14.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kasoruho: Vdekja nuk shuan gjithçka

Amik Kasoruho-shkrimtar e perkthyes“Faleminderit, më fal që po të mundoj!”. Këto kanë qenë fjalët e fundme të Amik Kasoruhos thënë mjekut Marsel Haxhia, ndërsa i qe drejtuar urgjencës. Për fat të keq një atak kardiak e goditi, pa ia mbërritur dyerve të spitalit.

Shkrimtari, përkthyesi e publicisti, “Nderi i Kombit”, u shua të dielën në mbrëmje në moshën 82-vjeçare, rreth orës 23:00, për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Mjekja që e ka ndjekur prej kohësh, Jola Klosi, u shpreh për “GSH” se sëmundja e tij kronike ishte në stadin e fundit.

Me gjithë kurimin në Shqipëri e Itali, ai iku, duke lënë pas imazhin e njeriut të jashtëzakonshëm, fisnik, të paqtë, të dashur, të thjeshtë e prapë madhështor në modestinë e vet.

Do e mbajmë mend ashtu, me hapin e ngadaltë, me duart e lëmuara, me sytë e qelqtë që shkëlqenin përtej xhamave të syzeve, me qetësinë olimpike, me mirësinë e pakursyer, dhe mbase me shumë brejtje ndërgjegjeje, se nuk e deshëm aq sa e meritoi, se nuk i dhamë aq sa duhej, se nuk i thamë atë që ndjemë, se mbase e lamë vetëm. Iku, pa ia kthyer njeri, “vitet e kaushëve”, siç i thoshte shumë motmote më parë, miku i tij Robert Shvarc, duke nënkuptuar kohët e burgut e internimit. “Vdekja nuk shuan gjithçka”, pat thënë ai pak muaj më parë, e me të drejtë.

Për njerëz si Kasoruho, mosprania nuk është mosqenie, mungesa nuk është harresë, e ikja nuk është ndarje, a në qoftë ashtu, është vetëm fizike (ose veçse e përkohshme). Ka lënë pas një mal me libra të përkthyer (të autorëve: Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O’Brian, John Selby etj) dhe disa tituj të vetët (“Një ankth gjysmëshekullor” (1997), “Çmimi i një ëndrre” botuar në Itali (2000), “Midis qiellit dhe burgut” dhe romanin autobiografik “Ikje nga trilli i perëndive”). Mbi të gjitha, ka lënë pas, shembullin e njeriut të urtë. Amik (Përkth: aamik nga persishtja, i thellë), mundi ta përcjellë thellësinë e mendimit, thellësinë e talentit, mundi të përcjellë mbijetesën nga diktatura e nga përndjekja. Pengu i tij? Ato dosjet që nuk u hapën kurrë, sepse Amiku thoshte “ne i dimë të vrarët, por nuk i dimë vrasësit”.

Ai iku, por dikur u nda dhunshëm me të atin. Ekonomisti Qemal Kasoruho, i akuzuar për bombën në Ambasadën Sovjetike do të pushkatohej (Amiku do ia gjente eshtrat vetëm në vitin 1993 në Ndroq). Por, vrasjen e tij e pat përjetuar në burg. Atë kohë, vetë Amiku, qe i arrestuar se “Ata” patën menduar se një 17-vjeçar si ai, dëshironte të rrëzonte pushtetin. Adoleshentit iu vunë prangat dhe u burgos, shkolla e tij do të bëhej burgu, qelitë që pikonin lagështirë dhe torturat sistematike. Megjithatë, pothuaj një vit më parë, në fundmajin e 2013- ës, botoi librin “Pa mëri” (Publicistika e jetës sime). Në intervistën për këtë botim, pyetjes së “GSH”, “A do shkruash më?”, iu përgjigj se do ta bënte derisa të kishte frymë e të mos i dridhej dora. Tani që iku, ka lënë pas (siç tregojnë miqtë), 41 poezi të pabotuara dhe një sërë dorëshkrimesh që përmbajnë: përsiatje, ide e mendime mbi ngjarje e kohë, kujtime të papërfshira në botimet e mëparshme dhe “copëza ditari” të cilat kishte ndër mend t’i shihte të shtypura ndonjë ditë.

Së paku, do mundemi të lexojmë ende prej tij. Sot, ai duhej të ishte në Shkodër, në një takim me konsullin italian. “Ishte shumë optimist, por edhe me këmbë në tokë. Dy javë më parë më kërkoi të shkonim sot në Shkodër, i thashë po”, tregon miku i tij, Visar Zhiti, duke nënvizuar se ai nuk qe naiv: “Kur përcollëm Pano Taçin, Amiku më tha: kështu do mblidheni edhe për mua?”.

Së fundmi, Kasoruho, ishte këshilltar i presidentit Bujar Nishani për kulturën.

SHKRIMI

Në fundmars, ai ka hedhur në kompjuter pak radhë. Miqtë e tij na i japin për botim, me merakun se nuk e dinë se kujt i dedikohen, as çfarë e mundoi. Këto fjali, botohen për herë të parë, duke na thënë se ç’mendonte këto kohë, mbi atë që shihte përreth. Më poshtë, shkrimi: “Seç kam një dëshirë të shkruaj diçka, t’i shkruaj dikujt.

Diçka që të më shkundte nga një farë apatie, nuk di çfarë mund të shkruaj dhe as kujt. Nesër ndryshon ora. Do të doja të ndryshonin edhe gjëra të tjera. Shumë të tjera. Po më lodh sherri, njëanshmëria, shpirtligësia, lehtësia me të cilën harrojmë të mirën, mirënjohjen, faktin që i kapërcejmë patëkeq caqet e mirësjelljes. Ka shumë ligësi që do të doja të mbrapseshin nga dëshira për të bërë mirë, për të qenë të mirë, më njerëzorë, më tolerantë. Ndoshta kërkoj shumë. Nuk ua kërkoj këtë gjë të tjerëve. Ky është një shndërrim që duhet të niset e të përfundojë së pari te vetvetja. Është e vështirë. Është e vështirë sepse, në fund të fundit, na kushtëzon jeta rreth nesh. Që të ndryshojë kjo njëmendje duhet të ndryshojmë ne vetë në radhë të parë. Dhe nuk është e lehtë.

Nuk mjaftoka të duash të jetosh në harmoni mes njerëzve. U dashka të heshtësh para gënjeshtrës, të mbyllësh sytë para vrazhdësisë dhe të mjaftohesh vetëm duke simpatizuar atë që vuan, pa qenë i zoti t’i dalësh krah, sepse nuk ke guxim ose sepse qenka më e fortë ndjenja e ruajtjes së vetvetes sesa ajo e solidaritetit. Edhe ata që nuk e kanë pësuar mujshinë e më të fortit them se nuk e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë. Nuk them ta ndiejnë, por ta kuptojnë se është kështu në shumë raste. Nuk ka pse të ndihemi heronj në jetë, mjafton të jemi njerëz. Që mendojnë dhe që ndiejnë. Si e ka dhënë Zoti. Mjafton kaq”.

Më Shumë

Moti sot: Me diell dhe vranësira – temperaturat deri në 34 gradë

Për të hënën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku pritet kohë pas kohe të ketë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me...

Vërmicë/ Në një ditë janë pajisur me polica sigurimi 2100 automjete të bashkatdhetarëve

 Në pikën kufitare të Vërmicës mes Kosovës e Shqipërisë, është shtuar numri i mërgimtarëve që vijnë nga vendet perëndimore për pushimet verore. Vetëm ditën e...

Lajmet e Fundit