Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës, ka publikuar listën me emrat e studentëve të pranuar në konvikte.
Drejtues të Qendrës bëjnë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për akomodimin e studentëve, ndërkohë kapaciteti është për 3 mijë e 600 vende. Studentët kanë mundësi të ankohen në dy ditët e ardhshme, ankesat e të cilëve do të shqyrtohen nga një komision i veçantë.
Qendra e Studentëve të Universitetit të Prishtinës ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik, ku do të presë 3 mijë e 600 studentë, të cilët janë pranuar për banim në konvikte. Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, tha për Radio Kosovën, se konkurrenca ishte shumë e madhe, ku për 3 mijë e 600 vende kanë aplikuar rreth 8 mijë studentë.
“Kur ke kapacitet 3 mijë e 600 vende dhe kur ke numër kaq të madh të aplikuesve normal që presioni është evident. Vet fakti që ne jemi detyruar që nga tre studentë dy prej tyre janë refuzuar e një është pranuar është presion në veti. Por ne jemi detyruar që të zbatojmë kriteret që kemi. Sa i përket punëve teknike jemi të përgatitur që të presim këtë numër që kemi pranuar dhe çdo gjë është gati që studentët të vijnë të akomodohen”, tha ai.
Ndërkaq, studentët e pakënaqur me rezultatin, kanë mundësi të ankohen. Drejtori Sfishta bëri të ditur se afati i ankesave do të jetë dy ditë, ku më pas do të shqyrtohen nga një komision i veçantë.
“Komisioni i caktuar nga ne, në përbërje nga menaxhmenti i Qendrës, MASHT dhe Parlamenti i studentëve, që vlerësojnë ankesat, nëse ankesat janë të bazuara, atëherë studentët do të pranohen në Qendrën e Studentëve. Sigurojë që çdo ankesë që është e bazuar do ta m arrë përgjigjen e merituar”, tha ai.
Sfishta gjithashtu njoftoi se kanë marrë leje nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e një konvikti të ri me kapacitet prej 300 shtretër. Akomodimi i studentëve të pranuar në Qendrën Studentore do të fillojë më 29 shtator. Ndërkohë, sivjet janë ulur tarifat për banim në konvikte, ku nga 70 euro sa kanë paguar për banim dhe ushqim, tani studentët do të paguajnë nga 35 euro në muaj.