11.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Ja pse nuk ka shkuar ankesa për rastin Muja në Gjykatën e Apelit

Ramadan Muja 1Edhe pas katër muajve, rasti i kryetarit të Komunës së Prizrenit Ramadan Mujës ende nuk ka shkuar në Gjykatën e Apelit.

Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit Arbër Jashari tha për KALLXO.com se rasti i kryetarit të Komunës së Prizrenit, nuk ka arritur në gjykatë.

“Deri sot (e hënë) rasti i kryetarit të Komunës së Prizrenit nuk ka ardhur tek ne”, tha Jashari.

Ndërsa mbrojtësi i kryetarit Muja, avokati Ruzhdi Berisha, tha se ka parashtruar ankesë me kohë dhe se me këtë ka kryer obligimin e tij ligjor.

“Ne e kemi dorëzuar ankesën brenda afatit ligjor, veprimet tjera mbeten në përgjegjësinë e gjykatës. Ne nuk kemi asnjë informatë se çka ka ndodhur më tutje”, tha Berisha të cilit nuk i kujtohet data e saktë e dorëzimit të ankesës porse e di se ka qenë në fund të qershorit.

Edhe dy mbrojtësit tjerë, Bashkim Nevzati e Pjetër Përgjokaj, të cilët në këtë çështje mbronin, Minir Krasniqin ish-drejtorin e Administratës Publike, aktualisht kryetar i degës së PDK-së në Prizren, po ashtu thonë se i kanë dorëzuar ankesat me kohë.

Mirëpo ata thonë se ligji nuk precizon afat kohor, brenda të cilit duhet të dorëzohen ankesat nga gjykata e shkallës së parë në atë të dytë.

“Sipas Kodit të Procedurës Penale, thuhet se lënda nga gjykata e shkallës së parë në atë të dytë duhet të dorëzohet në kohë të arsyeshme, por nuk precizohet afati i saktë. Përndryshe, ne e kemi dorëzuar ankesën më 28 maj 2014”, thotë avokati Nevzati.

Sipas tij mbrojtja ende nuk ka marrë as përgjigjen e prokurores, nëse ka pasur kundërshtime në ankesat e tyre.

“Sido që të jetë duke marrë parasysh se kanë qenë gjashtë ankesa dhe është dashtë të përkthehen, nuk ka kaluar edhe kohë e gjatë”, arsyeton gjykatën Nevzati.

Në anën tjetër në Gjykatën Themelore në Prizren thonë se lënda ende nuk u është dorëzuar nga EULEX-i.

Sipas EULEX-it ankesat janë paraqitur në Gjykatën Themelore në Prizren nga 20, 27 dhe 28 maji.

“Ankesat janë dërguar për përkthim dhe për shkak të gjatësisë së tyre, u desh kohë për t’u përkthyer. Më pas, sipas procedurës në fuqi, ato janë dërguar në prokurori për mendimin e prokurorisë dhe ne jemi duke pritur një përgjigje nëse prokuroria do të paraqesë një opinion apo jo”, tha Eldita Tarani nga Zyra për Informim e EULEX-it.

Sipas saj e tërë dosja e lëndës është e gatshme dhe posa të merret një përgjigje nga Prokuroria, dosja e lëndës do të dërgohet menjëherë në Gjykatën e Apelit.

“Ju lutem, vini re se kjo është procedurë normale e ndjekur në raste të mëdha dhe komplekse, që përfshin përkthimin e gjithsecilit dokument”, tha Tarani.

Sipas avokatëve, ankesa për Ramadan Mujën ka pasur 30 faqe, për Minir Krasniqin 10 faqe, për Kadri Ukimerin 8 faqe, aq sa kanë pasur përafërsisht edhe tri ankesat tjera.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja, së bashku me pesë zyrtarë tjerë komunalë, më 13 mars 2014, u gjetën fajtorë dhe u dënuan nga Gjykata Themelore e Prizrenit, për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Kryetari Muja, për katër pikat e aktakuzës, u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Minir Krasniqi ish-drejtor i Administratës Publike u dënua me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Sadik Paçarizi ish-drejtor i Urbanizmit u dënuan me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjne vepër tjetër penale.

Avni Ademaj ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrit u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Historik i shkurtër i rastit Muja

Procedura ndaj Mujës dhe të tjerëve, ishte nisur më 25 mars të vitit 2013, për të përfunduar në marsin e vitit 2014.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Gjykimin e udhëhoqi kryetari i trupit gjykues nga radhët e EULEX-it, Vladimir Mikula.

Mozbatimi i veprimit të Gjykatës Supreme

Në vitin 2006, Gjykata Supreme kishte shpallur Komunën e Prizrenit si pronare legjitime të parcelave të tokës me numër 8617 dhe 8619 që kanë sipërfaqe prej 0.20.65 dhe 0.06.22 hektarësh. Të dyja kanë vlerë rreth 50 mijë euro.

