Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, nuk beson se shkuarja në zgjedhje mund ta përkeqësojë edhe më shumë krizën politike.
Ai ka thënë se duhet që shumica parlamentare t’i formojë institucionet. Ai ka thënë se deputetëve duhet të mundësohet që institucionet t’i formojë shumica parlamentare. Mustafa në një intervistë për Botapress, ka thënë se shumica parlamentare, PDK-në e ka dërguar në shtëpi me 17 korrik.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme na sjellin në të njëjtën situatë ku jemi, mos edhe më të keqe. Duhet të gjendet zgjidhja në Kuvend. Kryesuesja duhet ta thërret vazhdimin e seancës konstituive. Deputetëve duhet t’u mundësohet të zgjedhin organet e Kuvendit dhe pastaj Qeverinë me shumicën e votave. Nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, kur kemi shumicë parlamentare”, ka thënë Mustafa.
Ai më tej ka shtuar se “shumica parlamentare, z. Thaçin e ka quar në shtëpi më 17 Korrik. Fakti që asnjë nga subjektet politike shqiptare nuk iu ka bashkangjitur PDK-së, flet se ai nuk e ka përkrahjen e tyre”.
“Tani kemi një shumicë e cila ka votat në Kuvend dhe PDK-në, që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë se kjo parti ka të drejtën të propozojë Kryetarin e Kuvendit, i cili zgjidhet me shumicën e votave ( të cilën nuk e ka PDK). Është një situatë absurde”, ka thënë Mustafa. /koha/