën pjesë Muhamed Shukriu, Remzi Murati, si dhe Shaqir Ismaili, ish-kryeimam në BI të Podgoricë (Foto 4)”, pohon Hoti.

Krejt ky proces kishte përfunduar më 15 nëntor, kur nga varri ishte zhvarrosur Isa Boletini së bashku me shtatë mbetjet e tjera mortore, që supozohej se ishin: Misin Limani, Hajdar Radisheva, Jonuz Boletini, Zait Boletini, Halit Boletini dhe Idriz Boletini, (Foto 5-6). Disa nga të dhënat që i ofron Hoti, janë marrë nga libri i Muhamed Shukriut, “Prizreni i lashtë” (2001).

Shukriu raportoi te presidenti Rugova

Eshtrat e tetë personave të zbuluar në Podgoricë, ishin sjellë me autobus të vendosura e të kamufluara në disa valixhe të mëdha.
“Këto valixhe ishin në banesën tonë, ndër ta edhe Isa Boletini. Gjyshi ia pastronte eshtrat nga dheu dhe më shpjegonte se si këto mbetje mortore duhej patjetër të ishin të tij, meqë sipas të dhënave, Isa Boletinit i mungonte gishti i mesëm i dorës së majtë, të cilin e kishte prerë me sëpatë në moshën 2-3 vjeçe, duke luajtur në oborrin e Kullës në Boletin, informatë kjo që kishte dhënë mbesa e tij”, deklaron Hoti. Pak më vonë, Shukriu së bashku me Latif Berishën, i kishin dërguar eshtrat në Mitrovicë.

“Atje, së bashku me mulla Asllan Muratin, i kanë fshehur eshtrat e Isa Boletinit dhe të tjerëve në oborrin e xhamisë. Pas këtij veprimi së bashku me Latif Berishën, raportin e paraqitën tek presidenti i asokohshëm i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova ( Foto 7)”, tregon Hoti. Ajo shton se, me aq sa mban mend, lokacionin e eshtrave të Isa Boletinit, e kishin ditur vetëm Shukriu, Berisha dhe Mulla Asllan Murati.

“Që të tretë i ishin përbetuar njeri tjetrit se nuk do ta bënin publike këtë lokacion, deri kur shteti i Kosovës të vendosë që ta ndërtojë një kompleks memorial siç i ka hije Isa Boletinit”, thotë ajo.

Me gjithë tentimin e shumë familjarëve e poashtu të gazetarëve, këtë sekret nuk e thanë asnjëherë. Latif Berisha u vra në shtëpinë e tij nga forcat serbe, kurse Muhamed Shukriu ndërroi jetë në vitin 2009, gjithnjë i shqetësuar për zhvendosjen e eshtrave nga vendi i fshehtë.
“Sidoqoftë, uroj që ëndrra 31 vjeçare e gjyshit tim, si dhe porosia që Isa Boletini ta ketë kompleksin memorial në Boletin ashtu siç e meriton figura e tij kolosale, do të jetësohet denjësisht”, përfundon Hoti./tribuna/

Më Shumë

‘Rrufe në qiell të hapur’, Bayern refuzohet edhe nga Ralf Rangnick

Ralf Rangnick thuhet se ka refuzuar mundësinë për të zëvendësuar Thomas Tuchel-in si trajner i Bayern Munich-ut, duke e lënë klubin të përpiqet për...

Kryeministri Kurti për Asociacionin: Është larg asaj që ka kërkuar Beogradi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe me ç’rast ka thënë se gjithçka duhet të jetë në...

Lajmet e Fundit