Anëtari i Kryesisë së LDK-së Eqrem Kryeziu, ka thënë se e mirëpret një takim ndërmjet Isa Mustafës dhe Fatmir Sejdiut, në të cilin temë diskutimi do të ishte bashkimi i ideve, në mënyrë që LDK-ja në procesin zgjedhor të jetë unike.
“Besoj se një debat i tillë do të duhej të bëhej mbi baza të vullnetit të mirë të personaliteteve të përgjegjshme për ardhmërinë e Kosovës. Para kësaj ardhmërie është qesharak vaniteti i figurave politike, qoftë president, kryeministër, kryetar partie e kështu me radhë. Secili prej nesh është figurë publike për atë mision, jo për sedrën e sëmurë personale”, ka deklaruar Kryeziu për “Epokën e re”.
Ai ka shtuar se Kosovës i duhet një forcë politike e gatshme për ta marrë besimin e qytetarëve. “Ky besim duhet t’i jepet LDK-së në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen këtë vit. Ajo që i duhet, jo LDK-së, por Kosovës, është një forcë politike e gatshme për ta marrë besimin e qytetarëve. Në këtë mënyrë do të bëhej tranzicioni i pushtetit, aq i nevojshëm për rrugën e shtetit tonë drejt Evropës”, ka thënë Kryeziu.
Kryeziu është shprehur i bindur se LDK-ja do të dalë fituese e zgjedhjeve parlamentare. “Jam tejet i sigurt. Edhe ashtu ne jemi partia e vetme që kemi ngritje evidente. Prandaj teket subjektive eventuale, në fakt, do të duhej trajtuar, jo vetëm si primitive, por edhe të turpshme”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka shtuar se nuk ka alternativë më të mirë, që Kosova të qeverisët nga Isa Mustafa. “Nuk besoj se ka alternativë më të mirë. Tani, tempoja e proceseve tona do të duhej përshpejtuar dhe, për këtë arsye është përparësi e pakompensueshme, po qe se kryeministri është ekspert-politikan dhe jo vetëm politikan”, ka deklaruar Kryeziu.
Eqrem Kryeziu, në pyetjen tonë, nuk e ka përjashtuar një koalicion të mundshëm me partinë e Ramush Haradinajt, AAK-në, por as edhe me partitë e tjera politike. “Ju e dini qëndrimin tim: asnjë parti legale nuk përjashtohet nga mundësia për koalicion qeverisës. Personalisht nuk kam preferenca të theksuara”, ka deklaruar Kryeziu.