2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Jahjaga do t’i marrë parasysh shqetësimet për ligjin e amnistisë?

Jahjaga me Ilir denenPërfaqësues të shoqërisë civile ia kanë dorëzuar peticionin për ndryshimin e ligjit të amnistisë Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga

“Pas dorëzimit të peticionit të nënshkruar, përfaqësuesi i KIPRED-it dhe udhëheqës i delegacionit të shoqërisë civile në takim me Presidenten Jahjaga, zotëri Ilir Deda, theksoi se shoqëria civile përmes peticionit thekson kundërshtimin ndaj ligjit për amnistinë i cili, siç tha, nuk është në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare si dhe me praktikat e shteteve të tjera, veçanërisht ato të rajonit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, sipas Presidencës, Jahjaga ka vlerësuar angazhimin dhe rolin e shoqërisë civile në Kosovë në procesin e demokratizimit të vendit.

“Ajo tha se komunikimi ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile është i nevojshëm dhe kontribuon në avancimin e proceseve të përgjithshme në vend. Presidentja Jahjaga tha se do të marrë parasysh shqetësimet e paraqitura nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, përmes peticionit të nënshkruar nga qytetarët e vendit dhe theksoi se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ajo tha se do të shqyrtojë edhe respektimin e normave ndërkombëtare në interes të përgjithshëm të Kosovës dhe të proceseve që çojnë drejt realizimit të synimit për integrim në BE”, thuhet në njoftim, transmeton express.

Më poshtë, mund të lexoni letrën e bashkëngjitur me peticionin, që iu është dorëzuar Presidentes Jahjaga.

1.Ky ligj ka dalë si detyrim nga Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dhe si i tillë duhet t’u adresohet në mënyrë eksplicite personave/subjekteve të cilat kanë qenë objekt i marrëveshjes në fjalë. Versioni aktual i ligjit është shumë larg bërjes së një dallimi të tillë dhe lejon hapësirë për amnisti edhe të personave/subjekteve që nuk kanë qenë objekt i marrëveshjes në fjalë.
2. Disa nga veprat penale të amnistuara me këtë ligj, jashtë nenit 1.1.15, sikurse krimi ekonomik, kontrabanda, uzurpimi i pronës, armëmbajtja pa leje, zjarrvënia, kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo edhe ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike, nuk duhet lejuar që të amnistohen, nëse nuk kanë qenë të ndërlidhura me kushtin e kryerjes së një vepre penale politike nga strukturat serbe në veriun e Kosovës.
3. Veprat penale të amnistuara me nenin 1.1.15, krijojnë hapësirë të jashtëzakonshme për interpretim dhe keqpërdorim. Nëse qëllimi i vërtetë i kryesve të këtyre veprave penale ka qenë politik, ato duhet ndërlidhur në mënyrë eksplicite me kushtin që kryerësi i veprës së tillë penale ta ketë kryer derisa njëkohësisht ka kryer veprën penale ‘Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’ (Neni 121 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës).

Në versionin aktual të nenit 1.1.15, “thirrja për rezistencë”, që nuk ka përkufizim fare, është një vepër penale që mund të pretendohet të jetë kryer jo vetëm nga ata persona/subjekte që kanë vepruar sipas autorizimeve të Serbisë, por edhe nga kushdo tjetër në tërë territorin e Kosovës.
4. Amnistia është akt politik dhe juridik prandaj edhe insistojmë që ai do të duhej të vlente vetëm nga momenti i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për ç’arsye duhet të jetë kufizuar me kohën e fillimit, d.m.th. nga 15 qershori 2008 deri më 20 qershor 2013.
5. Kërkojmë që në procesin e rishikimit të ligjit të përfshihet shoqëria civile dhe ekspertë të pavarur, që është e domosdoshme në mënyrë që ky ligj të mundësojë forcimin e shtetit ligjor të bazuar në parimet e së drejtës dhe vlerave demokratike, e jo në dëm të kësaj të fundit.

Duke qenë të bindur se kjo kërkesë e shprehur përmes peticionit të 12,764 qytetarëve të Republikës së Kosovës do të hasë në përgjigje pozitive nga ana Juaj, Ju lutemi t’i pranoni konsideratat tona më të larta.

Në emër të organizatorëve dhe përkrahësve të Peticionit, atë e dorëzuan: Ilir DEDA, drejtor ekzekutiv -Instituti Kosovar për Kërkim të Politikave dhe Zhvillim – KIPRED, Fisnik KORENICA, drejtor ekzekutiv – Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Venera HAJRULLAHU, drejtoreshë ekzekutive – Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Igballe ROGOVA, drejtoreshë ekzekutive – Grupi i Rrjetit të Grave të Kosovës, Afërdita SYLA, drejtoreshë ekzekutive – Community Building, Mitrovica, Veton MUJAJ, drejtor ekzekutiv – Syri i Vizionit, Pejë, Hajrulla ÇEKU, drejtor ekzekutiv – EC Ma Ndryshe, Prizren, Samir REKA, drejtor ekzekutiv –INPO, Ferizaj

Më Shumë

Kryeparlamentarja e Shqipërisë: Kam lindur në Tiranë por me shtëpi zemre jam nga Prishtina e Prizreni

Sot po mbahet seanca e përbashkët e kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë. Kryetarja e Kuvendit...

Mbyllet nata e dytë e Fest 63, plotësohet mozaiku i 30 këngëve në garë për finalen e madhe

Kompletohet paraqitja e 30 këngëve në garë për trofeun e Fest 63, këngë e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion. Me mbylljen...

Lajmet e Fundit