Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka zhvilluar gjatë pasdites së të shtunës stërvitjen e parë në Regensdorf të Zvicrës, në prag të ndeshjes miqësore “vëllazërore” më Shqipërinë, e cila zhvillohet të martën me fillim nga ora 20.00, lajmëron Supersport.
Pasi lojtarët dhe shtabi teknik u bashkuan rreth orës 12.00 në hotel, ku u mbajt një mbledhje e shkurtër në mes futbollistëve dhe trajnerit Bernard Challandes, në ora 18.00 ishte paraparë edhe stërvitja e parë, në të cilën munguan disa lojtarë që janë të impenjuar nëpër skuadrat e tyre.
Supersport raportoi se në grumbullimin e parë munguan, Edon Zhegrova, Fanol Përdedaj, Arber Zeneli, Vedat Muriqi, Herolind Shala, Elbasan Rashani dhe Besar Halimi, andaj Challandes pati në dispozicion vetëm 17 futbollistë, kurse të tjerët do të bashkohen më së largu deri këtë të diel, apo më saktë dy ditë para ndeshjes së parë miqësore ndaj Shqipërisë.
Ndërkohë Insporti merr vesh se tre nga këta lojtarë veçse i janë bashkuar ekipit dhe katër të tjerë, që sot kanë ndeshje me klubet e tyre, në dispozicion të selektorit do të jenë që nesër.
Stërvitja kaloi e qetë me një ritëm jo shumë të lartë, pasi lojtarët janë pak të lodhur pas angazhimeve që kishin te skuadrat përkatëse, megjithëse mjekët e përfaqësueses së Kosovës u ndanë të kënaqur me përgatitjet fizike të futbollistëve, duke deklaruar se janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për lojë.
Duhet theksuar se për herë të parë janë grumbulluar edhe katër futbollistë të rinj nga përfaqësuesja U-21 e Kosovës, ndër ta edhe Rron Broja, anëtari i skuadrës maqedonase Shkupi, i cili spikati në ndeshjen kundër kampionëve të botës, Gjermanisë.
Do të jetë miqësorja e dytë e Kosovës dhe Shqipërisë pas asaj që u zhvillua në Prishtinë në nëntor të vitit 2015, që përfundoi 2-2, ndërsa përfaqësuesja e Kosovës pesë ditë më vonë e zhvillon edhe miqësoren e dytë përballë përfaqësueses shumë të fortë afrikane, Bregu i Fildishtë.