24.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Kërkohen mësimdhënës më të mirë

Nga rreth 30 mijë filloristë që të martën për herë të parë janë ulur në bankat shkollore, vështirë se ndonjëri nga ta do të bëhet makinist.

Së paku statistikat e deritashme të arsimit në Kosovë tregojnë se ekziston një mungesë e konsiderueshme e makinistëve në tregun e punës. Ndërkaq, aftësimi profesional në këtë fushë dhe profesione të ngjashme nuk shihet me prioritet nga institucionet edukativo arsimore.

Por, çfarë është edhe më interesante, të dhënat e Bankës Botërore, bazuar në një analizë të këtij institucioni për cilësinë e arsimit në vend, tregojnë se ka mungesë edhe të pedagogëve të diplomuar e të certifikuar, raporton Gazeta Fjala.

“…teknikët dhe profesionistët kërkohen shumë në tregun e punës. Ekziston një mungesë e punëtorëve me diploma universitare ose certifikim nga “Shkolla e Lartë Pedagogjike” (ShLP), por një tepricë e punëtorëve me arsimim të mesëm shkollor ose me arsim fillorë”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Në të vlerësohet se profesionet si shitës të shërbimeve apo nëpunës janë me tepricë. Ndërkaq, aftësitë më të kërkuara zakonisht korrespondojnë me punëtorët me arsimim tretësor.

Por për shtimin e këtyre aftësive dhe ngritjen e cilësisë në arsim, i pari i Ministrisë së Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami, thotë se duhet të përmirësohet fillimisht cilësia e mësimdhënies.

Madje sipas tij, jo të gjithë mësimdhënësit dhe profesorët meritojnë pagat të cilat i marrin me punën që bëjnë dhe me cilësinë e mësimdhënies.

Në prag të fillimit të vitit shkollor, në një deklaratë për media ai u ka bërë ftesë të gjitha organizatave por edhe SBASHK-ut që të bashkëpunojnë për ngritjen e cilësisë në arsim dhe t`i lënë anash kërkesat e vazhdueshme për rritje pagash.

“Ministria është e vendosur në përpjekjet e saja për të ngritur cilësi të ndërtojë një sistem të llogaridhënies të secilit që është në sistem arsimor andaj kemi vendosur një sistem të vlerësimit të performancës të secilit mësimdhënës, që nga çerdhet e deri te Universiteti”, ka thënë Bajrami.

Sipas tij, në vend që ne çdo dy apo tre muaj të krijojmë stresin e protestave apo grevave, bashkë me sindikata duhet ta shpallin këtë vit si vit të ngritjes së cilësisë në mënyrë që duke ngritur cilësinë e mësimdhënies ne t’i arsyetohen më mirë kërkesat për ngritje të pagave.

“Jam i sigurt se mësimdhënësit i kanë pagat relativisht të mira, në nivel universitar shumë të mira dhe jam i sigurt se jo të gjithë ne i meritojmë këto paga – me punën që bëjmë dhe me cilësinë e mësimdhënies”, ka vlerësuar Bajrami.

Edhe në Bankën Botërore kanë analizuar se politikat që përfaqësojnë zhvillimin e mësimdhënësve janë të domosdoshme e jo rritja e një tretshme e pagave.

“Qeveria ka rritur pagat e të gjithë mësimdhënësve dhe menaxhmentit të shkollës në mënyrë të konsiderueshme gjatë viteve të fundit. Ky zgjerim i faturës së pagave mund të ketë pamundësuar shpenzimet tjera kritike për përmirësimet e cilësisë”, thuhet në raport të Bankës Botërore.

Një analizë paraprake sugjeron se niveli i pagave dhe struktura e tyre është e përshtatshme për tërheqjen në profesionin e mësimdhënësit e të diplomuarve me performancë të lartë.

“Prandaj, tash duhet përqendruar përpjekjet në zbatimin e një sistemi të karrierës së mësimdhënësve, dhe resurset duhet drejtuar drejt mundësive më të mëdha për trajnime dhe zhvillim profesional të mësimdhënësve, posaçërisht në lidhje me kurrikulën e re”.

Përveç kësaj, kërkohet që rritja e pagave të depolitizohet dhe të jetë e përqendruar në caqe, e lidhur me zhvillim profesional dhe vlerësimin e mësimdhënësve.

Megjithatë kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me situatën në arsim, duke thënë se edhe ky vit i ri shkollor po fillon pa kontrata individuale, kolektive të mësimdhënësve, pa sigurimin e 70 përqindëshit të udhëtimit për mësimdhënësit, si dhe pa tri paga e para të pensionistëve.

Ai ka kërkuar nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, një takim në të cilin do të ketë dialog lidhur me kërkesat e tyre. Sipas tij, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje, atëherë SBASHK do të marrë masa të shtrënguara, duke mos përjashtuar edhe greva.

Procesin mësimor këtë vit shkollor e ndjekin rreth 390 mijë nxënës të arsimit fillor, në rreth 1200 objekte, me mbi 25 mijë mësimdhënës. /Gazeta Fjala/

Më Shumë

Kanosi dhe fyu policët, arrestohet një person në Prizren

Një person është arrestuar në Prizren pasi që i njëjti gjatë shqiptimit të një tikete kundërvajtëse në trafik, ka kanosur dhe fyer zyrtarët policorë. Në...

Rexhaj i VV-së ankohet për kushte të padrejta në KiE, e përmend “thirrjen e arsyes”

Arbër Rexhaj, deputet i VV-së, ka folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Në fjalën e tij në KTV, Rexhaj ka...

Lajmet e Fundit