Për tri vjet rresht, nga 1 korriku 2008 deri më 29 nëntor 2011, Muja së bashku me Kadri Ukimerin, në cilësinë e Drejtorit të Gjeodezisë, nuk kanë ekzekutuar këtë aktgjykim, thuhet në pikën e parë të aktakuzës.

Edhe pse avokati publik i Komunës së Prizrenit kishte njoftuar Kryetarin e Komunës, përmes një memorandumi që vendimi i Supremes duhej ekzekutuar, Muja kishte urdhëruar Kadri Ukimerin të bënte të kundërtën.

Sipas aktakuzës, Muja “ka urdhëruar Ukimerin që të mos bënte ndryshimet e duhura në shënimet kadastrale që do ta bënin Komunën e Prizrenit pronare të ligjshme të parcelave tokësore”.

Meqenëse toka nuk ishte kthyer në pronësi të komunës, nga veprimet e kryetarit të komunës dhe drejtorit të gjeodezisë kanë përfituar Minir Krasniqin (i pandehur tjetër në këtë rast), M.Q dhe J.A.

Dhënia e tokës “Gulistanit”

Pika e dytë e aktakuzës përfshin periudhën nga 24 nëntori 2010 dhe 11 shkurt 2011, gjatë së cilës kohë Muja së bashku më Minir Krasniqin, drejtor i Administratës dhe Avni Ademajn, ushtrues detyre i Drejtorit për Gjeodezi, kanë vepruar në bashkëkryerje që t’i sjellin dobi pasurore Qendrës Edukative Arsimore “Gulistan”.

Të tretë në mënyrë të paligjshme kanë marrë në posedim parcelën e tokës me numër 800/2 me sipërfaqe prej rreth 50 mijë metra katrorë në vendin e quajtur “Boka Boka” me vlerë prej 100 mijë e 600 eurosh.

Toka ishte e regjistruar në emër të Organizatës Punuese të Pylltarisë “Sharri” dhe administrohej nga AKP-ja, andaj komuna nuk mund ta posedonte.

Në mënyrë që të administronin me të, nën organizimin e Mujës, Krasniqit dhe Ademajt, toka kishte kaluar nga AKP-ja në pronësinë e komunës së Prizrenit brenda një dite.

Tokën e AKP-së Muja e mori në posedim më 24 nëntor 2010, kur kishte lëshuar vendimin 01/730. Të njëjtin ditë, Minir Krasniqi kishte kërkuar nga Avni Ademaj që të bënte ndryshimet e nevojshme në kadastër të cilat ishin bërë nga ky i fundit po atë ditë.

Kështu, tre muaj pasi kishte marrë paligjshëm tokën e AKP-së, më 11 shkurt 2011 Komuna ka nënshkruar kontratë më Qendrën Edukative Arsimore “Gulistan” me të cilën në mënyrë të paligjshme i jepej kësaj të fundit toka e AKP-së në shfrytëzim për 40 vjet pa kompensim.

Tokë edhe për fabrikën “Kamila”

Pika e tretë e aktakuzës tregon që Muja kishte vazhduar të merrte veprime të paligjshme kur bëhej fjalë për shfrytëzim pronash.

Në periudhën kohore nga 15 dhjetori 2010 deri më 14 prill 2011, Ramadan Muja dhe Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, kanë tejkaluar kufijtë e autorizimive të tyre, kur i dhanë tokën publike fabrikës së çokollatës “Kamila”.

Me vendim të Mujës fabrikës i është ndarë toka prej 20 mijë metrash katrorë, në vlerë prej 40 mijë eurosh, në formën e shfrytëzimit pa pagesë, pa i ndjekur procedurat përkatëse ligjore.

Pika e fundit e aktakuzës, ka të bëjë me ndërprerjen e përfaqësimit të ekspertëve të gjeodezisë në lëndët e gjykatës.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, kryetari Muja me nxjerrjen e një konkluzioni më 2 gusht 2012, të cilën për nënshkrim ia kishte ofruar drejtori i Administratës Minir Krasniqi, kishte ndaluar përfaqësimin e ekspertëve të gjeodezisë në gjykatë.

Ndërsa drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit, Abdullah Tejeci, në bazë të këtij konkluzioni i kishte urdhëruar ekspertët që të mos përfaqësojnë në gjykatë, kështu që ishte bërë bllokimi i lëndëve gjyqësore për gjashtë muaj rresht./Kallxo.com/

Më Shumë

“Krizë” për Vjosa Osmanin: Veç 1 mijë e 168 euro në bankë

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë. Në mesin e personave zyrtarë që kanë deklaruar pasurinë janë edhe krerët e...

Universiteti “Ukshin Hoti” arrin marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Karamanoglu Mehmetbey nga Turqia

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universiteti Karamano?lu Mehmetbey nga Turqia, sot kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi. Siç bëhet e ditur sipas njoftimit, marrëveshja është...

Lajmet e Fundit