7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Islami i ri te shqiptarët që po e sjellin çikat tinejxhere: Ben Blushi shkakton tërmet me shkrimin e fundit

Shkrimtari dhe gazetari i mirënjohur shqiptar, Ben Blushi, e publikoi një shkrim më 9 korrik – ditën e Kurban Bajramit – dhe i cili ndezi komunitetet myslimane në Kosovë e Shqipëri. Pse fjalët e shprehura me pozitivitet prodhuan aq shumë reagim, dhe mos është ulur në mes ‘këmbëkryq’ një keqkuptim i madh.

Shkrimi i z. Blushi titullohej “The New Islam në Tiranë” (Islami i ri në Tiranë). Autori pretendonte se kishte gjetur një formë të re praktikimi të islamit, që bëhej kryesisht nga vajzat tinejxhere myslimane. Pikërisht disa vajza të reja tinejxhere ishin përdorur edhe që të ilustrohej shkrimi me një fotografi.

Por, në shkrim shpreheshin – në dukje pa përçmim – edhe përshtypjet e Blushit për ndryshimin e përgjithshëm të islamit në Shqipëri.

“Ato (vajzat e reja të mbuluara) janë miqësore, pozojnë duke qeshur, llastohen dhe flasin hapur për raportet e tyre me fenë, me shoqërinë dhe me djemtë. Pasi i fotografoj kanë vetëm një kërkesë. Në çfarë adrese instagrami mund t’i marrë fotot. Ky është Islami i Instagramit… Ai është shumë më i hapur, shumë miqësor, shumë i çiltër dhe me shumë kolorit.– shkruante z. Blushi ndër tjerash.

Ai do të përmendte aspektin estetik të islamit, duke e theksuar si një aspekt më të rëndësishëm në të ashtuquajturin “islami i ri”.

Në Kosovë, ai u sulmua nga z. Milazim Krasniqi që përshkroi shkrimin e tij si “fantazi perverse” derisa islamin e ri të Blushit e cilëson si “ide islamofobike.”

Mbi 700 komente

Në fakt, z. Blushi thjesht pretendon që po hedh dritë mbi një formë të re praktikimi të kësaj feje, pa e kërkuar shprehimisht një gjë të tillë. Natyrisht, nënkuptimi është i qartë në lidhje me praktikat e mëhershme të islamit në Shqipëri, dhe të cilat ai duket se i konsideron si të prapambetura.

Në shkrimin e tij të shpërndarë në Facebook, Blushi ka marrë mbi 700 komente, disa prej të cilave janë edhe përkrahëse, me të tjera që shprehin ndjesi islamofobe.

Sabah Ramaj shkruante si vijon: “Mendoj se shkrimi i z. Blushi nuk përmban asnjë tendencë negative dhe shpërndarja e fotos nuk është abuzive, përkundrazi ai po shfaq tek shumë njerëz që nuk e njoftin anën e mirë të festë tonë.”

Ylli Sakaj shprehte krejtësisht tjetër qëndrim: “Tmerr, si ne mesjetë akoma. Allatalibançe”

Stela Agalliu ndërkohë tregonte se si ishte konvertuar ajo në islam në Itali derisa kritikonte gazetarin për qëndrimin e shprehur:

Edlira Durmishaj, një psikologe klinike e mbuluar nga Shqipëria sulmoi gazetarin edhe për mungesë të etikës gazetareske derisa sulmon edhe pikën qendrore të argumentit të Blushit.

Autori thotë se ka marrë miratimin e vajzave që paraqiten të mbuluara në fotografi, por kjo del të mos jetë krejtësisht e vërtetë.

Uesila Zeqo, një nga vajzat që pretendon se është në fotografi, ka kontestuar pretendimin e Ben Blushit.

“Unë jam një nga vajzat në atë foro: Uesila Zeqo, dhe doja të thoja që absolutisht zotëria nuk e ka pasur miratimin tonë për të publikuar foto. Madje kam screen-shot (foto e ekranit) që i kam kërkuar personalisht që fotot të mos publikohen.” – shkroi ajo.

Përkundër që shumë komentuesve tjerë i ktheu përgjigje, Blushi dështoi t’i kthente përgjigje znj. Zeqo.

Pikërisht për këtë arsye, Nacionale ka vendosur që të mjegullojë fytyrat e vajzave në fotografi megjithëse një gjë të tillë nuk e ka vërë autori.

Kujtojmë se Ben Blushi është autor i disa librave si “Të jetosh në ishull” e “Shqipëria” ku tematizohet edhe çështja e islamit ndër shqiptarë.

 

 

Më Shumë

Lajmet e Fundit